Frojdi, Niçe, Marksi: Mjeshtrat e Dyshimit

Kultura

Frojdi, Niçe, Marksi: Mjeshtrat e Dyshimit

Më: 13 janar 2025 Në ora: 12:30
Frojdi, Niçe, Marksi

Filozofi francez Paul Ricoeur hodhi dritë mbi mënyrën se si njeriu përpiqet të kuptojë botën e brendshme dhe realitetin e jashtëm. Ai identifikoi dy shtysa themelore në filozofi: “vullnetin për dyshim” dhe “vullnetin për dëgjim”, që janë bazat e Hermeneutikës, apo arti i interpretimit. Sipas Ricoeur, “vullneti për dyshim” përfaqëson nevojën për të tejkaluar mendimin klasik të Dekartit, i cili e bazonte filozofinë mbi idenë e një realiteti të qartë dhe të padyshimtë: Cogito, ergo sum (“Mendoj, pra jam”).

Por për filozofët e shekullit XIX, kjo qasje u duk e thjeshtëzuar. Ricoeur i referohet kësaj epoke si “Shkolla e Dyshimit”, një periudhë që hedh poshtë të vërtetat absolute të shoqërisë, shkencës dhe ekonomisë. Ai veçon tre figura qendrore që shpalosën fuqitë e fshehta që ndikojnë në veprimet njerëzore: Karl Marks, Friedrich Niçe dhe Sigmund Frojd. Këta mendimtarë shpërfaqën mënyrën se si nën sipërfaqen e vetëdijes njerëzore, fshihet një botë e errët dhe komplekse.

Karl Marks: Ekonomia si luftë për pushtet

Marksi ndryshoi përgjithmonë mënyrën si e kuptojmë shoqërinë dhe ekonominë. Ai analizoi botën kapitaliste në ngritje, duke vënë në dukje konfliktin midis dy klasave kryesore: borgjezisë (ata që zotërojnë mjetet e prodhimit) dhe proletariatit (ata që shesin fuqinë e tyre punëtore). Për Marksin, ky konflikt është zemra e çdo shoqërie kapitaliste dhe shpjegon ndryshimet sociale, politike dhe ekonomike.

Teoria e tij mbi luftën e klasave nuk ishte thjesht një analizë; ajo u kthye në një thirrje për revolucion, duke frymëzuar lëvizje që kanë formësuar historinë e shekullit XX. Nëpërmjet kësaj lenteje, Marksi tregonte se fuqitë ekonomike të fshehura i japin formë realitetit tonë, më shumë sesa mund ta kuptojmë.

Friedrich Niçe: Vullneti për pushtet

Niçe sfidoi themelet e moralit dhe filozofisë perëndimore duke propozuar një qasje krejtësisht ndryshe: “vullnetin për pushtet”. Ai besonte se kjo ishte forca më e thellë që shtyn njeriun drejt krijimit, transformimit dhe mbijetesës.

Përmes konceptit të tij të “shpirtit dionizian”, Niçe fton të pranojmë jetën me të gjitha kundërshtitë e saj, duke kaluar përtej kufizimeve të moralit tradicional dhe dogmave shoqërore. Megjithatë, ai gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e shkatërrimit të këtij vullneti nga normat e ngurta që e zbehin origjinalitetin njerëzor.

Sigmund Frojd: Misteret e pavetëdijes

Frojdi, babai i psikoanalizës, revolucionarizoi mënyrën se si e kuptojmë mendjen njerëzore. Ai zbuloi se sjelljet dhe mendimet tona shpesh drejtohen nga forca të pavetëdijshme – konflikte, komplekse dhe dëshira që nuk i pranojmë hapur.

Për Frojd-in, pavetëdija nuk është thjesht një hapësirë e errët, por një burim krijimtarie dhe tensioni. Ai demonstroi se kjo botë e fshehur ndikon në artin, letërsinë, dhe çdo formë të shprehjes njerëzore. Psikoanaliza e tij jo vetëm që transformoi psikologjinë, por u bë një instrument për të kuptuar më mirë shoqërinë moderne.

Triumfi i dyshimit

Marksi, Niçe dhe Frojdi na lanë një trashëgimi të përbashkët: ata shkatërruan iluzionin e një të vërtete absolute dhe universale. Ata mbollën dyshimin, pra atë vullnetin për të hetuar thellësisht arsyet e fshehura pas çdo bindjeje dhe veprimi.

Këta “mjeshtra të dyshimit” na mësuan se njeriu është më kompleks dhe më i mistershëm sesa duket. Nëpërmjet tyre, bota nuk është më një hapësirë e qartë dhe lineare, por një mozaik i pasur interpretimesh dhe sfidash, ku e vërteta është gjithmonë në diskutim. / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat