Përurohet në Preshevë libri “Shkrimtari për shkrimtarë”

Kultura

Përurohet në Preshevë libri “Shkrimtari për shkrimtarë”

Nga: Sevdail Hyseni Më: 29 dhjetor 2024 Në ora: 09:33
Foto gjatë përurimit të librit

Të shtunën e 28 dhjetorit, në Bibliotekën “Mehmet Jusufi” në Preshevë, u përurua libri “Shkrimtari për shkrimtarë”, i autorit Hysen Këqiku, dedikuar krijuesve të Luginës së Preshevës, në periudha të ndryshem të veprimtarisë së tyre letrare.

Në këtë përurim libri, merrnin pjesë përfaqësuesë të jetës kultutore dhe arsimore nga Gjilani, Kumanova, Presheva e Bujanoci me rrethinë, si dhe adhurues së fjalës së shkruar artistike.

Përurimin e librit të autorit Hysen Këqiku e konsideroi të hapur shkrimtari nga Presheva, Bilall Maliqi, i cili njëherit është edhe redaktor i librit, duke u fokusuar në rolin dhe rëndësinë e kësaj vepre shumdimensionale, brenda kopertinave të së cilës kanë zënë vend me dhjtra shkrimtarë ngë Lugina e Presheves.

Më pas fjalën e mori kryetari i Shkrimtarëve “Feniksi” nga Presheva, Avni Shaqiri, i cili tha midis tjerash se libri i Hysen Këqikut, është një ftesë për të njohur më nga afër një pasuri të pazbuluar të kulturës shqiptare dhe për të reflektuar mbi rolin e artit në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ndërsa recensenti i librit Sevdail Hyseni, shtoi se Libri “Shkrimtari për shkrimtarët” i autorit Hysen Këqiku, është një vepër monumentale që i kushtohet krijuesve letrarë të rajonit të Luginës së Preshevës, që ne me kënaqësi dhe admirim e quajmë Kosova Lindore.

Gjithashtu, recensenti Sevdail Hyseni, theksoi se autori në këtë libër, jo vetëm që bën një përmbledhje të jetës dhe veprës së autorëve të këtij rajonit, por, gjithashtu, nënvizon fuqinë e artit letrar si një akt rezistence dhe shprese në kushte të pafavorshme. Ai, sjell në sipërfaqe një panoramë të pasur të tematikave, motiveve dhe stileve që kanë karakterizuar krijimtarinë letrare të kësaj krahine shqiptare, duke i dhënë lexuesit një perspektivë të qartë mbi vlerat dhe rëndësinë e saj.

Në diskutimi u përfshinë edhe Xhemaledin Salihu, Selver Bekteshi dhe Xhavit Selmani.

Më pas fjalën përshëndetëse e mori autorit libri “Shkrimtari për shkrimtarë”, drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Kurora” nga Gjilani, shkrimtarit dhe kritikut letrar, Hysen Këqiku, i cili shprehet me bindje të thellë se letërsia e krijuar në Luginën e Preshevës, nuk është aspak e shkëputur nga konteksti i gjerë i letrave shqipe, por është një pjesë organike dhe e çmuar e këtij thesari. Ajo bart të njëjtat vlera universale që karakterizojnë letërsinë shqipe kudo ku ajo është krijuar.

Në pjesën e dytë të përurimit të librit u zhvillua edhe një orë letrare, gjatë të cilës poezitë e tyre i lexuan: Havushe Ahmeti, Avni Shaqiri, Nehat Ramizi, Hysen Këqiku, Valbona Hasani, Avni Shaqiri, Bilall Maliqi, Elton Mehmeti dhe Maida Salihu.

Në fund autori, Hysen Këqiku, në shenjë respekti, të pranishmëve dhe Bibliotekës së Qytetit i dhuroi kopje librash nga botimi i tij i fundit.

Me këtë aktivitet Shoqata e Shkrimtarëve. “Feniks”, përmbylli me sukses aktivitetet e veta për vitin 2024, duke uruar festat e fundvitit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat