Poema Kupe Dane-Jakup Ramadani e artikuluar nga filozofi, shkrimtari, poeti dhe kritiku letrar shqiptar, si dhe ish-i burgosuri politik në Shqipëri, Arshi Pipa, është një poemë epike monumentale e testamentale dhe një mesazh i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Arshi Pipa pas një meditimi të thellë gjatë dhjetë viteve të tij në burgun e regjimit totalitar komunist enverian (1946–1956), ky poet ka vargëzuar poemen apo këngën, të interpretuar si një thirrje për nder, sakrificë dhe dashuri për lirinë, duke e shndërruar atë në një hymn monumental pavdekësie për periudhën heroike të historisë sonë kombëtare.
Poema e Arshi Pipës është e kënduar nga rapsodi i folklorit Gjovalin Shani, i cili përmes zërit e tij si të bilbilit përçon mesazhe të thella kombëtare, tradicionale, njerëzore dhe kulturore, duke pasqyruar ndërthurjen e nderit, sakrificës dhe dashurisë për lirinë, dhe duke u shndërruar në një simfoni të shprehur me pasion dhe frymëzim kombëtar. Pra, edhe në këtë interpretim të tij-Gjovalin Shanit e shohim Kupe Danen i cili na sjell një ngjarje historike të ndodhur në Shkodër, një qytet që ka qenë gjithmonë një simbol i kulturës, harmonisë fetare dhe aristokracisë shqiptare. Shkodra, me kalanë e Rozafës dhe rrjedhën e Bunës dhe Drinit si sfond, përfaqëson një truall të shenjtë, ku bashkëjetesa mes katolikëve dhe myslimanëve ka qenë një shembull i veçantë i unitetit kombëtar dhe fetar. Kënga në fjalë, e interpretuar shkëlqyeshëm nga rapsodi, na sjell në vëmendje këtë harmoni dhe bashkim, të cilët kanë qenë shtyllat e forta të kombit shqiptar.
Në këtë qytet-Shkodër, i cili ka mbrojtur vlerat e besimit, kulturës dhe nderit, shpërthen historia e Kupe Danes-Jakup Ramadani. Ky akt heroik, i ndodhur menjëherë pas daljes nga tempulli sakral—xhamia, përfaqëson vendosmërinë për të mbrojtur jo vetëm vlerat njerëzore, por edhe identitetin kombëtar. Kupe Dane vepron pa hezitim për të mbrojtur një malësore shqiptare (e cila, sipas disa versioneve shkencore, ishte murgeshë e Kishës Katolike shënimi im L.M.), duke e parë atë si një motër tipike shqiptare, dhe jo sipas ngjyrimeve fetare.
Ky akt guximtar i tij i cili edhe ngre armën e tij kundër abuzuesve mesjetar osmanë, duke shndërruar veprimin e tij në një simbol të rezistencës ndaj shtypjes. Veprimi i Kupe Danes, i cili përfundon me ndëshkimin e tij dhe djegien e shtëpisë, pasqyron një sakrificë të madhe për drejtësinë dhe lirinë e vëllezërve të tij katolikë shqiptarë. Kupeja bëhet një shembull frymëzues për gjithë kombin, duke treguar se lufta për drejtësi nuk njeh kufij.
Kënga Kupe Dane nuk është vetëm një rrëfim historik, por një thirrje për të ruajtur dhe çmuar identitetin tonë kombëtar. Njëkohësisht veq tjerash është një falënderim për ata burra dhe gra që nuk heshtën përballë padrejtësisë dhe një mesazh që i fton shqiptarët të qëndrojnë krenarë për trashëgiminë e tyre kulturore dhe historike.
Figura e Kupe Danes-Jakup Ramadani është një model frymëzues për çdo brez. Ai na mëson se nderi, guximi dhe bashkimi janë vlera të pacenueshme, dhe historia jonë kombëtare është ndërtuar mbi sakrifica të tilla.
Krejt në fund, me këto fjalë e përmbledh opinionin tim duke thënë se: Falë mjeshtërisë së poeti, filozofit Arshi Pipës ish i burgosur në kazamatet enveriste dhe interpretimit të shkëlqyer të Gjovalin Shanit, historia e Kupe Danes nuk do të shuhet asnjëherë, pra, do të mbetet një kryevepër kulturore dhe historike, e cila vazhdon të frymëzojë shqiptarët për të mbrojtur drejtësinë dhe nderin. Kupe Dane meriton një shtatore jo vetëm në Shkodër, por në çdo qytet shqiptar, si një kujtim i pavdekshëm i heroizmit dhe trashëgimisë së tij.
Lavdi heroizmit të Kupe Danes dhe trashëgimisë së tij të pavdekshme!