Nga fjala e Preç Zogaj në takimin promovues të përmbledhjes së tij poetike: Poezia, si përtejmja e këndejme

Kultura

Nga fjala e Preç Zogaj në takimin promovues të përmbledhjes së tij poetike: Poezia, si përtejmja e këndejme

Më: 12 janar 2025 Në ora: 20:08
Preç Zogaj

Në vitin 1989, pra reth 36 vjet më parë, kam shkruar një poezi me titullin “Te uji i ftohtë në Tepelenë”. Katër-pesë poetë të rinj aty, njëri prej të cilëve isha unë, “mbajmë vesh në eter”, teksa ndjejmë se “përjetësia përgjon mbi çastin” njëlloj si shushurima e ujrave. Ndërkohë që çastet, ngarkuar me imazhet e reales treten pandërperë në oqeanin e madh të kohës që shkon.

Sot duke kaluar nga Uji i Ftohtë në rrugën për këtu mu duk sikur u ktheva në skenën e asaj poezie me një pyetje të re: Çfarë dëgjonin, çfarë shihnin në etër ata djem?

Mund të jetë një nga rastet kur përgjigjet kanë lindur përpara pyetjes, pra përgjigja e ngre pyetjen aposteri, shumë vite më vonë, siç më ndodhi sot mua.

Përgjigjet i gjejme në krijimtarinë më të mirë poetike të Ilirian Zhupës, Petrit Rukës… E po ta zgjerojmë tryezën e asaj ditë me emra të tjerë të kësaj treve që nuk ishin të pranishëm, përgjigjet i gjejmë po ashtu te poezia më e mirë e Sadik Bejkos, Odise Kotes, Gëzim Bashës, Mero Bazes; i gjejmë te nobelistët formale apo joformalë të rangut të Borhes, Elytesit të Greqisë, Kadaresë sonë e sa të tjerëve që e kanë veshur me yje gjeninë njerëzore.

Përgjgija është: Po shikojnë në botën e poezisë, po qëndrojnë për disa çaste në botën e poezisë, që është bota tjetër, e përtejmja, jo ajo religjiozja e përtej jetës, jo ajo posmortum, por e një pertejme e këndejme, “realiteti i dytë, i vendosur mbi ketë ku natyrisht rrojmë”, siç thotë Elytis në fjalën e tij, mbajtur në akademinë e Stokholmit me rastin e marrjes së çmimit Nobël. Një realitet që na takon, por nga paaftësia jonë nuk e kemi arritur, shton ai më tej ai.

Kjo është bota e artit, e shpirtërores, e transhendetales, një botë pa kufinj pavarësisht se në çfarë gjuhe shprehet dhe cilës kohë dhe traditë i ngjan. Aq e vertetë është kjo mrekulli, në çfarëdo permase të manifestimit të saj, sa po të qëndrojmë te lirika e dashurisë në folklorin tonë, do të “zbulojnë” se Shqipëria e gjithë koherave është e bashkuar si në asgjë tjetër në vetëdijen estetike për të bukurën, për etikën, finesën, në përjetimin dhe shprehjen e tyre me “gjuhën tjetër” të artistikës që lind si një e folur me vete dhe jeton si vetjake edhe në bartjen kolektive.

Bota e poezisë shndrit nga kulti i të bukurës dhe virtyti i të kuptuarit. Bota e poesisë humanizon dhe pranon edhe vdekjen.

Kur poetët i ftojnë njerëzit të jetojnë me poezinë është njëlloj si tu thonë jetojeni të përtejmen e këndejme këtu, tani.

Janis Ricis ka një varg të cilin e kam cituar në një poezi me titullin “Eja në botën e poezisë” shkruar në vitin 1987. Vargu është : “Si jetojnë njerëzit pa poezinë”? Merret vesh: nuk është një qortim për ata që nuk lexojnë. Është para së gjithash një formë e lartësimit të poezisë.

Për të ilustruar ketë vizion të se përtejshmes së këndejshme, kisha ndërmend ta lexoja këtu “Eja në botën e poezisë”. Po ma “ dogji” Vasili që e recitoi më parë bashkë me dy të tjera të faqeve të para të librit tim, ku janë renditur poezitë e para vitit 1990.

Atëherë, para se ta mbyll këtë fjalë spontane, më lejoni të lidh me një fluturim pindarik kohët e poezive të përmbledhjes që po diskutojmë sot dhe të ndaloj te poezia “Balada e skuqjes”, nga e cila po lexoj dy fragmente:

Balada e skuqjes

xxx

Prej se kisha lindur në plotësim lutjesh

dhe prindërit e mi i njihte Jezusi,

u bësh një djalë që skuqej shpejt, pa shkak.

Duke ndjekur fekondimin e luleve – sa turp!

Duke ngrënë bukë – a nuk është mëkat?

Kjo vazhdoi gjatë, gjatë…

Kujtimet e mia të paharruara

janë prej këtij purpuri të turpit.

Trëndafili im në fytyrë, damka.

Shtriga pafajësi që s’më lëshon, plaga.

Ngjyra e dëgjimit, e heshtjes- reticensa

për fjalë të pathëna që ngecin në vena

dhe i vesh kuqëlimi

si të jem unë gabimi.

xxx​

Por…por…

U bënë ca kohë nuk po skuqem më!

Vena ime e ndjeshme pushoi së vluari.

Vdiq Euripidi që mendoja se isha.

Kaq inerte lëkura që më mbështjell

sa nuk jep njollë në të as skena

me vithe grash që ngrihen rrufeshëm

dhe marrin me vetë historinë e epokës

kur fjalën përgatitet të marrë Udhëheqësi.

Tepër gur,

lutem të më kthehet

dhuntia e humbur.

Vetëm purpurimi

ia del të thotë

diçka që s’thuhet.

Shkurt, 2018 – Qershor, 2020

*Pjesë nga e folura e poetit Preç Zogaj në takimin promovues të përmbledhjes poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokëstër”./Liberale

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat