Ndërlidhja në mes të elementeve kulturore, historike dhe simbolike

Kultura

Ndërlidhja në mes të elementeve kulturore, historike dhe simbolike

Nga: Prof. Dr. Hivzi Muharremi Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 20:27
Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Fatmir Krypa i takon brezit të vjetër të krijuesve figurativ, brez i cili ka luajtur rol parësor në zhvillimin e arteve pamore në Kosovë, brez i cili padyshim, ishte bazament i zhvillimit të të gjitha vokacioneve artistike në Kosovë. Është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive si në Kosovë po ashtu edhe në qendra të ndryshme evropiane, si dhe të atyre personale. Është laureat i shumë shpërblimeve dhe themelues i Departamentit të grafikës në Fakultetin e Arteve.

Fletëgrafikat e Fatmir Krypës të ekspozuara në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve paraqesin një ndërthurje të thellë të elementeve kulturore, historike dhe simbolike. Çdo punim është një shprehje artistike unike që pasqyron temat e identitetit kombëtar, rezistencës dhe lidhjes me natyrën dhe historinë. Pra, autori në këtë ekspozitë prezantohet me opus të fletëgrafikave: “Trungu i lashtë Ilir”, 2018, “Bashkimi i trungut Ilir”, 2018, “Shkëmbinjtë e bashkuar”, 2018, si dhe me fletëgrafikat më të vonshme të krijimtarisë së tij artistike të realizuara në ciklin e veprave të “Shkëmbinjve”, 2024., “Zogu në kërkim të folesë”, “Zogjët në kërkim të folesë”, Malësori dhe qëndresa”, “Covid 19”, “Kulla Came e braktisur”, 2020 etj. Në fletëgrafikat e ciklit “Trungu Ilir, Fatmir Krypa kryesisht ishte i frymëzuar nga historia e lashtë të periudhës ilire, të stërgjyshërve tanë me një kulturë dhe qytetërim të theksuar si dhe me vepra të shumta nga qeramika që u zbuluan në lokalitete të shumta ku jetuan dhe vepruan Ilirët. Këto vepra të antikitetit ilir padyshim që për shumë breza artistesh dhe në përgjithesi ishte dhe është një trashëgimi shumë e bujshme të artit në përgjithësi. Pra, tek grafisti Prof. Fatmir Krypa shpërfaq dhe mbizotëron lidhja me natyrën dhe historinë Ilire: Në grafikën “Trungu i lashtë ilir”, akuatintë me ngjyrë, Krypa e realizon në sfondin hapësiror të trungut degëzimet e pemës apo të pemëve që dominojnë në pjesën e poshtme dhe të lartë të kompozimit ku në mënyrë maestrale autori e përfiton strukturën e raporteve koloristike me ato të formës. Në ketë dikitomi: ngjyrë-formë autori e përfiton dhe e vë në spikamë një pemë të thatë me një strukturë të ndërthurur, duke simbolizuar rrënjët e thella të historisë shqiptare. Pemët e gjalla dhe degët e ndërthurura mund të interpretohen si një aluzion ndaj kompleksitetit të identitetit kombëtar dhe mbijetesës përmes epokave të ndryshme historike.

Titulli i grafikës, “Shkëmbi krenar”, akuatintë me ngjyrë, 2021, përforcon idenë e krenarisë kombëtare përmes simbolikës së shkëmbit si një element natyror që përfaqëson stabilitetin dhe forcën.

Malësorët janë imazhe që trajtohen si tërësi me një ngërthim më të theksuar të qëndrueshmërisë së tyre ndaj rrebesheve kohore. Përkimi me traditën dhe qëndrueshmërinë e tyre stoike përballë fortunave më të furishme historike, por gjithnjë duke ruajtur identitetin kombëtar duke ruajtur e vazhduar çiltërinë e ndërgjegjës, ngritjen qytetare, e cila është vazhdimisht evolutive në jetën praktike, duke kundruar në emancipimin e tij personal dhe breznive të ardhshme.

Malësorit i interesojnë ndodhitë kohore ose ngjarjet ditore, ai paraqitet pranë imazheve ditore duke i vrojtuar. “Malësor dhe qëndresa” paraqet një qëndresë krenare, me obsidim nga një përspektivë, e cila depërton në thellësinë shkëmbore të prapavisë kompozicionale ku pasqyron një thepisje shkëmbore, me forma të nduarnduarta e që në esencë reflekton jetën kalvariane shumë shekullore që kombi shqiptar i përjetoj gjatë periudhave të ndryshme historike. Autori i trajton këtu dy struktura, të cilat janë më tepër të imponueshme, strukturën e shallit dhe të linjave, e cila si element figurativ në grafikë është shumë e ndjeshme, strukturale, për ta ravijëzuar formën dhe plasticitetin e materies.

Struktura vizuale e fletë grafikave përfshin detaje të holla dhe të përpunuara, që evokojnë ndjesi të thella tek shikuesi. Për shembull, në grafikën “Malësori dhe Qëndresa”, figura e burrit me shall të bardhë vihet në kontrast me sfondin e gurëve dhe ndërtesave tradicionale, duke nënvizuar marrëdhënien mes individit dhe mjedisit kulturor. Prof. Fatmir Krypa realizon elemente simbolike për të përçuar mesazhe të fuqishme lidhur me historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar. Çdo grafikë përmban një histori vizuale që lidhet me tematika të rëndësishme si: Rezistenca dhe Qëndresa. Në grafikën “Malësori dhe qëndresa”, figura e burrit simbolizon njeriun shqiptar të lidhur ngushtë me traditën dhe qëndresën përballë sfidave historike. Gurët dhe strukturat e sfondit shërbejnë si metaforë për qëndrueshmërinë dhe rezistencën kulturore. Ndërkaq, figura njerëzore përfaqëson shqiptarët e zonave rurale, që gjithmonë kanë qenë mbrojtës të traditës dhe vlerave kombëtare. Gurët dhe ndërtesat që përfshihen në kompozimet e Krypës evokojnë periudhat e historisë, duke krijuar një urë mes të kaluarës dhe të tashmes.

Gjithashtu në ekspozitë spikasin edhe veprat nga cikli “Covid 19 – i frikshëm”, akuatintë bakërshkrim 2020. Këto fletëgrafika padyshim, janë një rikujtesë për një periudhë gjithëpërfshirëse të Globit botëror ku pjesa dërmuese e populatës njerëzore anë e mbanë rruzullit tokësor e kanë përjetuar si në aspektin e frikës poashtu edhe në atë mortor. Veprat spikasin për nga struktura koloristike, per nga sfondi i mbyllët të ngjyrës së zezë, ngjyrë simbolike e mortit e deri të deformimet anatomike sidomos në pjesën e gjoksit si transformim anatomik i formës së skeletit. Gjithashtu ato spikasin një sublimim të jetës, ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe ndodhin rreth nesh. Ato nuk mund të përshkruhen me fjalë, por artisti i mediton në mënyrë kreative dhe i shpërfaqë ngjarjen aktuale në vend dhe në botë.

Me pasion të madh autori i ka realizuar edhe flegrafikat e ciklit “Kullat e braktisura Çame”, akuatintë me ngjyrë, 2020, të cilat flasin për një histori të bujshme të shqiptarëve autokton të viseve çame. Ato edhepse kanë mbetur në rrënoja dhe të shkatërruar flasin dhe janë simbol i një qëndrese shekullore për vendin e tyre stërgjyshoror. Struktura koloristike e këtyre veprave janë raportet kontrastive të ngjyrave intensive dhe implementimi i dritës e cila i jap akoma më shumë gjallëri dhe qëndrueshmëri autoktonësisë shqiptare. Autori këto ngjarje i ka shënuar në veprat e grafikës.

Fletëgrafikat e paraqitur karakterizohen nga një përdorim i avancuar i teknikave të akuatintes dhe bakërshkrimit. Në këto vepra, Krypa arrin të krijojë një balancë të fortë mes detajeve teksturale dhe efektit dramatik që përcillet përmes kontrastit të ngjyrave. Në punimet e Krypës dominojnë tonet e errëta dhe të ngrohta, të cilat krijojnë një ndjesi të përhershmërisë dhe kujtesës historike. Përdorimi i hijeve dhe ndriçimeve thekson kontrastin midis natyrës dhe figurave të përzgjedhura, duke ndërtuar një atmosferë dramatike dhe introspektive.

Grafikët nuk janë thjesht kompozime estetike; ato mbartin një rëndësi të veçantë për kontekstin historik dhe kulturor shqiptar. Në këtë mënyrë, Fatmir Krypa u jep formë dhe jetë rrëfimeve historike, duke theksuar lidhjen e pandashme midis individit dhe mjedisit të tij kulturor.

Veprat e Fatmir Krypës përfaqësojnë një arritje të veçantë artistike dhe kulturore. Përmes një ndërthurjeje të hollë të teknikave të bakërshkrimit dhe akuatinteve me ngjyrë, ai arrin të krijojë një narrativë të fuqishme që lidh të kaluarën me të tashmen. Simbolika dhe teknikat e tij e vendosin këtë ekspozitë si një kontribut të rëndësishëm në artin bashkëkohor shqiptar, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe identitetit kombëtar. Ato jo vetëm që pasqyrojnë aftësitë e Krypës si artist, por gjithashtu shërbejnë si një thirrje për reflektim të thellë mbi historinë dhe kulturën shqiptare.

Fletëgrafikat e këtij stili ngërthejnë elementet e frymës moderne si në trajtimin e formës poashtu edhe të vetë strukturës së ngjyrës e cila përmes elemeneteve kontrastive dhe thyerjës së formave kompozicionale asocon në rrjedhat sfiduese që ky popull autokton i këtyre trevave ka kaluar dhe përjetuar çastet më të vështira jetësore por, gjithnjë ka përballuar dhe e ka ruajtur identitetin e vet kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat