Atdhetari Adem Guta, ekzemplar i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945)

Kultura

Atdhetari Adem Guta, ekzemplar i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945)

Sami Arifi Nga Sami Arifi Më 3 janar 2025 Në ora: 18:26
Atdhetari Adem Guta

Atdhetari Adem Guta u lind më 1916 në fshatin Jezerc-Komuna e Ferizajt, ai rrjedh nga një familje e varfër me tradita kombëtare dhe veprintari patriotike për atdheun. Ferizajasi, Adem Guta, shkollimin fillor gjatë Mbretërisë jugosllave e kreu në gjuhën serbe, meqë në gjuhën shqipe ishte e ndaluar edhe të flitej publikesht, e leje më të mësohej shqip në shkolla. Ferizajasin Adem Gutën, Lufta e Dytë Botërore (LDB) e zë si nxënës i klasës së katërë të Medresës “Gazi Isa Beg”, në Shkup. Për shkollim e Ademit e financonte vëllai i tij, Veseli, i cili punonte tashmë si hoxhë në xhamitë e fshatrave të Komunës së Ferizajt. Mulla Vesel Guta, i cili ishte frymëzues dhe veprues i madh i çështje kombëtare, ai mori pjesë në mbrojtjen e Kosovës në kufirin lindor kundër serbo-çetnkëve komunistë në Velegllavë më 28 qershor të vitit 1944 dhe në Kikë më 26 korrit, po të këtij viti.

Atdhetarin Adem Gutën LDB e zuri në moshën 25 vjeçare, ai ishte i dëshmuar për veprimtari politike, patriotike, për çështjen e atdheut. Adem Guta në vitin 1942-1943 u zgjodh kryetar në Sllatinë (Sllatinë të Moravës), ai që herët ishte edhe anëtar i Organizatës së Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH-së).

Atdhetari Adem Guta u pushkatua, më 2 shkurt të vitit 1945, në fshatin Mramorak afër qytetit të Kovinit në Vojvodinë nga komunistët shpirtëzi...

Shkruar nga Sami ARIFI

Atdhetari Adem Guta (1916-1945)

Për emërtimin e Adem Gutës për kryetar komune, ndikim pati patrioti, Ismajl Gorani, nga Davidovci (Bushati) i Shtimës, që ishte nënprefekt i Ferizajt nga fundi i shkurtit të vitit 1942, Ismajl Gorani ishte mik dhe i besuar i Ilaz Agushit. Ilaz Agushi ishte ministër i punëve botore dhe zv. Kryeministër i Mbretërisë shqiptare.

Komuna e Vaganeshit dhe Komuna e Sllatinës (Qëndresës), ku, shërbente Adem Guta nga muajt e parë të vitit 1942 deri në fillim të gushtit të vitit 1943, i takonte nënprefekturës së Gjilanit, e kjo e Gjilanit prefekturës së Prishtinës. Në këto vise të Anamoravës e ashtquajtura “Luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare e Jugosllavisë (LANÇJ-së)” ishte e fuqishme, e veçanërisht nga pranvera e vitit 1942. Adem Guta ishte i pakompromis kundër propagandës çetnike komusisto-jugosllave, mirëpo në administratën shtetërore të Mbretërisë së Shqipërisë ishin infiltruar komunistë shqiptarë me ideologji të tillë madje ishin bërë kryetarë komunash, prandaj ishte vështirë të ndahej shapi prej sheqerit.

Në kujtesën historike të popullit shqiptar, që është hulumtuar dhe vërtetuar mirë, Vasilije Kostiqi ishte një çetnik i hershëm, kolon i ardhur nga Serbia i vendosur në Sllatinë (Qëndresë), i moshuar, 57 deri në 60 vjeçar dhe mbante titullin “kënez”. Realisht Kostiqi në vitet 20 të shek. XX e kishte mbytur një shqiptar të viseve të Tetovës, pikërisht beun e fshatit të Shemsës, të cilit ia mori tokën me dhunë, tërë pasunun e patundshme dhe me ato para arriti në Sllatinë të Poshtme, ku e detyroi Idriz Sinanin të familjes së bejlerëve (Emin Agës), të ia shiste rreth 16-të hektarë tokë, me një çmim sa deshti vet, të ulët, e Idrizi të shpërngulej në Turqi.

Kryetari Adem Guta u përpoq ta bindte që të korrigjohej, duke ia kthyer tokën pronarit legjitim, ose nga pozita e çifçiut t’ia pagunte pronarit legjitim të dhjetën, ndodhi edhe trajtimi policor, por Kostiq nuk e përballoi një goditje të cilën e mori pas heshtjes provokuese ndaj kërkesës që i bëri kryetari, Adem Guta, atij që të përgjigjej. Me ankesën e serbëve të këtyre fshatrave te zyrtarët italian, Adem Guta, si rrjedhim pësoi burgosje si përgjegjës për ndodhinë. Për rolin e Adem Gutës në këto ngjarje hidhte dritë vëllai i tij, Mulla Vesel Guta, në poemën e tij elegjike. Adem ore vëlla, ku midis të tjerash theksonte, N’atë zezën Sllatinë, tu i zhduk dushmanët, italianët n’burg të shtinë. Në kujtesën historike të popullit, Adem Guta mbahet mend si personalitet me moral të lartë, i cili kërkonte nga policët dhe vullnetarët komunal, t’i zbatonin urdhërat dhe t’i luftonin vetëm serbët çetnikë e komunistë, të dëshmuar si antishqiptarë, e të mos nëpërkëmbin nderin e familjeve e të femrave serbe. Në rrethin e Adem Gutës nuk mund të gravitontonin të pamoralshmit.

Me 17 nëntor të vitit 1944 në Ferizaj me rrethinë marshuan “Aradhat Partizane të Rakoshit”, ku më 15 nëntor të vitit 1944 u nis nga Drenica Jugore, deri më 23 nëntor 1944 e tërë Kosova do të ripushtohet nga sllavët, kominternistë sebo-sllav, të cilët u përkrahën me ndihmën morale, materjale dhe luftarake të vëllezërve të tyre shqiptarë kominternistë.

Adem Guta me shumë luftëtarë që kishin luftuar për Shqipërinë Etnike, duke parë rrethanat u rreshtuan në “Brigadën e VII Sulmuese për Kosovë e Metohi”, nga se mendohej të jenë të sigurt falë kuadrit shqiptar në përgjithësi, dhe Vendimit të Mbledhjes së Bujanit, mbajtur më 31 dhjetor 1943 deri me 2 janar 1944, se pavarësisht ideologjisë, pas përfundimit të LDB, Kosova do t’i bashkëngjitet Shqipërisë.

Brigada e VI dhe e VIII ishin të komanduara nga serbë e malazezë, të cilët ishin oficerë të Mbretërisë jugosllave me komandantët çetnikë të amnistuar nga Tito...

Përjashtim bënte vetëm Brigada e VII, e cila u themelua më 11 nëntor të vitit 1944, kjo Brigadë ishte zgjerim i Batalionit partizan “Kosova” e formuar në fund të qershorit të vitit 1944 në Lumë, dhe si Brigadë për komandant kishte Shaban Haxhiun, komesar Qamil Brovinën nga Gjakova dhe për nënkolonel kishte komunistin serb, Qedo Mishkoviqin, e më vonë, më 17 nëtor 1944, Enver Dajqin nga Ferizaj. Brigada e VII Sulmue Kosovë e Metohi udhëhiqej nga Shaban Haxhiu, pra, me ardhjen e Brigadës së Shqipërisë në Kosovë, duke mos dashur të konfrontohej me vëllezërit shqiptarë, Adem Guta propagandoi për LNÇ-në dhe iu bashkua asaj. Në fillim të vitit 1945, Adem Guta u gjend në radhët e njësive të Brigadës VII, Shaban Haxhisë, pikërisht në Batalionin e III, ku komandant ishte anagjakovari, Sadri Zeqë Doqi, ndërsa komisar Xhevdet Pula, sekretar i këtij Batalioni ishte Rrustem Statovci, sipas të cilëve, Ademi ishte akuzuar se kishte “vrarë vëllezërit tanë serbë”. Denoncimin e kishte bërë komisari Nazmi Kursani. Ademi ishte pushkatuar para Brigadës, i lidhur për një bagremi, në të cilin ishte shtirë me pushkë automatike dhe ishte bërë copë-copë, sipas Rrustem Statovcit, më 6 mars 1978, në Ademin shtinë përnjëherë pesëmbdhjetë (15-të) vetë ushtarakë nga Gjakova, kurse sipas të dhënave tjera vetëm dy.

Të dhënat tjera do të ndriçojnë edhe këtë moment sadist të njeriut tonë idealist. Këta të rinj, të bindur në propagandën komuniste bolshevike, në Ademin shtinë me armë si në armikun e popullit, Zoti i shpërblen dëshmorët e kombit dhe të hakmerret ndaj vrasësve. Historiani Tahir Z. Berisha, njëri ndër përjetuesit e vrasjes mizore të Adem Gutës, midis tjerash, më 1998 shkroi pa një qartësi të plotë, “vrasja e Adem Gutës, më 2 shtator 1945, ndodhi në fshatin Mramorak, afër Kovinit të Vojvodinës. Nga fjalimi i zjarrët i eprorit, Enver Dajqi, nuk ishte e qartë çka kishte bërë ky pjesëtar i Brigadës sonë si armik i popullit, ai ecte kryelartë drejt murit dhe një peme, për të cilin do ta lidhin, e urdhëruan që ta kthente shpinën nga grupi i ushtarëve që duhej ta pushkatonin, por ai nuk pranoi dhe, ai ekzekutorët i shikonte drejt në sy. Në togun e ekzekutorëve ishte edhe ushtari i moshuar, Dedë Ahmeti nga Rakoci i Gjakovës, i vetmi nga ekzekutorët i armatosur me automatik, dhe para se të bie komanda për tërheqje, prapa skuadrës së ekzekutimit, Dedë Ahmeti do të iu ofrohej madhështorit Adem Guta dhe ia hedh në trupin shoshë edhe një batare plumbash nga automatiku, por malësori shqiptar, Adem Guta, e bëri vdekjen si me lind për së dyti”.

Të dhënat me shumicë janë marrë nga libri Dr. Muhamet Pirraku, Adem Guta-ekzemplar i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945). Prishtinë,2008., po edhe nga dokumente arkivore e libra të tjerë.

Lavdi e përjetëshme Atdhetarit sypatrembur të gjeneratës!...

Heroi Adem Guta, mbetet i përjetëshëm në kujtesën e popullit, është në kujtesë i paharruar së bashku me të gjitë atdhetarët tjerë që ranë për lirinë e atdheut... Lavdi!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat