Kanë gati dy muaj që kanë hyrë në grevë, por deri më tani kërkesat e tyre nuk janë adresuar.
Ata janë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilët tashmë kanë vendosur të pezullojnë grevën përgjatë fushatës politike zgjedhore.
Kështu ka njoftuar Sindikata e Artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (SHSATKK).
“Pas një greve 54-ditëshe, përkundër kërkesave tona të vazhdueshme për ekuivalentimin e koeficienteve të pagave për aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ende nuk ka shenja konkrete se diçka po ndërmerret për të adresuar këtë çështje”.
“Duke qenë të vetëdijshëm se prej sot Kosova hyn në fushatë zgjedhore, dhe duke marrë parasysh se çdo veprim publik i yni – përmes performancave alternative, protestave apo debateve mediatike – mund të interpretohet si anim politik, kemi vendosur që gjatë kësaj periudhe të zhurmshme zgjedhore aktivitetin tonë sindikal ta vazhdojmë përmes heshtjes duke besuar se heshtja jonë do të dëgjohet dhe kuptohet si një kambanë alarmi”, ka thënë kryetarja e SHSATKK-së, Sheqerie Buçaj.
Ajo tha se pas përfundimit të fushatës zgjedhore, aktorët do të vazhdojnë me aktivitete tjera sindikale “deri në realizimin e kërkesave tona të drejta”