I lindur si djali i një marangoz, Alexander e kaloi rininë e tij si një djalë rebel në rrugët e Skocisë, derisa familja e dërgoi në një anije për t'u qetësuar. Ai ishte detar dhe pirat për gati dhjetë vjet, para se të bëhej pjesë e ekuipazhit të anijeve të rëndësishme shtetërore të Mbretërisë së Bashkuar.
Konflikti midis kapitenit dhe detarit
Në vitin 1703, ai iu bashkua anijes së Thomas Stradling dhe u nis në një udhëtim të madh. Gjatë lundrimit në Paqësor, Stradling dhe Selkirk patën disa mosmarrëveshje. Selkirk vazhdimisht i ankohej kapitenit se ai nuk i kushtonte vëmendje të mjaftueshme sigurisë së anijes, duke rrezikuar kështu jetën e ekuipazhit.
Mosmarrëveshjet e tyre arritën kulmin gjatë një ndalese në ishullin Mas a Tierra, kur Stradling hodhi gjërat e Selkirkut në breg të ishullit. Selkirk, që më parë kishte kërcënuar se do të qëndronte në ishull, mbeti aty. Të nesërmen, anija vazhdoi rrugëtimin përgjatë Paqësorit, ndërsa Selkirk mbeti vetëm në ishull.
Mbijetesa në ishull
Jeta e një njeriu të civilizuar në një ishull të largët nuk ishte aspak e lehtë. Ditët e para, ai ushqehej me guaska dhe ato që mund të gjente nga frytet e natyrës. Më vonë, luanët e detit e çuan në brendësi të ishullit, ku gjeti një burim uji të pijshëm, por edhe dhi të egra, të cilat ishin sjellë aty nga vizitorë të mëparshëm.
Në ishull ai qëndroi për katër vjet e katër muaj. Dy herë pa anije që ndalonin në ishullin e tij, por ato ishin anije spanjolle, ekuipazhi i të cilave mund ta kishte vrarë. Prej tyre ai zakonisht fshihej.
Kthimi në civilizim
Megjithatë, në vitin 1709, ai u zbulua nga ekuipazhi i një anije britanike. Kapiteni u habit nga gjendja e tij e shkëlqyer fizike. Dy vitet e ardhshme, Alexander i kaloi në anije dhe u kthye në shtëpi në vitin 1711. Kapiteni i asaj anije botoi së shpejti ditarin e tij, ku përshkruante jetën që kishte bërë Selkirk për katër vjet e katër muaj.
Selkirk u kthye shpejt në jetën e zakonshme, por pas vetëm dy vitesh kuptoi se ishte më i lumtur kur ishte i vetëm dhe larg problemeve të njeriut modern. Ai u nis përsëri në ekspedita detare, por në vitin 1721 u prek nga një sëmundje tropikale dhe vdiq shpejt.
Jeta e tij frymëzoi romanin e Defoe Robinson Crusoe, ndërsa ishulli Mas a Tierra u quajt Ishulli i Robinson Crusoe në fillim të shekullit të 19-të. Ky emër qëndron edhe sot.