​Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë me 50 për qind më shumë vizitorë

Kultura

​Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë me 50 për qind më shumë vizitorë

Më: 15 janar 2025 Në ora: 09:14
​Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë me 50 për qind më shumë vizitorë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë të Shqipërisë gjatë vitit 2024 pati një fluks të shtuar vizitorësh, nga brenda dhe jashtë vendit.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha për ATSH-në se, për vitin 2024, vizitueshmëria u rrit me rreth 50% më shumë se një vit më parë. Shifra arriti në mbi 37 mijë vizitorë: 21 mijë prej tyre vizituan MKAM, 15 mijë ishin vizitorë të Muzeut të Arsimit dhe 1425 të Muzeut Arkeologjik të Korçës i cili përkohësisht është i mbyllur për restaurim.

Muzeu i Arsimit dhe Muzeu Arkeologjik administrohen nga MKAM.

Ndryshe nga muzetë e tjerë ku shumicën e vizitorëve e përbëjnë turistët e huaj, interesant është fakti se Muzeu i Arsimit u vizitua kryesisht prej vizitorëve vendas dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Drejtoresha e MKAM, Fjoralba Prifti, tha se për vitin 2025 janë në program një sërë aktivitetesh mes të cilave botimi i nr. 3 të Revistës “Mbi Artin Mesjetar”, botim i përvitshëm i muzeut, ku studiues të njohur e specialistë referojnë me artikuj të ndryshëm.

Duke qenë se ky vit përkon me 45-vjetorin e MKAM, si dhe në kuadër të Ditës së Muzeve, MKAM do të organizojë ekspozitë, sesion shkencor, si dhe aktivitete të tjera, lidhur me programin “Edukimi mbi kulturën”.

Prifti tha se, janë në program punëtori, zhvillime bisedash, ekspozita, si dhe koncerte me nxënës të grupmoshave të ndryshme, raporton ATSH.

Disa nga këto aktivitetet do të zhvillohen edhe online si ekspozita “Origjina dhe artizanati” dhe cikli “Mes trashëgimisë kulturore dhe artit”. Këto aktivitete do të zhvillohen si online ashtu dhe në muze, ku ekspozohen objekte muzeale të etnografisë dhe zhvillohen takime me artizanë të ndryshëm të cilët do të flasin mbi punët e tyre.

Në kalendarin e aktiviteteve të MKAM, drejtoresha Prifti tha se janë vendosur edhe aktivitete të cilat muzeu i organizon në bashkëpunim me partnerë të tjerë, si në rastin e Javës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë.

Kjo qendër muzeore është një nga më të rëndësishmet në vend. Ajo u përurua më 24 prill 1980 dhe brenda saj zhvillon aktivitetin edhe Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave e cila vazhdon me një punë të përditshme projekte mbi restaurimin, konsolidimin studimin, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat