Prof. Hil Ndrecaj mësuesi i Gjuhës Shqipe dhe udhërrëfyesi i brezave të shumtë shkollorë të qytetit të Klinës

Kultura

Prof. Hil Ndrecaj mësuesi i Gjuhës Shqipe dhe udhërrëfyesi i brezave të shumtë shkollorë të qytetit të Klinës

Nga: Lekë Mrijaj Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 15:26
Prof. Hil Ndrecaj

Fillimi i karrierës dhe formimi pedagogjik i Prof. Hil Ndrecaj, një prej emrave më të lakuar e respektuar të arsimit shqip në Klinë, përbën një histori të ndritur. Ai ka qenë mësuesi im i gjuhës shqipe nga viti 1979 deri më 1982 në shkollën fillore të Klinës, që atëherë mbante emrin Vuk Karaxhiq ndërsa sot, kjo shkollë e qytetit nderohet me përkushtim me emrin e martirit të kombit, Ismet Rraci.

Prof. Hil Ndrecaj vjen nga fshati im i lindjes, Zllakuqani, dhe kjo bashkësi vendlindjeje ka forcuar ndër vite marrëdhëniet tona, të cilat sot janë të mbështetura mbi vlerat e miqësisë dhe shoqërisë. Për ne bashkëfshatarët e tij, ai është një figurë e jashtëzakonshme, jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si një njeri i përkushtuar ndaj vendit, komunitetit dhe kulturës sonë kombëtare.

I diplomuar në Fakultetin Filologjik për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Prof. Hili e nisi rrugëtimin e tij profesional në vitin 1977 në shkollën fillore "Nënë Tereza" (dikur “Liria”) në Budisalc të Klinës. Vetëm pas një viti, në fund të vitit 1978, ai u transferua në shkollën e qytetit të Klinës, ku u bë shpejt i njohur për përkushtimin dhe përgatitjen e tij të shkëlqyer.

Prof. Hili nuk ishte vetëm një mësues; ai ishte një udhërrëfyes dhe frymëzues i brezave të shumtë. Për më shumë se katër dekada, ai dha kontributin e tij të pashoq për të ofruar jo vetëm mësime mbi gjuhën shqipe, por edhe vlera të thella kombëtare, kulturore dhe njerëzore. Orët e tij të gjuhës shqipe ishin një shembull i edukimit modern dhe të ndërgjegjshëm, ku gjuha shqipe jepte jetë dhe çdo temë e saj trajtohej me një dashuri të veçantë për artin dhe dijen. Përmes punës së tij, ai edukonte nxënësit të mendonin në mënyrë kritike, të angazhoheshin me përkushtim dhe të ruanin krenarinë kombëtare, kulturore dhe tradicionale.

Gjatë viteve të vështira të segregacionit, pra në vitet ''90-ta te okupimit serb, prof. Hili, ishte një simbol i qëndresës dhe i përkushtimit. Përkundër presioneve të shumta dhe mungesës së pagave, ai vazhdoi të përmbushte misionin e tij të shenjtë, duke ruajtur arsimin shqip si një akt rezistence dhe mbrojtjeje të identitetit kombëtar. Mësimet e tij nuk ishin thjesht leksione mbi gjuhën, por mbi dinjitetin dhe forcën e shpirtit kombëtar.

Në vitet e errëta të luftës në Kosovë, kur spastrimi etnik dhe dhuna arritën kulmin, prof. Hili, si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë, u detyrua të largohej dhunshëm nga vendlindja. Ai dhe familja e tij gjetën strehim në Shkodër, ku për tre muaj ai vazhdoi misionin e tij si mësimdhënës në Shkollën e Mesme “Petro Nini Luarasi.”

Pavarësisht nga sfidat e shumta, prof. Hili nuk reshti kurrë së kontribuuari për edukimin e brezave. Ai mbeti një model frymëzimi dhe përkushtimi për nxënësit dhe kolegët e tij, duke treguar se pasioni dhe përkushtimi ndaj arsimit janë më të fortë se çdo pengesë.

Trashëgimia e tij jeton në brezat që ai ka edukuar. Ish-nxënësit e tij, sot profesionistë të suksesshëm në fusha të ndryshme, ruajnë me krenari vlerat dhe dijet që ai mbolli. Ndikimi i tij nuk kufizohet te individët; ai përfshin forcimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar në kohë të vështira.

Si një bashkëvendës nga Zllakuqani, ndihem krenar për prof. Hil Ndrecajn dhe për vlerat e jashtëzakonshme që ai ka përçuar brezave. Miqësia dhe respekti që kemi ndërtuar ndër vite më ka mundësuar ta njoh edhe më thellë, duke vlerësuar jo vetëm përkushtimin e tij profesional, por edhe karakterin e tij të ndritur dhe të përkushtuar.

Sot, në pension, Prof. Hili vazhdon të jetë një figurë e respektuar dhe e dashur për ish-nxënësit, kolegët dhe komunitetin e gjerë. Për të gjithë ne, ai mbetet një simbol i dijes, i përkushtimit dhe i vlerave më të larta njerëzore.

Profesor i nderuar, ju nuk ishit vetëm një mësues; ju ishit një udhërrëfyes, një frymëzim dhe një mbrojtës i palodhur i vlerave tona kombëtare. Për gjithçka që na keni dhënë, ju falënderojmë nga zemra dhe ju urojmë vite të lumtura e të begata përpara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat