Bisedë me poeteshën dhe gazetaren Delvina Kërluku: Gazetari duhet të tregojë empati dhe sinqeritet

Kultura

Bisedë me poeteshën dhe gazetaren Delvina Kërluku: Gazetari duhet të tregojë empati dhe sinqeritet

Më: 8 janar 2025 Në ora: 15:10
Delvina Kërluku

Mes fituesve të çmimit shtetëror "Mito Haxhi Vasilev – Jasmin" për këtë vit është poetesha dhe gazetarja Delvina Kërluku, e cila ka eksperienca të rëndësishme dhe të thella si në krijimtarinë poetike ashtu edhe në punën gazetareske.

Fituesja e çmimit shtetëror "Mito Haxhi Vasilev – Jasmin" për publicistikë, Delvina Kërluku, pati një fjalim emocionues gjatë dorëzimit të çmimit më 21 dhjetor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Pasi falënderoi komisionin dhe familjen, ajo theksoi edhe delikatesën e punës publicistike. Po ashtu, ajo shprehu ndjenjën e nderit dhe gëzimit për çmimin që e mori.

Cila është veçantia e çmimit shtetëror "Mito Haxhi Vasilev – Jasmin" krahas çmimeve poetike që keni marrë më parë?

Çmimi shtetëror "Mito Haxhi-Vasilev Jasmin" është një vlerësim shumë i veçantë dhe i rëndësishëm për mua, pasi ai reflekton si në njohje jo vetëm të krijimtarisë poetike, por edhe të përkushtimit dhe pasionit tim për fushën e publicistikës. Ky çmim është i lidhur me një figurë të shquar të kulturës gazetare dhe ka një rëndësi të veçantë për autorët që e marrin këtë çmim, duke u theksuar jo vetëm vlerësimi i fjalës, por edhe delikatesa dhe përgjegjësia e punës gazetareske, e cila është një fushë që kërkon vëmendje të veçantë për të dhënë një pasqyrë të drejtë dhe të kujdesshme të realitetit. Në raport me çmimet për poezinë që kam marrë më parë, ky çmim shtetëror është një njohje e veçantë e bashkëveprimit mes letërsisë dhe publicistikës - gazetarisë, dhe gjithashtu i jep një dimension më të gjerë dhe më të thellë përkushtimit tim në shërbim të komunitetit dhe shoqërisë. Pra, ky çmim është shumë i çmuar për mua, meqë më ndahet për veprën që më ka bërë të identifikohem me personazhet për fatin a fatkeqësinë e tyre.

Në çfarë konsiston delikatesa e punës gazetareske si njohuri nga përvoja Juaj personale?

Delikatesa e punës gazetareske konsiston në balancimin e saktë të fakteve, interpretimit të drejtë dhe ruajtjes së etikës profesionale. Nga përvoja ime personale, është thelbësore të jesh i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm ndaj informacionit që paraqet, duke u siguruar që nuk dëmton individët, grupet apo shoqërinë. Publicistika ka një detyrë të madhe për të dhënë pasqyrën më të drejtë të ngjarjeve, pa e deformuar realitetin për arsye ideologjike, komerciale apo të tjera.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm janë emocionet dhe ndjenjat e personave që përmenden ose intervistohen, veçanërisht në temat e ndjeshme si tragjeditë, problemet sociale apo ato të natyrës personale. Gazetari duhet të tregojë empati dhe ndershmëri, duke ruajtur gjithmonë një qëndrim të balancuar dhe të paanshëm.

Përvoja më ka mësuar se është e rëndësishme të përballemi me sfidat e informacionit të shpejtë dhe të saktë, si dhe të përpiqemi të ruajmë besueshmërinë dhe autoritetin në raportimin e çështjeve të rëndësishme shoqërore.

Deri tani keni publikuar më shumë vëllime poetike. Si është dhe sa i madh është bagazhi Juaj publicistik?

Ka më shumë se një dekadë që kam filluar të shkruaj opinionet e mia në gazetat brenda dhe jashtë vendi. Opinione që ngërthejnë analiza për çështje të ndryshme, shpesh me ndikim në mendimin publik. Shkrime këto që lidhen me ngjarje aktuale, çështje sociale, politike, kulturore dhe ekonomike. Bile, në shkrime përfshihen edhe analiza më të thelluara, kërkime dhe argumente që ndihmojnë në formimin e qëndrimeve të publikut rreth temave të caktuara. Nga 11 libra që i kam publikuar deri më tani, tre janë në fushën e gazetarisë: Im At dhe këlyshët e Titos; Shpresë e Venitur; Ndryshe me.., (Jam e lumtur dhe e nderuar si gazetare që kam realizuar intervistën e fundit me kolosin e poezisë, përkthimit dhe kulturës në republikën tonë, Mateja Matevski), poashtu në vitin 2025, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, do të vjen libri tjetër me publicistikë: “Përtej ure një Flamur”.

Çfarë ekuilibri bëni midis poetikës dhe gazetarisë, të cilat bazohen në themele diametralisht të kundërta – krijimtarinë artistike kundrejt fakteve?

Poezia fokusohet në lirinë e krijimtarisë, emocionet dhe metaforat, ndërsa gazetaria mbështetet te saktësia, objektiviteti dhe faktet.

Ja disa aspekte që mund të shqyrtohen lidhur me këtë debat:

Qëllimi dhe konteksti: Poezia ka si qëllim krijimin e një efekti artistik, shpërfaq emocione të thella njerëzore ose paraqet një vizion personal të botës. Ndërsa në gazetari, qëllimi është të informohet publiku, të jepet kontekst i ngjarjeve, shpesh në formën e një paraqitjeje objektive dhe të verifikueshme të fakteve. Prandaj, liria artistike në poezi mund të jetë e kundërt me kërkesën për saktësi dhe paanshmëri në gazetari.

Balansi mes këtyre dy elementeve mund të arrihet kur gazetarët ose shkrimtarët kombinojnë fuqinë e gjuhës poetike me përgjegjësinë për fakte. Unë, veçanërisht në gazetari dhe atë analitike dhe eseistike, kam përdorur elemente poetike për të krijuar imazhe të forta, shumë vizuale dhe emocionuese, që tërheqin vëmendjen dhe nxjerrin në pah mendime, por këtë e kam bërë duke ruajtur saktësinë e informacionit.

Pra, ndonëse poezia dhe gazetaria qëndrojnë mbi baza të ndryshme – virtualiteti dhe faktet – ato mund të kombinohen dhe bashkëpunojnë në kontekste të caktuara. Gazetarët dhe shkrimtarët që dinë të përdorin këto elemente të ndryshme mund të krijojnë jo vetëm tekste informuese, por edhe emocionale dhe intelektuale që nuk është vetëm që transmetojnë fakte, por gjithashtu i pasurojnë ato me thellësi dhe kuptim.

Jeni pjesë e redaksisë së revistës “Stozher” të botuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë. Mbi çfarë e bazoni misionin tuaj në punën me kolegët tuaj në SHSHM?

SHSHM është shtëpia e shkrimtarëve. Revista “Stozher” (Shtylla) organ i shoqatës e cila është vatra që bashkon shkrimtarin me shkrimtarin dhe lexuesin me shkrimtarin, por dhe anasjelltas. Si pjesë e kryesisë në shoqatë, në periudhën prej vitit 2018 – 2022, m’u dha rasti të jem anëtare e redaksisë në dy mandate. Unë jam përpjekur që veprat e autorëve që janë në majë të letërsisë shqiptare t’i publikojmë në revistën tonë. Të njëjtën gjë e kam bërë, për autorët eminent maqedonas, ku janë publikuar në revistën për art dhe letërsi “Exlibris”, e Shtëpisë botuese Onufri në Tiranë. Mund të them që në shtetin tonë revista “Stozher”, përmbledh intelektualët më me peshë, kjo bën që të mësojmë nga njëri – tjetri.

Sipas Jush, kush mund të ndihmojë më shumë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më humane – poezia apo gazetaria?

Poezia, si pjesë e artit, fal dashuri dhe afron kombet, gazetaria bashkon njerëzit në një shteg, në të drejtën dhe të vërtetën. Janë dy fusha që zhytem të lundroj me plot ëndje.

Biseda është botuar në “Sloboden Pecat” – Shkup – përktheu në gjuhën shqipe Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat