Pak biografi
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe iku nga mesi ynë më 5 shtator 1997 -të në Kalkuta, (Indi). Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor të vitit 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe, tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.
Vendlindja: Shkupi i Shqipërisë pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Rrethi i Shkodres dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën në fëmijërinë e hershme.
Frikë të madhe kishte nënë Drania se, mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes. Sepse, me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali, kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Shkupi i merret Shqipërisë me 1 Janar 1918 në bazë të traktatit të Versajës. I ati, që ishte i përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe, nacionaliste shqiptare vdes në vitin 1919, kur ajo ishte 8 vjeçe, ende fëmij.
Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku poashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Që, nga ajo dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj:
“Shkup, 12. 09. 1928. E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju dëshron zemra. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
Momenti, kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. E, nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi), ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.
Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel me 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës me 17 qershor 1978. Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi:
“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Asaj kohe, Shqipëria heshtëte. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje, këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri në fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan e shpërbleu Nënë Terezën me çmimin Medal of Freedom 1985.
Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje, ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa. IN/OUT”.
Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Nënë Tereza ka shkruar edhe poezi
Kur ishte e re, jo vetëm ka folur në vende publike, por ka shkruar edhe poezi në gjuhën shqipe. Për shembull poezinë e mëposhtme e ka shkruar kur ishte 22 vjeçe gjatë rrugës për në Indi. Sot kemi një dëshmi të Nënë Terezës që flet shqip më 1988, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe:
DUA TË KTHEHEM NË SHQIPËRI
Si shumë po vepron Qoftëlargu në anët tona !
12 shtatore me figura shenjtësh
do të doja të kisha në Shqiperi,
patjetër dhe në Kosovë 12 të tjera,
të luteshin murgeshat e mia
per të larguar të keqen
nga atdheu im.
Dua të kthehem në SHQIPËRI,
t’u sherbej
me të varfërve të gjakut tim.
Dhe në nderim
të kujtimit të prindërve dua të kthehem,
pranë tyre të mbyllë sytë.
ta dimë,
secili nga ne është krijuar për të bërë vepra të mëdha.
27 gusht 1997
pak dite para vdekjes. Ikja nga kjo Bote.
Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kishte dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja, sesi e shpjegon Lolja letrën e të madhes Nëna Terezë dërguar Presidentit të Republikës në vitin 1989, të cilit i theksonte se: “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”, që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezes, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam Nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do te jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.
Nënë Tereza, tha: “Me gjak, unë jam Shqiptare, me shtetësi, jam Indiane, me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”
Në vitin e 1982, në kulmin e Rrethimit të Beirutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë Israelite dhe guerilëve palestinez. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali i shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj.
Evropa Lindore, kur pati një rritje në sinqeritet në fund të viteve 1980, ajo i zgjëroi përkpjekjet e saj në vendet komuniste që më parë kanë refuzuar Misionarët e Bamirësisë, duke u përfshirë në shumë projekte. Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thenë, “ Pavarësisht kush thotë çfarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde.” Ajo e vizitoi Republikën Sovietike të Armenisë pas tërmetit të vitit 1988, dhe u takua me Nikolai Ryzhkov, Kryetari i Këshillit të Ministrave.
Nënë Tereza udhëtoi për të ndihmuar dhe shërbyer të uriturve në Etiopi, viktimave të rrezatimit në Cernobill, dhe viktimave të tërmetit në Armeni. Në 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamirësia e Misionarëve të Nënë Terezës u zgjërua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfërit” në 450 qendra në mbarë botën. Shtëpia e parë e Misionarëve të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara ishte themeluar në Bronksin e Jugut, Nju Jork; deri më 1984 asambleja punonte në 19 institucione gjatë gjithë vendit. Nënë Tereza fliste rrjedhshëm 5 gjuhë : Bengalisht, Shqip, Serbisht, Anglisht dhe Hindishte.
Nënë Tereza vuajti një sulm në zemër në vitin 1983 përderisa vizitonte Papa John Paulin II. Pas një sulmi të dytë në vitin 1989, ajo mori një stimulues kardiak artificial. Në 1991, pas një beteje me pneunomine derisa ishte në Meksikë, ajo vuajti edhe me probleme të tjera të zemrës. Ajo ofroi ta lë pozicionin e saj si kryetare e Misionarëve të Bamirësisë, por motrat e asamblesë, në një votim sekret votuan që ajo të qëndronte. Nënë Tereza pranoi të vazhdonte punën e saj si kryetare e asamblesë.
Në prill të vitit 1996, Nënë Tereza u rrëzua dhe theu kockën e qafës. Në Gusht ajo vuajti nga malaria dhe dështimi i barkushe të majtë të zemrës. Ajo pati një operim të zemrës por ishte e qarte se shëndeti i saj ishte duke rënë. Kryepeshkopi i Kalkutës, Henry Sebastian D’Souza, tha se kishte urdhëruar një prift për të përformuar një eksorcizëm mbi Nënë Terezën me lejen e saj kur ajo u shtrua në spital me problem kardiake, sepse mendonte se ajo ishte nën sulmin e djallit.
Në 13 Mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionarëve të Bamirësisë. Ndërroi jetë më 5 Shtator të vitit 1997.
Në kohën e ikjes së saj nga kjo jetë, Misionarë të Bamirësisë së Nënë Terezës pati mbi 4,000 motra, dhe një vëllazëri prej 300 anëtarësh, duke punuar në 610 misione në 123 vende. Këto përfshinin bujtina dhe shtëpi për njerëzit me HIV/AIDS, me lebrozë dhe tuberkulozë, kuzhina supe, programe këshillimi për fëmijë dhe familje, ndihmës personal, jetimore dhe shkolla. Misionaret e Bamirësisë u ndihmuan edhe nga bashkë-punëtorët, të cilët ishin mbi 1 milion deri me 1990.
Nënë Tereza u prehë në Shën Tomas, Kalkutë për një javë para funeralit të saj, në Shtator 1997. Asaj iu dha funeral shetëror nga qeveria Indiane në shenjë falenderimi për shërbimin e saj për të varfërit e të gjitha feve në Indi. Ikja e saj nga kjo jetë u vajtua në komunitete laike dhe fetare. Nawaz Sharif, kryeminstri i Pakistanit tha se ajo ishe një: “një idivid i rrallë dhe unik që kishte jetuar për qëllime më të mëdha. Përkushtimi i saj i përjetshëm për t’u kujdesur për të varfurit, të sëmurët dhe të pafatë ishe një ndër shembujt më të lartë të shërbimit për humanizmin tonë.” Ish Sekretari- Gjeneral i KB Javier Pérez de Cuéllar tha: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë.”
Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe, tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”. Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Në vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bëmirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas të dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq te braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.
Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shperblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj.
Vitin e 05 shtatorit 1997 -të bota mësoi se Nënë Tereza (Angel of Mercy) ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare duke lënë pas vetes dashuri.
Ndërkohë, në Maqedoni botohet një monografi që paraqet Nënë Terezën si “maqedonase”! Sipas gazetës Washington Post, 16 tetor 2003, deklarohet qartë se Nënë Tereza ka lindur në Shkup në kohën kur nuk kishte FYROM dhe Shkupi ishte qytet i Perandorisë otomane. Mëtej, rikujtohet fjala e Nënë Terezës qe sipas gjakut ajo është shqiptare. Në librin e Kathryn Spink të përkthyer në gjermanisht, biografi që është e autorizuar nga Nënë Tereza, thuhet se babai i Nënë Terezës ishte një nacionalist shqiptar i cili angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, për këtë ai kishte shkuar në Beograd tok me konsullin italian. Kishte shkuar atje, me një shëndet shumë të mirë dhe u kthye prapa i shtrirë për vdekje. Babai i kishte 45 vjet kur vdiq. Mjeku dhe anëtarët e familjes ishin të bindur se Nikola ishte helmuar në Beograd.
Padyshim, janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të madhen Nëna Terezë, por të gjitha flasin të vërtetën se ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë për së gjalli.
Himni i dashurisë dhe dhembshurisë për njerëzit
Vepra e saj madhështore është himni i dashurisë dhe dhembshurisë për njerëzit e vetmuar, të margjinalizuar, të pashkolluar, të braktisur nga shoqëria. Po të ndjekësh thënien e Nënë Terezës, aty gjen jo vetëm gjithë dashurinë dhe gjithë dhemebshurinë, që qenia njerëzore duhet të transpetojë nëpër botë. Çdo gjë që ajo ka bërë në jetën e saj, e ka bërë të madhe këtë grua të vogël, të brishtë, ka bërë të madh emrin e shqiptarëve, ka bërë krenar emrin e Shqipërisë në botë.
Nënë Tereza është shqiptarja që moti i kaloi kafijt politik mes shteteve. Shkupi e lindi dhe e rriti me shumë halle, ia hapi krah më krah dyert e botës. Edhe atë: atje, ku e donte nevoja dhe kishte më së shumti nevojë për dashuri njerëzimi. Nëna e Madhe, mijëra fëmijëve të botës, u dha jetë, i mori për dore, i lumturoi mes mureve të kohës plot urrejte e luftëra. I nxorri në jetë nga bataku që dita - ditës po fundosej njerëzimi. Shkak ky, që sot e gjithë bota e nderon dhe e pranon si bijë të veten këtë humanitare. Emrin e saj, sot e ke nëpër shumë shkolla, rrugë institucione. Edhe spitale kudo nëpër botë. E nderon bota, e nderon populli që e lindi këtë Nënëmadhe të shenjtë. Dita - ditës, emri i saj ende rroket fytas me varfërinë dhe të keqen që e ngulfat botën përparimtare.
Vërtet, iku fizikisht nga mesi ynë, po jo edhe nga lufta e shenjtë në shërbim të Zotit e mbarë njerëzimit, e nesërmja, që do ta përqafojë patjetër mbarë botën. E them këtë se, Nënë Tereza gjithë jetën qe në shërbim të Zotit, mbarë njerëzimit. Botës i dha shpirtin e dashurisë e jo të urrejtjes. Vepra e saj humanitare hyri në çdo shtëpi. Përmbi të gjitha, kjo bijë shqiptare nuk e harroi as edhe popullin e vet heroik e paqëdashës që e solli në jetë. Në emër të tij kudo që shkonte nëpër botë përhapte dashuri dhe i lutej Zotit ta shpëtoj nga lufta. E dinte, se lufta nuk i duhej njerëzimit, po dashuria. Edhe pse e dinte se: Liria fitohet me luftë. Koha, është t’ia zgjasim dorën njëri - tjetrit, atëherë kur ka më së shumti nevojë për paqe. Bota ka nevojë për dashuri dhe jo për luftë. Thoshte, kudo që shkelte këmba e kësaj Nënëmadheje shenjëtore.
Duar të shumta zgjateshin për ndihmë drejtë kësaj Nëne të botës. E thirrnin sa herë që kishin nevojë për dashuri e paqe. E ajo me vitet e pleqërisë në shpinë nuk pritonte fare, ecte derë më derë duke shpërndarë dashuri dhe paqe për mbarë njerëzimin. E hapte zemrën përpara këtyre nevojtarëve skamnorë, ua mbushte jetën plo me dashuri.
Arasyeja, përse interesohen njerëzit bashkëkohorë të shekulli XXI për një grua të shenjtë të shekullit XX, të cilën kurrë nuk e kanë takuar personalisht? Çfarë duhet të jetë aq interesante dhe entuziazmuese në epokën tonë hektike, dinamike, nxituese nga moda në modë për një murgeshë, e cila vërejtjes dashakeqe të një kritiku, se ajo me teologjinë e saj qenka 200 vjet pas, i është përgjigjur buzagaz: “Jo, 2000 vjet!”?
Nënë Tereza nuk e vendoste kurrë veten në qendër të vëmendjes. Megjithatë, kur këtë e bënin të tjerët - dhe kjo ishte praktikisht një gjendje e përhershme pas dhënies së Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979 -të, atëherë ajo e shfrytëzonte rastin, që nëpërmjet të vetvetes t’i referohej Krishtit. Nga anë të ndryshme ka pasur dhe vazhdon të ketë një kakarisje më shumë nacionale se sa katolike, se e kujt është Nënë Tereza. Ajo vetë me siguri se nuk do ta kishte dëshiruar një gjë të tillë, ndonëse nuk i mohonte rrënjët e saj. Njëra nga thëniet e rralla të Nënë Terezës për vetveten thoshte: “Kam lindur shqiptare, ndërsa sot jam shtetase e Indisë. Gjithashtu jam një murgeshë katolike. Sa i përket punës time, i përkas mbarë botës, por në zemrën time i përkas vetëm Krishtit.” Me këtë janë qartësuar edhe rrethanat e pronësisë të nënshtetësisë shqiptare.
Realiteti: ajo nuk kishte të përbashkët vetëm qindra rrudhat dhe rrudhëzat në fytyrë, por edhe disa tipare të caktuara të gjeneratës. Nënë Tereza ishte e rreptë dhe e disiplinuar ndaj vetvetes, njëkohësisht shpirtmirë, e kujdesshme dhe e durueshme deri në ekstrem kundruall të tjerëve. I kishte edhe buzët e vogla, të mpira të të shumë njerëzve të thyer në moshë, të cilat nganjëherë, sipas situatës, i rrudhoste përpara kamerave televizive: rast që ajo e përkulte paksa kokën anësh dhe i dëgjonte me një dozë të hollë skepticizmi vizitorët e saj - megjithatë, gjithmonë me vëmendje të madhe.
Nënë Tereza, për shkak të mungesës së kohës, të mos mundte t’i këndonte novenat për nëntë ditë radhazi, prandaj dhe e kishte sajuar këtë farë “Quick Novene”.
Një “Memorare” përmban tekstin si në vijim:
“Kujtohu, o e shtrenjta Shën Mëri, ende askush nuk ka dëgjuar, se Ti nuk ia ke shtrirë dorën atij, i cili ka kërkuar ndihmë nga Ti. I pushtuar nga ky besim, unë nxitoj te Ti, o e shtrenjta Shën Mëri, nëna jonë. Unë vij te Ti dhe qëndroj përpara Teje duke psherëtirë si mëkatarë. O nëna e fjalës së përjetshme, mos i refuzo fjalët e mia, por më dëgjo me mirësi mua të mjerin. Amen”
Përkushtimin e tërësishëm për ta përkujtuar të Nënë Terezës ndaj më të varfërve, fillimisht duhet ditur për përjetimin qëndror të misionit të saj: Në vitin 1928 –të, ajo iu bashkua familjes së murgeshave Loreto në Dublin, që të shkojë si misionare në Indi. Në fillim të vitit 1929 –të, ajo e filloi noviciatin në Darjeeling, në veri të Indisë. Qyteti shtrihet rrëzë Himalajeve në një lartësi mbidetare prej 2000 metrash. Vitin e 1931 Nënë Tereza e dha betimin e saj të përkohshëm, kurse në vitin 1937 betimin e saj të shenjtë të përjetshëm. Zë, që ajo ka qenë për një dekadë e gjysmë murgeshë, patjetër se ka synuar një jetë shenjtërie dhe për ta arritur qëllimin, është munduar të bëjë gjithçka të nevojshme për njerëzimin. Megjithatë, më 10 shtator 1946 ajo, gjatë një udhëtimi me tren për tek ushtrimet e përvitshme shpirtërore, pati një përjetim vendimtar.
Ngjarja ka ndodhur si më poshtë: Nënë Tereza ishte nisur përsëri në rrugë për në Darjeeling në Bengalin Perëndimor, ku e kishte kryer noviciatin e saj. Rrugës për në stacionin hekurudhor të Kalkutës ajo i kishte parë varfanjakët e shumtë, sepse që nga kryengritja e fundit shumë regjione të vendit kishin rënë në një mjerim të papërshkruar. Gati në çdo stacion, ku ndalej treni i mbushur përplot me njerëz, syri t’i zinte gjithkund pasojat nga trazirat: Masa njerëzish në mjerim.
Gjatë udhëtimit të gjatë me tren ajo e dëgjoi në zemrën e saj açik fjalën e Krishtit: “I thirst!” (Kam etje). Këtë ajo e kishte dëgjuar me një intensitet shumë të fuqishëm dhe në zemrën e saj e kishte ndier dashurinë e madhe të Zotit për të. Më vonë ajo do të shkruajë: “Kjo është hera e parë, që etja e Krishtit shpallet në mënyrë të veçantë.” (This is the first time, that the thirst of Jesus is being proclaimed.) Kjo fjalë “I thirst” (kam etje) në Ungjillin e Johanit është fjala e parafundit, të cilën e ka thënë Krishti përpara se të vdiste i ngujuar në kryq: “Pastaj, pasi Krishti e dinte, se ishte përmbaruar gjithçka, ai tha, me qëllim që të përmbushej Shkrimi: Kam etje.” (Johani 19, 28)
Një thellësi tronditëse e Nënë Terezës
Gjatë një thellësie tronditëse Nënë Tereza, gjatë rrugës udhëtimit me tren për në Darjeeling më 10 shtator 1946, e kuptoi se Zoti, jo vetëm që na do neve në njëfarë mase, por që këto fjalë “kam etje” janë një shprehje e fundit dhe më fisnike e dashurisë së Tij, të mallit të Tij për dashurinë e krijesave të Tij dhe për shpëtimin e shpirtrave të tyre. Krishti i foli këto fjalë i ngujuar në kryq, sepse kryqi është “vepra” e Krishtit, me të cilën Ai mundohet të na bindë neve: për dashurinë e Zotit, e cila është e pakufishme dhe zgjat deri në amshim.
Veç tani e kishte kuptuar Nënë Tereza thelbin kryesor të misionit të saj. Dhjetë ditët e pastrimit shpirtëror në Darjeeling ajo i shfrytëzoi, për të menduar për këtë njohje, thënë më saktë, për mesazhin e marrë nga Krishti. Kur ajo u kthye në Kalkutë, ishte e sigurt, se jeta e saj do të ndryshonte dhe se si do të ndryshonte?! Nënë Tereza ishte e vendosur, që t’i shërbente Krishtit me më të varfrit nga të varfrit. Dhe ajo dëshironte të identifikohej me të me një jetë në mjerim të plotë. Ajo ishte e vendosur, të mos posedonte asgjë dhe t’u bindej me mish e me shpirt urdhrave të Zotit.
Vendimi për ta braktisur pas 16 vjetësh familjen e murgeshave Loreto, nuk ishte i lehtë për Nënë Terezën. Dhe, as për një çast të vetëm asaj nuk i shkoi ndërmend, që ta ndërmerrte këtë hap, të cilin ajo e kishte kuptuar si vullnetin e Krishtit, pa lejen dhe pëlqimin e autoriteteve kishtare. Ajo iu drejtua eprores së saj, bëri më shumë biseda të gjata me kryeipeshkvin e Kalkutës, Ferdinand Périer, e arsyetoi me shkrim dëshirën e saj - për t’iu bindur urdhrit të Krishtit – përballë eprores së saj të përgjithshme në Dublin. Më 2 prill 1948 Papa Piu XII, duke u këshilluar me kryeipshkvin Périer, ia dorëzoi Nënë Terezës lejen, që ajo të jetonte si murgeshë jashtë bashkësisë. Mirëpo, njëkohësisht ajo detyrohej që t’i bindej kryipeshkvit dhe t’u përmbahej rregullave të kongregatës. Më 16 gusht 1948 ajo e hoqi petkun e murgeshës së familjes Loreto dhe e braktisi manastirin e tyre. Nxënëset kishin mësuar një këngë lamtumirëse. Nënë Tereza me një valixhe dhe çantë dore u drejtua drejt portës, por qëndroi në mesin e qindra nxënësve të manastirit. Vajzat filluan të këndonin, por së shpejti filloi të ngashërehej e para, pastaj e dyta. Pas disa minutash vajzat ulërinin aq shumë, sa ndaluan së kënduari. Nënë Tereza u përkul, e mori bagazhin e saj dhe vazhdoi tutje - nga porta përjashta dhe drejt e në lagjen e varfër të qytetit. Ajo nuk e ktheu më kokën pas, e mbylli përfundimisht derën e madhe të manastirit, për të jetuar si e dërguar nga Zoti te më të varfrit e të varfërve. Ishte dita pas festës së madhe të Ngjitjes së Zonjës në qiell.
Për ta kuptuar drejt karizmin e Nënë Terezës në rezonancën e tij, duhet menduar, që misioni i saj nuk ishte kryekëput t’u ndihmonte të varfërve, por më të varfërve të të varfërve: “To the poorest of the poor.” Atyre, të cilët nuk mund ta ndihmojnë vetveten dhe të cilët nuk kanë askënd, që të kujdeset për ta në jetë.
Nënë Tereza nuk ishte një guru, por i respektonte shumë edhe misionet e tjera: “Nëse t’i je i thirrur t’i edukosh të rinjtë, atëherë ky është misioni. Atëherë, është pikërisht ajo, që Zoti e do nga ti.” Dhe shpesh unë e dëgjoja atë ta thoshte këtë fjali të thjesht: “Çfarë bën ti, nuk mund ta bëj unë. Çfarë bëj unë, nuk mund ta bësh ti. Por, së bashku ne mund të bëjmë diçka të bukur për Zotin.”
Përmbi të gjitha, ajo nuk e shihte skamjen, as si një ideal në vetvete dhe as si një fat të dëshiruar nga Zoti: “Zoti nuk e ka krijuar mjerimin, ne e kemi krijuar atë, sepse nuk ndajmë me njëri-tjetrin.”
Gjithmonë, kur ajo ishte në Kalkutë, Nënë Tereza e shoqëronte grupin e bashkëpunëtorëve të saj pa pagesë për në “Nirmal Hriday”, shtëpia për njerëzit duke vdekur. Shtëpia ishte, si të thuash, fëmija i saj i dashur. Mas meshës së mëngjesit, para kafjallit, ajo të shumtën e rasteve mbante një ligjëratë të shkurtër dhe pastaj shkonte me grupin në “shtëpinë për njerëzit duke vdekur”. Me këtë rast mu më ra në sy, se ajo pas ligjëratës së saj të shumtën e herëve dukej e hutuar dhe nervoze. Mund ta ndieje, se asaj i digjej dheu nën këmbë. Me të mbërritur në “shtëpinë për njerëzit duke vdekur”, ajo ia ndante çdo bashkëpunëtori të ri detyrën e tij. Ajo e merrte secilin veç e veç për dore, nëpërmjet radhëve të njerëzve duke vdekur e shpinte atë te një i sëmurë, dorën e bashkëpunëtorit e vente mbi ballin e tij dhe i thoshte kujdestarit, se ç’duhej të bënte ai tani. Ose, duhej t’i jepte të hante diçka apo të ulej tek ai, të lutej pranë tij apo ta rruante atë. Kjo ishte një ndihmesë e madhe, sepse të shkoje për herë të parë te një njeri, i cili ishte duke vdekur, nuk është aspak gjë e lehtë, veçanërisht për evropianët apo amerikanët e rinj, të cilët akoma nuk kishin shikuar me sy njeri të vdiste.
Nënë Tereza edhe Papën e mori për dore
Papa Johan Pauli II -të kur erdhi në Kalkutë, ajo bëri të njëjtën gjë me të: Edhe Papën e mori për dore, e çoi te një njeri, i cili ishte duke vdekur dhe i tha: “At i Shenjtë, ju lutem shumë bekojeni këtë njeri.” (Holy Father, please blesh him).
Dhe, sot Nëna jonë e Madhe, edhe një herë përmes rrugës qiellore erdhi në mesin e shqiptarëve, Nganjëherë Nënë Terezën e akuzonin, se ajo nuk jepte “ndihmë për ndihmën për vetveten”. Gjëmshëm e akuzonin atë, se ajo u jepte të varfërve peshk, në vend që t’ua jepte grepin, për t’i mësuar se si peshkohet. Përgjigja e Nënë Terezës ishte: “Të varfrit e mi janë tepër të dobët, për ta mbajtur vetë grepin.” Pastaj ajo, duke na e shkelur syrin, shtoi: “... mirëpo, kur ata të jenë shëndoshur përsëri dhe do të jenë në gjendje ta mbajnë vetë grepin në duar, atëherë ata mund t’i mësojnë me gjithë dëshirë kritikët e tyre se si peshkohet!”
Njëherë, kur ne flisnim për atë, se a ishte e drejtë, që ajo e jepte ndihmesën e saj pa asnjë kundërshpërblim, Nënë Tereza mendoi: “Shumë njerëz thonë: “Nënë Tereza. Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim.” Mirëpo, neve nuk na llaston askush më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy tumirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai jua ka falur Juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, Ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim dielli. Unë njëherë i pata thënë një murgeshe: Ka shumë kongregata, të cilat i llastojnë të pasurit, prandaj dhe nuk është aspak dëm, nëse njëherë njëra i llaston edhe të varfrit.”
Shtëpia e murgeshave të saj në Zagreb nuk kishte shumë kohë që ishte ndërtuar, kur Nënë Tereza, në udhëtim e sipër nga Munihu, gjatë ndalimit të përkohshëm deshi t’i vizitonte murgeshat e saj. Jugosllavia e Titos ende nuk ishte shpërbërë, dhe sundimi komunist ende ishte i fuqishëm me të gjithë kontrollet dhe maltretimet e tij burokratike. Si zakonisht, etapa e ardhshme e udhëtimit tonë ende nuk ishte e planifikuar përfundimisht. Mbase rruga do të na çonte fillimisht në Varshavë. Kështu unë mëngjesin e ditës së udhëtimit tonë nga kodrina Kaptol, ku aso kohe ndodhej shtëpia e murgeshave, unë zbrita poshtë në çarshinë e qytetit, që në një agjenci udhëtimesh të blija dy bileta aeroplani për në Varshavë për mua dhe Nënë Terezën. Durimi nuk ishte njëri nga virtytet e mia dhe më kushtoi mua shumë mund, që të prisja në këmbë për një orë e gjysmë, derisa më në fund rreth orës dhjetë ia dola t’i marr biletat.
Sapo kisha mbërritur përsëri në Kaptol, më thirri Nënë Tereza dhe më tha: “At, më vjen shumë keq, mirëpo ne nuk do të udhëtojmë për në Varshavë. Duhet të kthemi përsëri në Munih. Të lutem, a mund të shohësh, nëse akoma mund t’i ndërrosh biletat?” Kështu unë zbrita përsëri në qytet, prita rishtas mbi 40 minuta në këmbë. Fill para mesditës mua më shkoi më në fund ndoresh, që t’i ndërroja biletat. Tani me dy biletat në dorë për në Munih unë u shfaqa rishtas në rezidencën e murgeshave, të cilat ishin duke u falur për mesditë.
Kur ato pas lutjes u kthyen nga faltorja, unë e takova eproren e tyre dhe i murmurita: “Çfarë pështjelli gjatë planifikimit, është vërtet e paparë!”
Ajo më tha buzagaz: “At, nuk e keni ditur, se ç’do të thotë në të vërtetë shkurtesa MC pas emrit tonë?”
“Jo, çfarë?”
Ajo ma sqaroi: “Jo vetëm Missionary of Charity – Misioni i Bamirësisë, por edhe confusion – pështjellim i madh!”
Baraspesha ime shpirtërore ishte kthyer përsëri deri-diku në saje të murgeshës me sens humori, ndërkohë kaloi aty pranë edhe Nënë Tereza dhe tha: “At, më vjen shumë keq, por prapëseprapë ne duhet të udhëtojmë për në Varshavë! A thua mund t’i ndryshojmë përsëri biletat?”
Përsëri unë duhej të zbrisja në qendër, të prisja në radhë, të lutesha dhe të kapërdija vërejtje shpotitëse. Ishte vërtet një mrekulli, që unë arrita të kthehem në kohë në orën 15.00 në rezidencën e murgeshave, për të vazhduar pastaj në aeroport. Aeroplani duhej të nisej fill pas orës 17.00. Unë njëkohësisht isha paksa krenar, që ia kisha dalë t’i ndërroja biletat, pa mos humbur para, por edhe paksa i nevrikosur për shkak të “pështjellimit të madh”.
Kur më në fund u ula pranë Nënë Terezës në aeroplan, nuk m’u durua pa i thënë asaj me ironi: “Nënë Terezë, sot e mësova, se ç’do të thotë në të vërtetë shkurtesa MC: jo ‘Missionary of Charity’, por ‘much confusion’ – pështjellim i madh.”
Me një buzëqeshje tepër sharmante Nënë Tereza u kthye kah unë dhe tha: “At, e di ti, se çfarë akoma do të thotë? Do të thotë edhe: more confusion, mental case, multiple cange ...”
Ajo përmendi edhe disa domethënie të tjera, të cilat nuk më kujtohen sot që të gjitha. Me një kapsallitje qysh asaj i kishte shkuar ndoresh që ta zbuste të gjithë zemërimin tim për organizimin e keq dhe planifikimin.
Nënë Tereza, me emrin qytetar Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, rridhte nga një familje katolike, me prejardhje shqiptare. Babai i saj, Nikollë (Kolë) Bojaxhiu, me origjinë ishte nga Prizreni dhe që nga viti 1900 jetonte në Shkup (aso kohe Üsküp), kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë. Këtu ai punonte si farmacist, pastaj si arkitekt, derisa u fut në biznesin e ndërtimtarisë të një miku të tij. Nëna e saj Drana kishte qenë 16 vjeçe kur ishte martuar, 18 vjet më e re se burri i saj. Në vitin 1905 lindi fëmija i tyre i parë, vajza Aga, tre vjet më vonë djali i tyre i parë, Lazari. Kurse pas dy vjetësh, më 26 gusht 1910, lindi vajza e tyre e dytë Anjeza.
Shkupi i mbipopulluar kryesisht nga shqiptarët
Katolikët, në Shkupin e atëhershëm, të mbipopulluar kryesisht nga popullataën shqiptare, i cili në vitin 1910 kishte gjithsej 47000 banorë dhe gjithashtu në të banonte edhe bashkësi e madhe ortodokse, ishin një pakicë e vogël, por tepër e vetëdijshme. Kryeqyteti i sotëm i Maqedonisë deri në Luftërat Ballkanike më vitin 1912 -të, ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, dhe pastaj ra nën sundimin serb. Meqë Nënë Tereza thuajse nuk mund të shihej kurrë nga një rrunzë në dorë, pikërisht këtu duhet kërkuar rrënjët e këtij pasioni për besimin fetar: Nëna Drana i merrte me vete fëmijët në meshën e mëngjesit dhe në mbrëmje së bashku me ta e këndonte lutjen e rruzareve. Edhe dimensionin social të besimit, Nënë Tereza e mësoi pikërisht këtu: Nëna e saj i vizitonte të sëmurët dhe skamnorët. Vetë familja jetonte në një mirëqenie të vogël, derisa vdiq babai në moshën 46 vjeçare. Kolë Bojaxhiu kishte shfaqur interesim për çështjet politike, angazhohej për të drejtat e shqiptarëve dhe u bë anëtar i këshillit të qytetit. Në vitin 1919 ai u kthye me dhimbje të tmerrshme barku nga një mbledhje në Beograd, u sistemua në një spital të Shkupit, ku dhe vdiq disa orë më vonë. Djali i tij Lazari ishte i bindur dhe thoshte vazhdimisht, se babai i tij ishte helmuar për shkaqe politike.
Fatkeqësisht, pas vdekjes së të atit familja pati kohë të vështira ekonomike. Nëna mundohej shumë me paskamje, që ta mbante gjallë familjen, duke punuar punë dore. Anjeza e braktisi shtëpinë me miratimin e nënës së saj në moshën 18 vjeçare, që si motra Tereza t’ia përkushtonte jetën e vet misionit në familjen e murgeshave Loreto. Nënën dhe motrën e saj, të cilat në vitin 1934 - të nga Shkupi u shpërngulën në Tiranë, që ajo nuk i pa më kurrë. Shqipëria komuniste nuk e la kurrë të udhëtonte Nënë Terezën me gjithë intervenimet e politikanëve pjesërisht të mëdhenj deri në përmbysjen politike të vendit. Shkupi nuk është vetëm në kuptimin biologjik qyteti i lindjes i Nënë Terezës, por edhe djepi i misionit të saj shpirtëror. Në vitin 1922, në moshën 12 vjeçare, Nënë Tereza në qytetin e saj të lindjes e kishte dëgjuar për herë të parë predikimin e jezuitëve kroatë, të cilët vepronin në Indi. Anjeza dhe motra e saj Aga, i përkisnin bashkësisë marianite të udhëhequr nga famullia jezuite Zemra e Krishtit. E gjithë kjo me siguri se ka lënë mbresa të pashlyeshme, sepse ajo sa ka rrojtur e ka mbajtur në zemër Krishtin.
Familjes së murgeshave Loreto në Dublin ajo i është bashkëngjitur me të vetmin qëllim, që të shërbente si misionare në Indi. Ky urdhër ishte themeluar në vitin 1922 në Rathfarnham të Frances Mary Teresa Ball (1794-1861) si dega irlandeze e murgeshave Maria-Ward. Në mbarim të vitit 1928 ajo me të vërtetë mbërriti në Indi si murgeshë e pashuguruar e familjes së murgeshave Loreto, iu përkushtua e tëra këtij vendi, e mësoi gjuhën bengaleze dhe pak a shumë atë hindu. Njëherë një gazetar indian i pat thënë asaj: “Nënë Terezë, ju nuk jeni aspak një indiane e lindur, por një indiane e nacionalizuar.” Nënë Rereza i qe përgjigjur: “Unë jam më shumë indiane se sa ju. Unë kam vendosur të jem indiane. Ju nuk keni pasur zgjedhje tjetër.”
Simboli i dashurisë krishtere
Për të gjithë botën Nënë Tereza është bërë simbol i dashurisë së krishterë dhe e dhembshurisë. Emri i saj thuajse është sinonim për përkujdesjen gjithë dashamirësi dhe dhembshuri për më të varfrit e njerëzimit. Shumë njerëz e kanë pyetur vazhdimisht veten, se nga se përbëhej bërthama e brendshme e fshehtësisë së Nënës Terezë. Të gjithë ata, të cilët e njihnin atë mirë, ishin të një mendimi, se eukaristia - në meshën e shenjtë dhe në lutje – ka luajtur një rol tepër të veçantë për Nënë Terezën.
Përkujedesi: Nënë Tereza, veprimin ia kushtonte çdo mysafiri, çdo vizitori dhe çdo bashkëbiseduesi, reflektohej në murgeshat e saj. Një shembull, i cili më impresionoi mua: Në aeroportin e Nju Delhit unë duhej të prisja disa orë, ngaqë aeroplani për në Kalkutë kishte më shumë se tetë orë vonesë. Në mesin e njerëzve që prisnin mua më ra në sy një murgeshë japoneze, e cila rrinte e përlotur aty ulur dhe dukej tepër e vetmuar. Unë e pyeta atë, se çfarë problemesh ajo kishte dhe doli, se atë e prisnin në Kalkutë aty nga ora katër e pasdites, mirëpo jo – si tani për shkak të vonesës së aeroplanit – në orën dy të mëngjesit. Ajo tani nuk kishte asnjeri, i cili do ta priste atë në Kalkutë, dhe ajo nuk e dinte se çfarë do të bënte fillikat e vetëm në aeroportin e Kalkutës. Unë i premtova asaj se do ta ndihmoja, pa e ditur as vetë se si. Kur zbritëm në aeroportin e Kalkutës, unë i ndihmova asaj, që t’u shpëtonte qindra fëmijëve, të cilët edhe në orën dy të mëngjesit e rrethojnë çdo vizitor, që të paktën të fitojnë ndonjë bakshish të vogël. Një vozitës taksie na siguroi, se ai e dinte me saktësi, ku ndodhej manastiri, të cilin e kërkonte murgesha japoneze dhe se ai mund të na çonte atje. Mirëpo, sa hipëm ne në taksi, ai nuk e kishte më idenë. Meqë unë kisha qenë njëherë në këtë bashkësi murgjish, të paktën, m’u kujtua vagullt, se në cilën pjesë të Kalkutës ajo ndodhej. Kështu ne lajthitëm deri në orën tre e gjysmë përmes rrugëve të Kalkutës, derisa ne më në fund e gjetëm rastësisht hyrjen në manastir. Trokitjes tonë të fuqishme të portës, fillimisht nuk iu përgjigj askush. Pastaj, pas 20 minutash, ne dëgjuam hapa kërcëllitës, të cilët i afroheshin portës. Jo, tha një zë matanë portës, tani ne nuk mund ta hapim assesi. Duhej të ktheheshim përsëri pas agimit, do të thotë pas tre orësh. Ku mund ta sistemoja unë tani motrën japoneze? Te streha e jezuitëve, ku banoja vetë kur isha në Kalkutë, nuk mund ta merrja assesi. Kështu ne shkuam në “Shtëpinë për fëmijët”, Shishu Bhavan, të cilën e udhëheqin murgeshat e Nënë Terezës. Vetë i lodhur dhe i rraskapitur, mendova me vete rrugës: Nëse ata na refuzojnë, atëherë besimi im në këtë kongregatë ka marrë fund.
Guximi i Nënë Terezës
Guximi i Nënë Terezës jo vetëm që më mahniste mua gjithmonë, por, me sa dukej, ai ishte edhe virtyti i saj më i lartë dhe tipari i vërtetë i karakterit të saj. Lidhur me këtë shërben si ilustrim shembulli në vazhdim: Kur unë akoma isha mësues te familja e murgeshave Loreto në Kalkuta, ajo njëherë paska dalë shëtitje në një livadh të madh me nxënëset e saj; papritmas ka ardhur vrap, duke turfulluar një dem. Nxënëset ia kanë mbathur menjëherë duke bërtitur nga frika, kurse demi iu është vënë pas. Në këtë rast Nënë Tereza ka marrë një çadër të kuqe, e ka hapur atë dhe i ka dalë përpara demit. Siç thuhet, demi qenka hutuar fare, sa ka ndaluar dhe është kthyer mbrapsht. Ndoshta kjo është veç një legjendë, mirëpo nga ana tjetër nuk do të kishte mundur të thurej asnjë legjendë, nëse demi do të kishte vepruar ndryshe.
Qysh nga fillesa e tij kongregacioni i themeluar nga Nënë Tereza ishte rritur bukur shumë. Gjatë viteve të para të ekzistimit të tij të varfrit e të varfërve, për të cilët kujdeseshin Misionaret e Bamirësisë, ishin kryesisht materialisht të varfër: Pas pavarësisë dhe ndarjen e lidhur me këtë të Indisë në vitin 1947 miliona refugjatë e kishin kthyer Kalkutën në një qytet të mjerimit njerëzor.
Afërsisht, dhjetë milionë hindusë dhe sikhë ishin dëbuar aso kohe nga Republika Islamike e sapo themeluar e Pakistanit, rreth shtatë milionë myslimanë nga India. Afërisht një milion njerëz vdiqën gjatë këtyre dramave të dëbimit. Qysh në vitin 1947 shpërtheu lufta e parë midis Indisë dhe Pakistanit. India rrëshqiste nga një situatë urie të madhe në tjetrën, kurse mjerimi njerëzor u bë i paparë.
Mjerimi që nuk ndihmohej dot me një pjatë oriz
Megjithatë, shumë shpejt Nënë Tereza e pa realitetin, se edhe në vendet me mirëqenie kishte probleme ekonomike dhe, për më tepër, një mjerim shumë më pak të dukshëm: një mjerim, që nuk mund ta ndihmojë dot: me një pjatë oriz. “Kur dikush është i vetmuar apo i braktisur, pa punë apo i padëshiruar, i keqtrajtuar dhe një fundërrinë e shoqërisë”, kështu thoshte ajo shpesh, “atëherë kjo është një formë mjerimi, të cilën e ke shumë më të vështirë për ta shmangur se sa urinë. Ky mjerim gjendet edhe në vendet më të pasura të rruzullit.” Prandaj Nënë Tereza i dërgoi murgeshat e veta në shumë qytete të mëdha të botës perëndimore, si për shembull në Romë, Londër, Nju Jork dhe Vjenë.
Mirëpo, nuk i shpëtonte dot vëmendjes së saj, që krahas këtyre dy formave të mjerimit kishte edhe një formë të tretë, në të vërtetë, mjerimi shpirtëror, i cili arrin më thellë se uria dhe vetmia: Ky mjerim shpirtëror gjendet në njeriu pa Zot, në njerëzit, të cilët nuk kanë besim, ose më mirë thënë, nuk e kanë shpesh mundësinë, që të dëgjojnë për besimin ose ta praktikojnë atë lirshëm.
Ndikimin, të cilin e kishte dhe e ka edhe sot e kësaj dite Nënë Tereza mbi shumë njerëz, mund të ilustrohet shumë bukur me anë të një historie, të cilën ma ka rrëfyer mua një prift i familjes së saj të murgjve. Fill pasi Nënë Tereza e kishte marrë Çmimin Nobël, ajo ishte pritur në San Francisko dhe ishte nderuar me çelësin simbolik të qytetit. Ceremonia ishte emetuar thuajse nga të gjitha radiostacionet e qytetit. Një djalosh i ri, i cili ishte pleksur keqas në tregtinë e drogës dhe armëve, voziste në autostradë dhe dëgjonte muzikë. Kur filloi emetimi i ceremonisë, ai kërkoi se mos gjente ndonjë stacion tjetër me muzikë, mirëpo të gjitha radiostacionet e emetonin në këtë moment fjalimin e Nënës Terezë. Ai ishte i frustruar, që në vend të muzikës të dëgjonte një fjalim, megjithatë vendosi të priste, derisa të mbaronte ceremonia në fjalë. Pasi që ai e kishte dëgjuar disa minuta padëshirë Nënë Terezën, papritmas ai filloi të qante. Edhe atë aq shumë, sa u detyrua ta ndalte veturën përskaj rrugës. Vetëm atëherë kur mbaroi emetimi, ai mund të voziste tutje. Nga një kabinë telefoni ai iu lajmërua njërit nga radiostacionet, për të pyetur, se kush kishte qenë ajo. Ata i thanë: “Ishte Nënë Tereza.” Ai e kërkoi dhe e gjeti adresën e shtëpisë së sapothemeluar të murgeshave në San Francisko, ku dhe u informua nga murgeshat, se në Nju Jork kishte një bashkësi burrash të së njëjtës familje të murgjve. Kështu, ai shkoi te “MC-priftërinjtë” në Nju Jork, për të bërë atje ushtrime shpirtërore. Ai u rrëfye për herë të parë pas shumë vitesh dhe filloi një jetë krejtësisht të re.
Nënë Tereza mes tri shesheve erdhi në Atdheun e të parëve
Nënë Tereza jonë mes sheshit: në Tiranë, Prishtinë e Shkup erdhi më në fund në vendlindje. Atdhe, si shenjëtore, plot dashuri e mall për popullin që e lindi, e nxorri në dritë t’i ndihmojë njerëzimit. Shtëpinë e lindjes përsëri e ka në Shkup, ku me mijëra miq nga e gjithe bota si dikur i trokasin në derë. Komuna e Çairit në Shkup me emrin e saj “Nënë Tereza” e pagëzoi Spitalin e Gjinekologjisë, që edhe sot si dje me mijëra shqiptarë të pastër vijnë për herë të parë në jetë. Prishtina, ia ndërtoi edhe një shtëpi të Zotit, Katedralen ballë për ballë me Tempullin e diturisë - Universitetin e Kosovës, ky hyjnë e dalin me mijëra studentë me buzëqeshje e libra në duar. Tirana, nisi Javën e aktiviteteve për 100 - vjetorin e bamirëses shqiptare, që nis në Durrës me një kocert Gala të këngëtarëve lirikë shqiptarë që vijnë nga vende të ndryshme të botës për këtë rast madhështor. Në vazhdim të javës me kulm 26 gushtin, ditëlindjen e Nënës Terezë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare hapet ekspozita “Dymbëdhjetë shenjtorët”, ku do të paraqiten vepra për Nënë Terezën dhe për figura të tjerë të fesë së krishterë që kanë lidhje me botën shqiptare, të shpallur shenjtorë nga Selia e Shenjtë. Në ambiente të hapura do të shfaqen filma dokumentarë. Më 26 gusht në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, me foto dhe objekte të saj. Po këtë ditë, Teatri i Operës dhe Baletit organizon koncertin “Rruga e jetës sime”. Dhe, në fund Projektin Memorial të sajin në Tiranë.
Edhe kësaj radhe në mision të Zotit për njerëzimin. Vetëm se, jo si dikur nëpër tokë e rrugëve ajërore, po një rruge tjetër, qiellore. Rrugës së cilës ecin yjet, hëna dhe dielli...
Literatura e shfrytëzuaar:
Leo Marsburg: NËNA TEREZË, botoi Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës, Shkup, 2010 .
Shtëpia përkujtimore e Nënës Terezë: Shkup, Rpublika e Maqedonisë, 2011.
(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku, shkrimtar).