Pas një viti me sfida dhe suksese, Teatri “Bekim Fehmiu” nis vitin 2025 me ambicie të reja

Kultura

Pas një viti me sfida dhe suksese, Teatri “Bekim Fehmiu” nis vitin 2025 me ambicie të reja

Më: 8 janar 2025 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

Drejtuesit e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren kanë vlerësuar se viti i shkuar ka qenë i suksesshëm për këtë trupë, pavarësisht sfidave ekzistuese. Në bilancin pozitiv janë listuar premierat e dhëna, pjesëmarrja në festivale të ndryshme, sikurse edhe çmimet e mirënjohjet e pranuara, por edhe bashkëpunimet dhe projektet e realizuara. Mirëpo kthimi i këtij Teatri në fund të vitit në objektin e rinovuar është përjetuar si shpresë për arritje edhe më të mëdha në vitin 2025.

Drejtori i Teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa ka theksuar se viti i shkuar ka qenë sfidues, por edhe i bukur shkaku i arritjeve të ndryshme.

Sipas tij, në janar të vitit 2024 është realizuar premiera e shfaqjes “Audienca” me tekst të Vaclav Havel dhe regji të Bashkim Ramadanit.

Kjo shfaqje u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe rrugëtoi edhe në festivale ku edhe u shpërblye. Për të vazhduar pastaj me shfaqjen për fëmijë “Pula Pispilluqe me Çizme të Kuqe,” me tekst dhe regji të Meli Qenës, shfaqje e cila mbushi sallën plot sa herë që u shfaq”, ka bërë të ditur Mustafa.

Sipas tij, në repertor janë kthyer edhe dy shfaqjet madhore: “Fausti,” koproduksion me Teatrin e Gjilanit dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe “Masë për Masë,” koproduksion me Teatrin e Gjakovës.

Ndërkaq në partneritet me “Alb Obscura” është realizuar edhe premiera e monodramës “Dr. Zhivago” me tekst dhe regji të Mahir Musliut.

Në tetor të vitit 2024, sipas Mustafës është realizuar edhe premiera e shfaqjes “Ping Pong dhe Dashuri” me tekst dhe regji të Butrint Pashës, që ishte edhe fitues i platformës për zhvillimin e dramës bashkëkohore shqipe “Contempora,” të organizuar nga teatri “Bekim Fehmiu”.

Po ashtu, në tetor u shpall thirrja për dramaturgët për të aplikuar në edicionin e dytë të “Contempora.” Interesimi ishte jashtëzakonisht i mirë dhe ky edicion do të mbahet në muajt e parë të 2025”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij më 22 tetor 2024 ka filluar edhe projekti laborator “Krejona” me regji të Kaltrim Balajt, që do të shfaqet premierë gjatë muajit janar të vitit 2025.

Orari i shfaqjeve për muajin janar në Teatrin “Bekim Fehmiu”

Drejtori Mustafa ka shtuar se këto shfaqje janë paraqitur edhe në festivale të ndryshme, me ç’rast “Audienca” është shfaqur në edicionin e III-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Prizren Fest.

E njëjta ka qenë pjesë edhe e edicionit të 14-të të festivalit “Etno Fest” në Kukaj, ku është shpërblyer me katër çmime, respektivisht për aktorin më të mirë: Ernest Malazogu, skenografinë më të mirë: Burim Arifi, regjinë më të mirë: Bashkim Ramadani dhe shfaqjen më të mirë.

Ai ka pohuar se në edicionin e 54-të të Festivalit të Teatrove Ferizaj, shfaqja “Audienca” është shpërblyer me çmimin për aktorin më të mirë në rol kryesor: Ernest Malazogu.

E njëjta shfaqje ka marrë pjesë edhe në edicionin e parë të festivalit pa karakter garues “Gjakovart” në Gjakovë dhe në Festivalin e Teatrove në Suharekë.

Mustafa ka njoftuar se në Festivalin Tradicional të Komedisë “Mitrix Fest” në Mitrovicë, shfaqja “Ping Pong dhe Dashuri” është shpërblyer me çmimin për skenografinë më të mirë dhe teatri “Bekim Fehmiu” me mirënjohje për partneritet.

Ndërsa në muajin nëntor, Festivali i Shekspirit në Vlorë është hapur me shfaqjen “Masë për Masë”, që është koproduksion me Teatrin “Hadi Shehu”.

Angazhimi i këtij teatri është vlerësuar edhe nga Komuna e Prizrenit.

“Në ceremoninë “Laureatët e Vitit” e organizuar nga Komuna e Prizrenit, aktorja jonë Edona Sopaj u shpall Laureate për Teatër, duke u vlerësuar për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm në tre role teatrore gjatë vitit 2024. Ndërsa Teatri “Bekim Fehmiu” u nderua me Mirënjohje për Kontribut në Fushën e Kulturës për vitin 2024, duke përforcuar rolin tonë si qendër e artit dhe kulturës në qytet”, ka theksuar Mustafa.

Gjatë vitit të shkuar ky teatër është përfshirë edhe në programin “Arti në shkolla” organizuar nga MKRS-ja, ku nxënësit e katër shkollave të Prizrenit kanë zhvilluar orë mësimore me aktorin Xhevdet Doda, i cili ka ofruar shpjegime për teatrin dhe punën e aktorit.

Ndërkohë që drejtori Mustafa me ftesë të ambasadës franceze ka vizituar edicionin e 78-të të Festivalit të Teatrove në Avignon të Francës.

Ndërsa në fund të nëntorit, pas më shumë se dy viteve jashtë objektit, ky teatër është kthyer në dërrasat e skenës së Teatrit të Qytetit.

Në objektin e renovuar tashmë mbahet repertori i rregullt i Teatrit të Qytetit, por edhe aktivitete të jashtme kulturore të shumta, për mbarëvajtjen e të cilave kujdeset teatri”, ka thënë Mustafa.

Për më shumë, sipas tij, në dhjetor, aktorët e Teatrit kanë nënshkruar edhe kontratat e reja të punës me afat të pacaktuar sipas ligjit përkatës.

Mustafa ka nënvizuar se të arriturat në 2024 do të ishin të pamundura pa punë ekipore dhe për këtë arsye ka shprehur mirënjohje për aktorët, stafin administrativ dhe tekniko-artistik dhe të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm, por edhe publikun që shërben si burim i motivimit.

“Besoj fuqishëm se viti 2025 do të jetë një kapitull i ri dhe emocionues për Teatrin “Bekim Fehmiu”. Me objektin tonë të renovuar dhe kushte më të mira pune, jemi gati të sjellim një ofertë teatrore më të pasur dhe më të fuqishme artistikisht”, është shprehur Mustafa. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat