Përmbledhje e terminologjisë së punës sociale

Kultura

Përmbledhje e terminologjisë së punës sociale

Nga: Ferdi Kamberi, profesor universitar Më: 8 janar 2025 Në ora: 21:14
Kopertina e librit

Sfondi i librit:

Libri me titull ‘‘Përmbledhje e terminologjisë së punës sociale’’ është një tekst universitar dhe një libër përmbledhës i termave të shkencave sociale, respektivisht të punës sociale, të cilin duhet ta kenë profesionistët e punës sociale. Ky libër është libri im i katërt dhe është një tekst universitar i cili mund t’ju shërbejë studentëve të fushës së shkencave sociale dhe jo vetëm. 

Siç dihet puna sociale, sot konsiderohet se është një veprimtari e gjerë shkencore e cila ngërthen në vete së paku tri elemente kryesore: është veprimtari profesionale, art dhe shkencë. Punëtorët socialë sigurojnë shërbime sociale për qytetarët, të cilët kanë nevojë dhe këtë e sigurojnë mbi bazën e dokumenteve ndërkombëtare, Kushtetutës së vendit, akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe kodit etik, i cili bazohet në vlera njerëzore, duke i trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pa ndonjë dallim. 

Ky libër është i shkruar në atë formë që ofron shpjegime epistemologjike të termave me të cilët sot punojnë punëtorët socialë.

Duke marrë parasysh faktin që profesioni i punës sociale në Kosovë ka një histori të gjatë, por që në vitet e fundit është vënë në qendër të vëmendjes për shkak të ndryshimeve sociale, ka munguar një libër i përmbledhjes së termave shkencorë dhe administrativë, i cili njëherazi do të ishte edhe udhëzues i mirë për nevojat e secilit punëtor në qendrat për punë sociale dhe profesionistët e tjerë të cilët direkt dhe indirekt merren me ofrimin e shërbimeve sociale. Sa i përket metodologjisë së këtij libri, mund të themi se fillimisht është bërë analiza e përmbajtjes së këtij teksti, duke analizuar për së afërmi nevojat e studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale. Mbi bazën e kësaj analize janë analizuar tekste universitare në gjuhën shqipe dhe angleze, dokumente shkencore, revista me impakt faktorë, ueb faqe të ndryshme, të cilat kanë pasur informata cilësore në sfondin social, si dhe dokumente të tjera relevante përmes së cilave është bërë edhe shqyrtimi i literaturës për librin në fjalë. Libri i cili njëherazi është tekst universitar, fokus të veçantë ka pasur disa tekste universitare të huaja me autorë kredibil ndër ta: Barker, Aronson, Crandall, Diana Kendell Garthëait, Pierson, Sturtridge, Mayers, Giddens, Dragoti, Karaj, Nushi etj., pastaj dokumentet/aktet/deklaratat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, sidomos nga organizatat ndërkombëtare si: OKB, BE, WHO, UNICEF, NASW, UNHCR dhe Kushtetutën e legjislacionin kosovar, i cili ka të bëjë me punën sociale. E gjithë kjo literaturë është analizuar dhe shqyrtuar me kujdes dhe mbi bazën e saj edhe është strukturuar ky tekst universitar. Gjithashtu, përmes metodës deskriptive janë analizuar dhe përshkruar edhe të dhëna të tjera të cilat ndërlidhen ngushtë me termat e pasqyruar në tekst.

Struktura e librit:

Struktura e këtij libri është ndarë në dy pjesë kryesore: pjesa e parë, e cila fokus ka përmbledhjen e termave administrativë të punës sociale dhe pjesa e dytë, e cila i atribuohet përmbledhjes së termave shkencorë të punës sociale:

  1. Në pjesën e parë, termat e përmbledhur janë nxjerrë kryesisht nga legjislacioni vendor me të cilin punojnë profesionistët e fushës sociale dhe sipas renditjes alfabetike janë vendosur në tekst.
  2. Në pjesën e dytë, termat e përmbledhur janë të vendosur mbi bazën e analizave shkencore të cilat përdoren me menaxhimin e rasteve gjatë praktikës së punës sociale.

Ky libër është një tekst universitar dhe është shkruar mbi bazën e nevojave të studentëve të programit ‘Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale’ në kuadër të Fakultetit të Shkencave Sociale pranë Universitetit ‘Fehmi Agani’ në Gjakovë dhe është nevojë e domosdoshme për profilin e punëtorëve social të së ardhmes.

Libri synon të mbushë boshllëkun e profesionit të punës sociale, i cili ka munguar në profilin e shkencave sociale. Përmes përmbledhjes së termave administrativë dhe shkencorë, libri synon që të shpalosë termat kryesorë me të cilët ballafaqohen çdo ditë pothuajse këshilltarët socialë. Përmbledhjet e termave të cilët janë paraqitur në libër nuk janë vetëm terma të thjeshtë, por janë terma të cilët janë analizuar me kujdes edhe gjatë diskutimeve me shumë këshilltarë socialë, ata janë përpunuar dhe janë vendosur të pasuruar me një literaturë bashkëkohore.

Targeti i librit:

Si libër u shërben studentëve të shkencave sociale dhe humane, profesorëve në zhvillimin e lëndëve me bazë të profilit social, punëtorëve të qendrave për punë sociale, nivelit qendror dhe lokal, organizatave joqeveritare vendore e ndërkombëtare, komuniteteve dhe grupeve sociale, shoqërisë së gjerë dhe jo vetëm.

Kontributi i akterëve të tjerë në libër:

Lidhur me finalizimin e këtij libri kanë dhënë një kontribut të madh edhe profesionistë të fushës dhe akterë të rëndësishëm.

Recensentët të librit janë: Prof. Dr. Ali Pajaziti nga Universiteti i Evropës Juglindore – Maqedonia Veriore, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe Prof. Asoc. Dr. William Henninger IV nga Ceder Falls University of IOWA në SHBA. Parathënia e librit është shkruar nga eksperti i çështjeve sociale Vebi Mujku, redaktura gjuhësore nga profesori prof. Ass. Dr. Flamur Maloku dhe redaktimi i përgjithshëm nga Arsim Murseli, përderisa dizajni është përgatitur nga Bardh Abazi dhe libri është shtypur nga Printing Press Prishtina. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe në prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni dhe Blerim Shabani nga Asoscioni i Qendrave për Punë Sociale në Kosovë. Po ashtu, botimi i librit është përkrahur pjesërisht edhe nga Instituti i Sociologjisë, Kërkimeve Demografike dhe Inovacionit – ISDI  dhe komuna e Fushës Kosovës – Drejtoria e Kulturës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat