Festat tona të shumëpritura

Kultura

Festat tona të shumëpritura

Nga: Vlash Prendi Më: 6 janar 2025 Në ora: 09:54
Vlash Prendi

...Jam strukur afër stufës dhe rri e mendoj për ditët që kaluan, për festat tona tradicionale që i festuam me aq gëzim dhe entuziazëm edhe pa i patur njerzit tanë më të dashur rreth tryezës të shtruar për Krishtlindje, apo për Vitin e Ri. Gjallëria dukej kudo e vakët, sidomos në fshat. Në pragfesta gëlonte qyteti, pasi kishte familje që shpresonin, se do të kujtoheshin emigrantët të ktheheshin për festa pranë prindërve të tyre. Tregu plot me produktet e nevojshme, ku asgjë nuk mungonte, por me çmime tepër të kripura. Reklama gjithandej për oferta dhe ulje çmimesh, por në realitet xhepi i konsumatorit nuk e ndjente këtë ulje. Madje, si për ironi të fatit, as organet kompetente dhe dikasteret përgjegjëse nuk ndërhynë askund, për të neutralizuar sadopak abuzimet e kompanive prodhuese me çmimet e produkteve, kur dihet se në çdo vend të botës, në raste festash praktikohen oferta të panumërta. Kjo bëhet për t’u ardhur në ndihmë edhe qytetarëve më të varfër, që t’i festojnë festat e fundvitit si të barabartë me të tjerët.

Festat kaluan...! Ç’festa them unë? Bilanci mund të bëhet tani, pasi e dime sa para na kanë mbetur në xhep. Sa ushqime kemi mundur të rezervojme për të kaluar muajin? Sa të plagosur nga fishekzjarret apo me armë piroteknike kërkuan ndihmë në spital? Sa aksidente dhe viktima pati në periudhen mes dy festave? Këto ishin trofetë e kësaj lufte të pashpallur... Besoj se përgjigjet janë të gatshme dhe situata nuk është aspak normale. Kudo shiten lendë plasësë dhe fishekzjarre të fuqive shterthyese të ndryshme dhe jashtë çdo kontrollit dhe masave të sigurisë. Ato shpërthehen në vende të ndryshme, në sheshe, në rrugë, në oborr, madje edhe brenda banesave duke përbërë rrezik për banorët dhe asnjë masë nuk merret nga organet kompetente. Si gjithkund, edhe festat duhet të festohen nën masa sigurie, sepse në emër të gëzimit dhe entuziazmit të tepruar mund të shkaktohen edhe viktima, ashtu siç ka ndodhur shpesh herë.

Në të kaluarën festat kishin rendësi të vaçantë, sepse priteshin me gëzim dhe hare, por krijonin edhe mundësinë që njerzit të takoheshin me njëri - tjetrin, të festonin, të bisedonin, të diskutonin, të krijonin miqësi të reja etj. Në bazë të Kanunit kishtarë, kishte festa fisi, festa fshati dhe festa krahine të cilat nuk binin kurrë në një date. Kjo bëhej për arësye që t’u krijohej mundësia pjestarëve të një fisi, fshati apo krahine të festonin tek fiset e tjera. Kështu, veç punëve të shumta në bujqësi, njerëzit komunikonin, takoheshin, kalonin disa çaste me njëri - tjetrin. Ndërsa sot, thuajse nuk ndjehet një nevojë e tillë, sepse mjetet e komunikimit masiv janë të shumta, edhe menuja e festave është e larmishme dhe më e pasur se më pare, për çdo familje. Për hir të së vërtetës duhet thenë se menyra e jetesës është vështirësuar ndjeshëm, çmimet janë rritur baras me vendet e BE - së, në mos më shumë, të ardhurat për frymë janë të ulta, minimum jetik është tëpër i ulët, pensionet janë nën minimumin jetik, rrogat e punëtorëve, sidomos të atyre të fasonerive janë tepër të vogla, ndërsa ndihma ekonomike qesharake. Për të kompensuar këtë gjendje, Qeveria shpërndau shpërblime për disa kategori shtresash të popullsisë, që ishin të pamjaftueshme për të përballuar festat. Flasim për rritje ekonomike, flasim për të ardhme të ndritur dhe nuk jemi në gjendje të japim një rrogë apo pension të 13 - të, flasim për mirëqenie dhe nuk jemi në gjendje të vemë nën kontroll rritjen e çmimeve, sidomos të artikujve ushqimorë në prag festash! Kjo nuk duhet të ndodhe pasi, nëse çmimet rriten në proporcion me rritjen e pagave dhe shpërblimeve, asgjë nuk ndryshon, sepse mirëqenia e punonjësve rritet, nëse rriten rrogat dhe pensionet dhe çmimet nuk lëvizin.

