Organizuar për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës në Kosovë, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt edicioni i parë i ekspozitës "Çmimi William Walker".
Në këtë ekspozitë morën pjesë artistë nga rajoni dhe më gjerë, duke paraqitur punime që reflektojnë dhe dokumentojnë dhimbjen, vuajtjet dhe qëndresën e popullit shqiptar gjatë periudhës së luftës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, shprehu vlerësimin e tij për punën dhe përkushtimin e të gjithë artistëve pjesëmarrës. Ai theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar në veçanti rolin e Masakrës së Reçakut, që ndryshoi rrjedhën e historisë.
“Masakra e Reçakut ishte vetëm një nga qindra masakrat e kryera nga Serbia, por u bë simbol i gjenocidit dhe thirrje për drejtësi në arenën ndërkombëtare falë zërit të ambasadorit Walker. Sot, ne e nderojmë këtë kontribut përmes artit dhe kujtimit”, tha Aliu.
Çmimi kryesor, "William Walker", iu dha artistit Zenun Sherifi nga Maqedonia e Veriut, për veprën e tij mbresëlënëse që mishëron tragjedinë dhe guximin njerëzor.
Ekspozita u ideua dhe organizuar nga artistja Emine Jetishi, e cila me përkushtim të madh realizoi këtë iniciativë të veçantë për të reflektuar mbi historinë dhe për të mbajtur të gjallë kujtimin e sakrificës së popullit shqiptar.
Fituesit dhe pjesëmarrësit u vlerësuan nga një juri profesionale e kryesuar nga Fortesa Beqa-Arifi, Ilmi Sadiku dhe Muamer Sadiku, të cilët theksuan nivelin e lartë artistik të punimeve dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës përmes artit.
Ekspozita "Çmimi William Walker" pritet të bëhet një traditë e përvitshme, duke vazhduar të përkujtojë viktimat dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm për drejtësi dhe paqe.