Jo gjithherë kritika letrare i ka kundruar dhe interpretuar drejt poezitë me motiv biblik të Nolit. Janë të paktën dy arsye që të shtynë të mendosh për një interpretim të gabuar: mosnjohja e Biblës ose motivi jashtë letrar, i nxitur, dikur, edhe nga ateizmi komunist shqiptar ose për qëllime të caktuara. Në një interpretim të gabuar të poezisë noliane rrëshqasin edhe studiuesit, si: Alfred Uçi, Koço Bihiku, Mahmud Hysa, Dhimitër Shuteriqi, Yll Zajmi (Ylli Zajmi, Fanoli – Jeta dhe veprat, Rilindja, Prishtinë, 1986) e ndonjë tjetër.
Duke vështruar dhe komentuar poezinë e Nolit “Tallja përpara kryqit”, poezi kjo e shkruar mbi motivin e kryqit, studiuesi Mahmud Hysa është i mendimet se Noli ka arritur “të stigmatizojë edhe ideologjinë e krishterë, se ai (Noli, vërejtja ime) është jo vetëm antifeudal dhe antiimperialist, por edhe antifetar” (Mahmud Hysa, Poezia “Tallja Përpara Kryqit” e Fan S. Nolit, në: Jehona, Shkup, 2004, nr.12, .34). Vjershë të guximshme antifetare, e cilëson edhe studiuesi Vehbi Bala (Vehbi Bala, Fan S. Noli, në: Historia e letërsisë shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1989, 507).
Poezinë në fjalë, e ka cilësuar si një vepër antifetare edhe studiuesi tjetër shqiptar, Koço Bihiku. Ai shkruan se vjersha “ ‘Tallje përpara kryqit’ është një vepër antifetare, me interes të madh për të ndjekur zhvillimin e botëkuptimit të Nolit e, sidomos, qëndrimin e tij ndaj fesë në fund të viteve 20” dhe vazhdon se poezia nëpërmjet personazheve që i drejtohen Krishtit “zbulon thelbin e vërtetë të krishterimit si mjet dhune e mashtrimi.” (Koço Bihiku, Një poezi e panjohur e Nolit, në: Vëzhgime metrike, Rilindja, Prishtinë, 1978, 156). Një vlerësim përafërsisht të njëjtë, ky autor e shpreh, ndërkaq, edhe në librin e tij, “Hulumtime të reja për F.S. Nolin” (Sh.B. Demokracia, Tiranë, 2001, 48-49).
Për ata që nuk e njohin krishterimin si religjion, si besim në Zotin dhe si filozofi jetësore, që nuk e njohin krishterimin si doktrinë e si kulturë, që nuk i njohin sakramentet e krishtera, ndër të cilat është edhe rrëfimi, është krejt e natyrshme të jepet një vlerësim i tillë krejt i paqëndrueshëm.
Vlerësimin e tyre këta dy studiues, pa dyshim, e mbështesin në qëndrimet e personazheve të poezisë në fjalë karshi Krishtit të kryqëzuar. Le të sqarojmë: Noli, përpara figurës së Krishtit të kryqëzuar, sjell nga shekuj të ndryshëm personazhe reale, historike e simbolike, si: Leninin, Kalvinin, Ariosin, Militaristin, Heretikun, Shën Athanasin, Antisemitin, Fetishistin, Theofizitin dhe Izraelitin kryqëzonjës. Bazuar dhe nga emrat e tyre, shohim se këto personazhe janë dhe mund të cilësohen si:
-personazhe mjaft kontroverse;
- simbolizues të rrymave të ndryshme shoqërore e ideologjike;
- të tillë që kanë rënë ndesh me mësimet e normat ungjillore dhe që krishterimin si besim e trajtojnë dhe e konceptojnë sipas tekeve e leverdisë personale. Si të tillë, të gjitha këto personazhe, të mbetur në margjinat e krishterimit, por edhe të historisë njerëzore, dalin para figurës së Krishtit, dhe akëcili prej tyre shprehë qëndrimin e vet ndaj Krishtit e kryqëzimit (Shih: Luljeta Isaku, Rilexime I, Tetovë, 2012, 9). Në fakt, në vjershë, kemi të bëjmë me një mënyrë rrëfimi, të personazheve para figurës së Krishtit, i cili hesht e nuk flet; mungon dialogu. Personazhet këtu, qofshin këta realë a simbolikë, sugjerojnë pikëpamje, gjendje, situata, por edhe kohë të ndryshme, që për emërues të përbashkët kanë hamendjen dhe jo forcën e argumentit. Opinionet e tyre për Krishtin, kryqin, me një fjalë për atë që përfaqëson krishterimi, janë nga më të ndryshmet. Le të shohim: Fetishi (“i cili është bërë simbol për njeriun e lajthitur dhe për dukuritë shoqërore që kanë mbetur në çështjet periferike të jetës njerëzore” (L. Isaku), shpreh mendimin se kryqi , krishterimi do humbasin vlerat dhe se do mbeten vetëm një relikt në ndonjë muze: “Dhe në koleksion të Muzes` Afrikane / do të shtohet dhe një hajmali kristiane.”, ndërsa Lenini i thotë Krishtit se po kryqëzohet më kot, dhe e akuzon me pretekstin se ai: “ po shtyp vegjëlinë me gjak e me lot” dhe paragjykon të ardhmen: “Kryqi yt do të bëhet simbol tiranie”. Akuza kundër Krishtit drejton edhe Antisemiti, një tjetër personazh i poezisë që po shqyrtojmë. Akuza: “Kryqi yt do të bëhet litar i përshenjtë / për të varur, për të munduar hebrenjtë”, është një akuzë tjetër e pabazë dhe e pa argumentuar që i drejtohet Krishtit, kur kihet parasysh fakti se ai, për asnjë moment të vetëm nuk përdori dhunën dhe se “antijudeizmi nuk ka të bëjë as me Krishtin as me kryqin, por me deformimet e mëpastajshme dhe me keqpërdorimin e normave humane gjatë historisë” (L. Isaku). Edhe këtu akuza ka shenjat e paragjykimit. Militaristi, ndërkaq, vetë ithtar i forcës, i dhunës, siç i tregon edhe emri, e akuzon Krishtin, ndonëse i vetëdijshëm se “predikove e vdiqe si pacifist” për kinse “luftë e tmerr frymëzove si militarist”. Ironia që bën autori këtu është e qartë. Militaristi, si shembull emblematik i forcës akuzon me qëllim të arsyetimit të veprimeve të veta që kanë të bëjnë me forcën, me dhunën, pra, një akuzë për shfajësim. Krishti që predikoi dashurinë, nuk mund të jetë edhe frymëzues dhune, siç pretendon Militaristi, ndonëse historia ka shënuar raste kur në emër të besimit kanë ndodhur dhe kryqëzatat. Pro përdorimit të forcës, për të ndryshuar një gjendje të caktuar është edhe Kalvini. Sipas tij, Krishti u kryqëzua më kot, meqë: “Situatën e keqe aspak nuk e ndërrove / Se me Ungjill, e Kryq s`kemi për të shpëtuar.”
Mendime pak a shumë të ngjashme shfaqin edhe personazhet e tjera, dikush madje duke mohuar natyrën hyjnore te Krishtit, si Ariosi (prift nga Aleksandria që mbronte tezën e Krishtit-njeri, profet dhe jo Zot): “do të them se s’ke qenë përveçse njeri”, kundër të cilit ngrihet Shën Thanasi papë, një kundërshtar i flakët i Ariosit, i cili mbron natyrën hyjnore të Krishtit: “Ariosi gënjen e përhap herezi”. Fakti që ky personazh mbron tezën se Krishti është Zot, është një tregues i mirë se në këtë vepër nuk kemi asnjë shenjë antifetare të autorit.
Do thënë se pavarësisht lajthitjeve, devijimeve e diferencimit të personazheve nga krishterimi, nëpër kohë të ndryshme, Krishti, ndërkaq mbetet po i njëjti, simbol i flijimit, i sakrificës dhe i dashurisë. Në këtë rrafsh, vjersha “Tallje...” është një demaskim dhe demistifikim i periudhave, i rrymave, i karaktereve dhe personaliteteve të caktuara historike. Të tjerët (personazhet) shkojnë e vijnë, mbetet Krishti, dëshmia që tregon se për gjëra të mëdha duhet flijim dhe dashuri.
Mendimin e vet për Krishtin Noli e ka dhënë kështu: “Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jezusi është i vetmi profet që proklamojë për herën e parë në historinë e njerëzimit, njësi dhe liri në botë”. Se ç’ishte Krishti në jetën e tij, Noli e qartëson zëshëm në “Autobiografinë” e tij, shkruar në vetën e tretë, në vitin 1958:
“Fan Noli, në imagjinatën e tij, duke mbajtur në dorë “Dhiatën e Re” të Kristoforidhit (...) u bë Kalorës i Skënderbeut dhe misionar i Krishtit mes popullit shqiptar. Ai kishte dy prijës të mëdhenj për ta udhëhequr në jetë, Jezunë dhe Skënderbeun. Para marrjes së çdo vendimi do të pyeste veten: Çfarë do të bënte Krishti me këtë rast?”
Ç’ kërkojmë argument më të fortë për të kuptuar pikëpamjet e tij mbi besimin dhe ungjillin që predikoi tërë jetën?!
Së këndejmi, edhe pohimi i Alfred Uçit se Noli në poezinë “‘Tallja përpara kryqit’ e cilëson figurën e Krishtit një trillim që u ka shërbyer forcave obskurantiste” (Alfred Uçi, Simbolika mitologjike te Noli, në: Noli, Vepra 7, Rilindja, Prishtinë, 1988, 295. Shih edhe: A. Uçi, Mitologjia, folklori, letërsia, Naim Frashri, Tiranë, 1982), është i paqëndrueshëm dhe tendencioz.