Festat erdhën dhe ikën thuajse pa u ndjerë fare, sidomos në zonat rurale. Në këto zona nuk pati atë gjallërinë, gëzimin dhe entuziazmin e dikurshëm, pasi nga njëra anë pak banorë kanë mbetur në këto zona dhe nga ana tjetër, mundësitë ekonomike për t’i përballuar të dyja festat ishin të kufizuara. Në fshatin tim, që për ironi të fatit futet edhe ne projektin e 100 fshatrave me përparësi në investime, nuk pati thuajse aspak atmosfere festive. Aty - këtu takoje ndonjë fshatar me ndonjë qese me ushqime në dorë, po jo të bënte ndonjë diferencim nga përditshmëria. Në shtëpitë e fshatarëve mungonin zbukurimet tradicionale, madje në shumë familje edhe pema - simbol e Vitit të Ri. Kur bisedon me disa prej tyre, të listojnë justifikime nga më të ndryshmet, për mungesën e atmosferës së këtyre festave. Disa justifikohen me mungesën e të afërmve, që janë larguar në kurbet, disa me mungesën e të ardhurave, pensionistët ankohen se kanë pensione minimale, ka nga ata që i kosiderojnë festat njëlloj si ditët tjera, pasi nuk ndjejnë gëzim, as entuziazëm për ardhjen e tyre. Përgjithësisht në këto festa munguan urimet. Nisur nga fakti se urimet në ditët tona bëhen kryesisht nëpërmjet rrjetëve sociale, shumë prej tyre bëhen në menyre kolektive, gjë që nuk e ngroh as nuk e respekton individin. Madje shumë miq e shokë përtojnë të shkruajn dhe të urojnë duke ja lënë këtë dukuri të domosdoshme rastësisë. Gjithmonë urimet bëheshin individuale dhe të adresuara. Më të zakonshmet bëheshin nëpërmjet letrave dhe sidomos kartolinave, të cilat mezi i prisnim. Ato mbeteshin në arkivën personale edhe si kujtim i përhershëm. Sot mungojnë elementë të tillë mjaft të domosdoshëm për një shoqëri të shendoshë dhe të sinqertë.

Duke biseduar me një nenë të moshuar në këto ditë të ftohta dhjetori, pikërisht në pragfesta, ra fjala e menyrës së festimit të tyre. - Dikur festat i prisnim me gëzim, - më thotë e moshuara, - sepse megjithëse ishim të varfër, përgatiteshim se do na vinin miq nga shumë fshatra të tjera, do të takoheshim me njerëz të gjakut tonë, me të afërm me të cilët kishim kohë pa u takuar. Ndërsa sot, more bir, nuk të merr malli të takosh njeri, sepse flet përditë në telefon me të, vjen më shpesh sepse kanë makinat e tyre personale dhe na kushtëzon edhe gjendja e vështirë ekonomike. - Ja! - më thotë nena, unë nuk pres njeri për festa, sepse nuk i kam mundësitë, sepse gjysma e pensionit më shkon për ilaçe, ashtu si gjithë pensionistëve të tjerë, që shkrinë jetën duke ndërtuar për të tjerët dhe vetë mbetën të varfër. I jap të drejtë kësaj nene, sepse jo rrallë i shoh vetë pensionistët, që marrin ato dy pare pension dhe venë e i lënë në farmaci. Si mund të festojë një pensionist në këto kushte? - Festat janë për të pasurit, - më thotë një bashkëfshatari im. Ata kanë të drejtë të festojnë, mgjithse ata kanë festë përditë. E pe ti djalë, - më drejtohet mua, - dy herë i kanë bashkuar votat deputetët tanë në Kuvend, një here kur u votua për Kodin Zgjedhorë, pikërisht për listat e hapura dhe herën tjetër për rritjen galopante të rrogave të tyre. Ky është parlamenti ynë, ku tërë ditën deputetët tanë zihen dhe shahen me libër shtëpie dhe kur vjen puna për të mbrojtur interest e tyre, përqafohen. Kush duhet të mendojë për këtë popull, për këtë masë të madhe punëtorësh dhe pensionistësh, që vuajtën shumë në të kaluarën dhe po vuajn edhe sot.

Para pak vitesh, një miku im intelektual i njohur, shkoi për t’i kaluar festat e fundvitit tek vëllai i tij emigrant në Greqi. Veç atmosferes, ofertave për festa dhe përgatitjes serioze nga ana e autoriteteve shtetërore, ai më tregoi edhe këtë episod: - Sapo kisha mbërritur në shtëpinë e vllait në Selanik dhe po prisja me padurim që ai të vinte, pasi kisha një kohë të gjatë pa u parë. Befas u hap dera dhe ai gjithë gëzim m’u hodh në qafë. Mbi tavolinë hodhi një zarf të mbushur me euro. Pasi u pyetëm dhe u shmallëm, nuk m’u durua dhe e pieta: - Po ky zarf me para, nga të erdhi? - Ȅshtë shpërblimi që na jep çdo vit padroni ynë me rastin e festave të fundvitit, - m’u përgjigj vëllai. Dhe nuk ishin pak, plot 3 mijë euro shpërblim për festa! Thuaj pastaj, pse emigrojnë shqiptarët? Kjo ndodh në çdo vend të Europës ku punëtori respektohet, ka vende që japin shpërblime, po ka edhe nga ata, që aplikojnë rrogën e trembëdhjetë me qëllimin e mire që edhe punonjësit të gëzojnë në rastë festash, po kjo nuk ndodh në vendin tonë. Ndoqa me kujdes festimet e Nentorit dhe vura re se megjithse Dita e Çlirimit përkonte me vitin jubilarë të 80 – vjetorit të saj, festimet për këtë ditë ishin tepër të vakta. Festuan forcat politike, ndërsa populli ndiqte aktivitetet pa festë, pa entuzizëm, pa mundur të bëjë asnjë urim.

Ja, erdhi dhe nata e Vitit të Ri, pa asnjë ndryshim me netët tjera të zakonshme. Kam zënë një qoshe të divanit dhe po pres ndonjë urim nga shokët dhe miqtë, po pres që televizioni ynë të jape së paku filmin e përvitshëm “I vetëm në shtëpi”, pasi mjerisht koncertet në këto festa mungojnë, sepse këngëtarët dhe artistët shumica janë shpërndarë nëpër botë, ndërsa ata që mbetën, janë të ftuar në vende të ndryshme të Europës. Po pres që të shtrohet tavolina e varfër e kësaj feste, e cila është festuar nga të parët tanë edhe në periudhën të ndryshme të historisë duke e quajtur” Kershëndellat plaka”, e më vonë u quajt Viti i Ri. Nuk kam me kë të bisedoj, veçse me bashkëshorten, dy pensionistë që për 45 vjet me radhë në fushën e arsimit, dhamë gjithçka dhe nuk fituam asgjë, madje as familjen... Me dhimbje shoh herë pashere telefonin, se mos më vjen të paktën ndonjë urim. Nuk mungojnë urimet, sepse në zemrat e miqëve dhe shokëve ka mbetur pak dhembshuri, prandaj edhe të urojnë. Më uron poeti Llesh Ndoj nga Lezha, studiuesi i njohur Anton Nik Berisha nga Prishtina, poeti Ndue Deda nga Mirdita, shkrimtari Mikel Gojani nga Vjena, piktori Gjergj Kola nga Italia, poeti Imer Hysa nga Kurbini, Gjergj Shyti nga Tirana etj. Më urojnë edhe Gëzimi, Ela, Eva dhe Meri i vogël, që megjithse ka vite në Itali, më uron shqip, kjo më gëzon pa masë. Urimet janë të shumta, por gjendja shpirtërore le për të dëshiruar, kur nuk mund të festosh me fëmijët tuaj, me nipër dhe mbesa, me miq e shokë... me tavolinën plot. Duke u kthyer urimet miqëve dhe shokëve, marr pultin e TV dhe kërkoj të shoh lajmet. Mbetem i shtangur kur dëgjoj se është shtuar numri i të plagosurve nga festimet me fishekzjarre, madje ka edhe viktima. Nëse vijnë kështu festat tona..., më mire mos ardhshin kurrë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat