Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë, 6 veprat më të mira të vitit

Kultura

Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë, 6 veprat më të mira të vitit

Më: 10 janar 2025 Në ora: 16:47
Foto nga vendi i ngjarjes

“Fati i marrë” nga Besnik Mustafaj u shpall romani më i vitit nga Qendra Kombëtare e Librit që ndau këtë të premte çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2023.

Çmimi, që autori i njohur ia dedikoi djalit, iu dha me motivacionin “për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave; dhe Fati i Marrë i Shqipërisë, kthehet në Fatin e Bukur, që si një shi i butë, pasuron e mbush me imazhe të pasura shqipen dhe të bën të ëndërrosh për historinë“.

Për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”, që dokumenton Shqipërinë e mesjetës, Pëllumb Xhufi, fitoi çmimin vepra më e mirë e vitit, për “hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare“.

Ndërsa Shpëtim Kelmendi mori çmimin vëllimi më i mirë me tregime me “Dashnia asht”, me motivacionin “për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë, autori na fton të dëshmojmë bukurinë pa e prekur, duke na dhuruar një përvojë letrare që ngjall emocione dhe meditime të thella”.

Me motivacionin për pasurimin e poezisë shqipe me zërin e saj lirik unik, Entela Tabaku mori çmimin vëllimi më i mirë poetik, “për eksplorimin mjeshtëror në poezinë e saj të brishtësisë; për mënyrën se si përvojat e saj personale filtrohen në një gjuhë poetike më të madhe se jeta, duke kapur thelbin e emocioneve njerëzore me imagjinatë të gjallë dhe thellësi të jashtëzakonshme”.

Ana Kove u vlerësua me përkthimin më të mirë, me veprën “Daullja prej llamarine” të Gunter Grass, “për eksplorimin e hapësirave më intime brenda nesh; me një gegnishte kumbuese e me një ndjeshmëri të rrallë, autori na fton të dëshmojmë bukurinë pa e prekur, duke na dhuruar një përvojë letrare që ngjall emocione dhe meditime të thella”.

Ndërsa libri më i mirë për fëmijë iu dha Ledjana Brahos për veprën “Kroni dhe Pulëbardhat”, “për kurajën e trajtimit të temave të forta bashkëkohore në raport me fëmijët dhe prindërimin, për rrjedhshmërinë e stilit dhe mënyrën origjinale të rrëfimit në vetën e parë, që nga momentet e para të jetës deri në eksplorimin e botës përreth”.

Në aktivitetin e ndarjes së çmimeve, kryetari i jurisë, Koloreto Cukali dhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, theksuan rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe përmes zhvillimit dhe mbështetjes së letërsisë.

“Të mbështesësh letërsinë, është gjëja më e rëndësishme për të mbrojtur kombin. Sepse po jetojmë në një kohë të vulgaritetit të mendimit, që vjen nga vulgariteti i gjuhës. Për të shpëtuar kombin, duhet të shpëtojmë shqipen dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të investojmë në letërsi”, u shpreh Cukali.

“Letërsia është motori që e mban gjuhën gjallë dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Shkrimtarët i japin gjuhës shprehje të reja, e pasurojnë atë dhe e mbrojnë nga harresa apo varfërimi. Ndërmjetës mes brezave, letërsia lidh të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes tyre. Nëpërmjet saj, ide, histori dhe vlera kalojnë nga një brez te tjetri. Ajo është zëri i ndryshimit dhe reflektimit .Në shumë raste, letërsia është pasqyra që shfaq realitetin shoqëror dhe politik të një kohe”, u shpreh Bardhyli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat