U MËSOVA ME IKJET
U mësova me ikjet
Pa kthyer kokën e të kthehem
Pastaj t’ua prish mendjen nëpër ëndrrat tuaja
Si fitore ndaj jetës
Me fjalët e vetme se pafundësisë i erdhi fundi
Faqe 20.
NJË FILLIM I MUNGUAR:
Trajtimi i poezisë së Miradije Maliqit, veçmas ky vëllim “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, tash kur poetesha nuk është më në mesin tonë, për mua ishte sfidë jo aq lehtë e kalueshme. Vet fakti që ne jemi mbledhur këtu dhe ajo mungon e shpjegon atë ndjenjën që kam përjetuar edhe unë gjatë leximit të poezive, megjithatë vlerësimi real i krijimtarisë së një poeteshe, ndodhë pikërisht me mungesën e saj, kurse “Etjen e mungesës e ndez me (mos)praninë...“ e saj), dhe "i godet malet kur i thonë ke ikur", (faqe 15), po ashtu dhe në vargun vijues, "që mos të lëngonte më mungesa", vetkuptohet mungesa e poeteshës, (faqe 18), sepse "mungesa e ndëshkimit si strehë shiu m’i gërryen ditët", (faqe 81), është shprehur vet autorja nëpër poezitë e saj.
Pavarësisht dhimbjes dhe tragjikës, tash këtu në mesin tonë, Miradije Maliqi vjen e komunikon me krijimtarinë e saj, dhe automoatikisht një gjë e mirë po ndodh në këtë mes, sepse ne e dimë se janë me dhjetëra autorë dhe autore që krijimtaria e tyre e pa botuar, ju mbetet nëpër sirtar duke i mbuluar pluhuri, dhe pastaj mbi atë pluhur bie edhe harresa e familjes dhe shoqërisë. Në rastin e Miradijes kemi të kundërten, prandaj nuk mundem të kaloj te vështrimi kritik për poezinë e saj, pa e përgëzuar poeteshen Shqipe Bytyçi, si shoqe e mirë, e cila ka bërë një punë të kujdesshme kulturore, dhe bashk me poetin Dan Ibrahimi, para nesh kanë sjellur këtë monument kulturor, vëllim ky me poezi jashtëzakonisht mirë i organizuar, por edhe si koncept lirik, kështu si ka dalë ia rritë vlerën artistike, gjithë asaj poezie të cilën paraprakisht e ka botuar për të gjallë Miradije Maliqi. Natyrisht Miradija ka pasur fat të madh që pas vetës ka lënë edhe një familje shembull, që në saje të saj, botohet ky libër. Përzegjdhses, familjes si dhe stafit botues vlerësim maksimal!...
NJERËZORJA:
Si shumë të tjerë, edhe unë kam pasur rastin ta njohë dhe ta takoj disa herë Miradije Maliqin nëpër takime dhe ngjarje letrare. Bile për shkak të mbiemrit “Dibra”, gjithnjë e kam thirrur “kusherirë dhe shumë pak në emrin e saj”. Si natyrë njerëzore Miradija ka qenë model i gruas me kulturë, në sjellje e thjeshtë dhe modeste, dhe nuk besoj se dikush ndonjëherë ta ket dëgjuar timbrin e zërit të saj të revoltuar. Gjithçka dhe gjithnjë ajo ka ndrydhur në shpirtin e vet. Paqësore e dashur dhe humane, prandaj edhe Zoti i dëshiron njerëzit e mirë t’i ketë afër vetës, dhe gjithnjë më duket se njerëzit me një natyrë dhe mision human dhe të dashurisë siç e njohim Miradijen, janë ma jetëshkurtër.
POEZIA:
Botimi i poezive të mbetura, është sukses, dhe pa dyshim këto poezi të përfshira në librin “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, e pozicionon poeteshën si krijuese e vargut të mirëfillt, e cila kurrë nuk iu shkëput vlerës artistike, por gjithnjë ajo jetojë me vlerën estetike në vargun e përsosur lirik. Ky nivel kaq artistik shfaqet qysh në poezinë kredo “GRISHJE”. Dhe, jo vetëm kjo poezi por i tërë libri është një grishje, një ëmbëlsim kulturor që mbahet gjatë në mendje. Eshtë “vargu (i saj) im i përvuajtur/ Mëngjeseve të uritura”, (faqe 11), që na fton për ta shoqëruar leximin e poezisë gjerë në vargun e fundit.
Vëllimi poetik “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, si tërësi shpalos botën e brendshme shpirtërore të njeriut tonë, e cila suksesshëm ka arritur të njëjtësohet brenda vargut, shpeshherë i dhimbshëm po më shumë përjetues, që si tërësi tematike vëllimi poetik shkrihet brenda metaforave, jo vetëm të dhimbjes por edhe të mendimit të thellë filozofik, dhe shpeshherë me mesazhe mjaftë meditative, duke e karakterizuar botëkuptimin e brendëshëm poetik të vet Miradije Maliqit e cila shprhet se, “Notoj fort mbi tradhtitë e jetës/ Që më gjunjëzojnë shpesh”, (faqe 12).
NË MES DHIMBJES DHE REALITETIT:
Brenda vëllimit me poezi, secil prej jush do të gjejë poeteshen dhe krijuesen elegante duke u përplasur në mes dhimbjes personale dhe hapësirës së saj, dhe gjenë forcë për ta kundruar poezinë në raport me kohën dhe rrethanat. Kjo ndjesi shpreht sidomos në ciklin e poezive që ia kushton të bijes, ku do të shihet një lidhje shpirtërore, “mëmë e bijë”, andaj edhe Miradija u ngjit lartë pas saj. Citoj: “Të duam edhe atëherë kur mendon/ Se të gjithë i ke kundër/ Të përkrahim edhe atëherë/ Kur të plagos ndonjë dashuri e gabuar”, ose vargjet: “Mos kurse ditët përqafoje jetën fort/ Rrëmbeje para se të të rrëmbejë ajo ty/... / E shtrenjta bijë as qielli nuk është i pa mundur/ As yjet nuk janë të pamundur/ A na ke ne që t’i ndërtojmë shkallët gjer në qiell”, (poezia “URATË PËR BIJËN”, faqe 13-14). Prandaj shpeshherë ndeshim mesazhe të përjetimit dhe dhimbjes personale, por më shumë mesazhe moralizuese për dukuri a sjellje devijante të cilat dhe mbase në secilin varg kthehen në mision human me porosi pozitive, pasi s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur jeta e Miradijes është karakterizuar e tillë, humane dhe paqësore, ta zëmë siç është poezia “KUR MUNGON TI”, “Kur mungon ti/ Unë bëhem presje e vargjeve patetike/ Ëndërroj kalendarët të kthyer mbrapsht/ Ndaloj akrepat e korrikut/ Ashtu lehtas të mbështjell në heshtje”, (faqe 22). Po me këtë ndjenjë dhe përkushtim sipëror është shkruar edhe poezia kushtuar babit:
“E vari shpirtin në buzëqeshjen time
Kur u shfaqa pas një ëndrre
Ç’është ky i marrë - thoshin
Që çmendet pas një cuce
Çdo ditë më quajti me një emër të ri
Me ëndrra të bardha mëkate të vogla
Shoqet e mia me kukulla luanin
Unë ngjitesha nëpër degë
Më e fortë se një djalë
Më e ndjeshme se një këngë“
Poezia “BABAI IM“, faqe 19.
METAFORAT ME POROSI UNIVERSALE:
Janë këto arsye pse nuk ngurrojmë të themi se nga një botë individuale, vargu i saj sa vjen e shndërrohet në mendim universal, i kapshëm për realitetin shoqëror, për situatën a rastin “Sepse duke të kërkuar ty e gjeta veten”, (faqe 24), pasi “lotët nuk janë dhimbje por vetëm kripë”, dhe po në këtë poezi ajo e sheh se “shpirti është mallkim?!”, (faqe 27), kurse në pjesën tjetër ka një mendim tepër ekzakt: “...duke pritur shumë të mira/ Shikojmë vetëm të keqen”, (faqe 28). Për t’i veçuar janë edhe mendimet se: “Të gjithë e adhurojnë dashurinë - Por pak kush e dhuron nga zemra”; “Të gjithë e duan lumturinë - Pak kush i gëzohet lumturisë së tjetrit”, dhe “Të gjithë duan gjithçka - Por pak kanë nevojë vetëm për veten e tyre”, (faqe 27).
Thuaja kryesisht, poetesha vargun e saj e nis nga brendësia e vetë, andaj e “lut stilolapsin/ që t’ia kthen shpirtin në lumenjë/ për të zbuluar në bardhësinë e letrës/ gjithçka që harroi/ dhe fshehu në zemër”, (e përpunuar, faqe 32). Shpeshherë kjo poezi, më shumë duket se është një shpalosje e brendshme individuale, përveç dhimbjes së njohur, motivet tjera kryesisht janë pa ndonjë synim dhe personifikim me individin, me konkreten dhe me individualen, shih poezinë: “GRATË QË DASHUROJNË DERI NË DHIMBJE”, (faqe 40), që do të thotë të gjitha mesazhet e kësaj poezie i takojnë një rrethi më të gjerë, përkatësisht i dedikohen shoqërisë dhe proceseve nëpër të cilat kalon kjo shoqëri, dhe se “Vitete ikin si sapun i harxhuar” edhe “Pronarja është plakur me po atë inatin e saj”, (faqe 35), prandaj siç duket edhe nga ky vëllim poetik ajo i paska “vjedhur rezervat e fundit të mirësisë së saj”, (faqe 38), dhe pastaj paska ikur?!
“Ca vjeshta ishin pranverat më të ngrohta
Që i humbëm rrugës
Gjersa pavetëdijshëm thurnim ëndrra
Për dimrin e huaj”
Poezia “CA VJESHTA”, faqe 23.
TË FLUTUROSH MBI METAFORA:
“Secila frikë është e veshur/ Ndryshe kur ngrin nga acari”, (faqe 50), d.m.th. pjesa dërmuese e këtyre poezive shpalosin dromca mendimesh të çastit e të dhimbjes, të pozitivitetit e të dashurisë për jetën: “Çfarë të të them/ Nëse derdhë fjalët para teje/ Do të jesh në gjendje që t’i mbledhësh/ Çfarë shikimi të të përcjell”, (poezia “ÇFARË TË TË THEM”, faqe 60), ose poezitë “FJALË TË GURTA”, (faqe 66), dhe poezia “BËHU RREZE E AGIMIT TIM”, (faqe 71), kanë shplosura afintetin të cilin e kishte poetesha për t’i dhënë kuptim më përgjithësues dhimbjes personale, të cilën vetëm ajo arriti ta shndërroj në dhimbje universale, me mesazhin e qartë, andaj të mos humbasim duke kërkuar dhimbjen “NËPËR SIRTARËT E JETËS”, (faqe 72), andaj në përgjithësi poezia e saj ka marrë trajta të tilla duke shpalosur atë refrenin e ndjesisë individuale, të përjetimit a të çastit kur është mbërthyer nga dhimbja, që me automatizëm i ka përkthyer në frymëzim, si burim i brendëshëm dhe i pashterrshëm, frymëzues dhe tejet mbresëlënës, siç shihet edhe në vargjet e poezisë “ME DORËN E FATIT TIM”: “Kush ngrohtësi kërkon e gjen në krahët e mi/ Me dorën e fatit tim udhëhiqem/ Pse të mos jap atë që më është dhënë/ Nuk kursej atë që më është dhënë/ Lakuriq para jetës jam/ Vetëm atë copë qiell kam/ Me të i ngjyrosi ditët e mia”, (faqe 74).
Së këndejmi edhe vëllimi “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, është i tillë dhe në vazhdën e krijimtarisë së gjertanishme të poeteshës Miradije Maliqi. Po aq natyrshëm dëshmohet stili i saj dallues, karakteristik dhe mbase i veçantë, me finesa estetike në varg, duke treguar gjithnjë ndjeshmëri të hollë, si për njeriun, ashtu edhe për vargun poetik, dhe me një mjeshtëri elokuente do të lë edhe amanetin trishtues: “Pa dëshirë heq dorë/ Siç hoqa dorë edhe prej jush/ Më mungon vetëm pak guxim pak marrëzi/ Të të them se jam këtu e do të jem gjithnjë/ Të të rrëfej se si i thura ngjyrat e blerta për ty/ Të ta dhuroja botën time/ Doja të t’i rrëfej ato gjëra që i heshta”, (poezia “DIKU MES ËNDRRËS DHE ZGJËNDRRËS”, faqe 75-76).
“ATJE DO TË SHKOJ”:
Natyrisht nuk prirem të prek hapësirën e lexuesit, për të nxjerrë secili imazhet e mendimeve personale, por jam i detyruar t’i theksoj disa nga vargjet e saj, për të plotësuar më mirë mendimin tim të theksuara më lartë, veçmas janë vargjet për vendlindjen e saj: “Atje do të shkoj që t’i mbledh/ Të gjitha thërrimet që më lënduan ashtu sikur ty/ Që të jem sërish vetja dhe e jotja qyteti im/ Atje ku gurët janë më mëndafsh se mëndafshi/ Atje ku mban aromë Vardari/ Dhe mali i thatë njëkohësisht/ Atje ku janë yjet më të afërt/ Në netët verore të kristalta si sytë e fëmijës/ Atje ku mbeta gjithnjë e bija e dikujt/ Atje ku njerëzit janë të ngurtë si guri/ Dhe të butë si pambuku/ Atje ku japin dorën nga zemra”, (poezia “QËLLIMI”, faqe 44-45), si dhe vargjet në vijm të cilat e përmbyllin këtë vëllim poetik:
“Rriten larg të vërtetës së shtrembëruar
Nëpër plasaritjet e kohës mospërfillëse
Dhe vijnë të madhërishëm
Me gjurmët e hapave të vegjël”
Poezia “ME GJURMËT E HAPAVE TË VEGJËL”, faqe 85.
MESAZH PËRMBYLLËS:
Le të lutemi për shpirtin e çiltër të poeteshës, po ashtu të lutemi që ky libër dhe krijimtaria e saj të jetë prezenca e përhershme e Miradijes në letrat shqipe, e jo siç ka thënë ajo, “Vetëm një thërrime është ky emri im”, pasi “Pran kaq poemave të pasura/ që ndërtoi mureve të shpirtit”, (faqe 63), jetëgjatësia e poeteshës, jam i sigurt se do të shkojë përtej jetës fizike të saj.