Shkenca dhe kultura, nivelet më supreme të vetëdijes së një shoqërie

Kultura

Shkenca dhe kultura, nivelet më supreme të vetëdijes së një shoqërie

Nga: Prof.dr. Skender Asani Më: 17 janar 2025 Në ora: 14:02
Prof.dr. Skender Asani

Prezantimi i punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të Institutit tonë gjatë vitit 2024, që po e bëjmë sot, siç kemi vepruar për çdi vit, ndërlidhet me shënimin e dy përvjetorëve të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare : 557-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, si dhe 43-vjetorin e vrasësjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Këtë prezantim kemi mundur ta bëjmë të shkëputur nga përvejtorët e sipërpërmendur, mirëpo ne kemi zgjedhur pikërisht këto dy ngjarje, për t’i inkorporuar në kujtesën dhe në vëmendjen tonë si studiues, por edhe si publik më i gjerë, sepse vetëm duke iu rikthyer të kaluarës së lavdishme, ne mund ta trasojmë të ardhmen më të sigurt dhe më të dinjitetshme.

Dhe kur jemi te lavdia, një emër që nderoi jo vetëm kombin tonë, por edhe vlerat qytetëruese evropiane, ishte pa dyshim Gjergj Kastrioti Skenderbeu, figura e të cilit tani nuk na frymëzon për beteja ushtarake, por për beteja kulturore e civilizuese. Nëse Gjergj Kastrioti në mesjetë arriti të bashkojë principatat arbërore rreth një kauze çlirimtare, ne sot mbi atë kauzë mund të ndërtojmë një vizion të ri, duke u bërë bashkë rreth vlerave euro-atlantike, si udhërrëfim i përpjekjeve tona për një garë të shëndoshë në fushën e dijes, progresit dhe bashkëjetesës qytetare e fetare.
Insistuti ynë, edhe vitin e kaluar, përmes një pune intensive kërkimore-shkencore, që si produkt final pati botimet me interes të posaçëm, konferencat shkencore si dhe një sërë manifestimesh kulturore-shkencore, u etablua fuqishëm në agorën e shkencave albanologjike dhe dijeve interdisiplinare. Për rrjedhojë, Instituti ynë pikërisht në vitin paraprak u tregua një partner dinjitoz dhe kredibil në trekëndshin Shkup-Prishtinë-Tiranë, duke sjellë mjadje edhe ide e nisma mjaft kreative, që u vlerësuan lart nga bota shkencore e akademike si nga vendi, ashtu edhe nga rajoni dhe më gjerë. Botimet tona u prezantuan në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë dhe krahas kësaj, në katedrat universitare dhe tribunat e institueve shkencore të Prishtinës dhe Tiranës, studiuesit tanë u prezantuan denjësisht nëpër konferenca e tubime tematike shkencore.

Duke ndjekur modelin e institucioneve moderne botërore që merren me hulumtime dhe studime shkencore, ITSHKSH edhe vitin e kaluar vazhdoi me zgjerimin dhe shtrirjen e veprimtarisë së vet, edhe jashtë Shkupit, duke hapur edhe gjashtë qendra rajonale dhe dy departamente të reja.
Një nder dhe privilegj që i takoi Institutit tonë vitin e kaluar, ishte edhe distribuimi i Abetares së unifikuar, një veprimtari kjo që përfshiu shumicën e shkollave tona fillore, ku edhe një herë erdhi në shprehje nevoja për të pasur mjete të përbashkëta mësimore në mbarë hapoësirën shqiptare.

Ndërkaq, në vazhdën e takimeve dhe vizitave me karakter pune, do duhej veçuar hapjen e dyerve për bashkëpunim shkencor me Vatikanin, që u realizua gjatë një vizite që patëm vitin e kaluar në Selinë e Shenjtë. Kjo ishte një vizitë që erdhi pas një komunikimi paraprak me monsinjor Khaled B. Akasheh, përgjegjës i dikasterit për dialog ndërfetar në Vatikan, i cili në vitin 1982 e kishte takuar Nënën Tereze në Palestinë dhe ky ishte një shkas që pikërisht kjo figurë të zë gati pjesën qendrore të takimit, me ç’rast shpalosëm gjithë punën dhe vizionin e ITSHKSH, sidomos ato segmente që në mënyrë shkencore dhe të përkushtuar trajtojnë çështje të komunikimit dhe mirëbesimit qytetar e fetar në vendin tonë, duke përmendur edhe punën që është bërë në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.
Në notesin tim të ngjarjeve dhe aktiviteteve nga viti i kaluar, do të duhej ta veçoj edhe vizitën në Institutin tonë të Danial Orange, përgjegjës për programin IVLP Alumni në State Departamentin Amerikan, i cili kishte ardhur për të takuar pjesëmarrësit e IV On Demand “Përballja me të kaluarën: Historia dhe Politika” që kanë qenë në programin studimor që nga viti 2014, në mesin të cilëve isha edhe unë.


Në dimensionin e tematikës kombëtare, Instituti ynë, përpos trajtimit në mënyrë shkencore të problematikave të caktuara historike, në vazhdimësi ka luajtur rolin e evokuesit të ngjarjeve të rëndësishme, që kanë përshkuar dekadat e fundit, siç ishte edhe shënimi i 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënimi i 25-vjetoritë të intervenimit të NATO-s në Kosovë si dhe 25-vjetori i dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova.
Duke evokuar këto ngjarje, ne nuk synojmë të mbajmë kokën prapa dhe të shmangim shikimin nga e ardhmja, por përkundrazi, duke nderuar sakrificat dhe përpjekjet liridashëse, kemi dashur ta bëjmë më të shenjtë dhe më fisnik dimensionin njerëzor e human të rrugëtimit drejt të ardhmes.

Tetë prilli i vitit të kaluar për ne këtu në Institut, solli pikëllim dhe dhembje, për arsye se nga ne u nda kolegia Lindita Ahmeti, një studiuese dhe poete mjaft e talentuar, shuarja e së cilës la vrragë të pashlyera në kujtesën tonë. Kujtimi për Lindita Ahmetin do të jetë gjithmonë i pashkëputshëm nga ideja që puna dhe kontributi i saj shkencor e krijues të na shërbejë si frymëzim për të punuar me zellin dhe përkushtimin që e kishte edhe ajo.

Instituti ynë, përpos veprimtarisë në sferën e hulumtimt shkencor, po bën përpjekje serioze që të ngrejë një infrastrukturë moderne kadrovike e ligjore për veprimtari arsimore-akademike. Për rrjedhojë “Historia kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni gjatë shek. 19-20”, është programi më i ri studimor pasdiplomik (i magjistraturës) i akredituar në nëtorine vitit të kaluar nga Këshilli shtetëror i akreditimit. Ky program i ri studimor përbën studime pasdiplomike njëvjeçare të cilat vlerësohen me 60 kredi. Paraprakisht, nga Këshilli shtetëror i akreditimit ka marrë vizën edhe programi tjetër studimor – Kulturologjia.

Si çdo vit, edhe vitin e kaluar Instituti ynë vazhdoi të organizojë manifestime tradicionale me karakter shkencor e kulturor, siç janë “Drita e Gonxhës” (26 gusht – 5 shtator), “Ditët e Alfabetit” (14 -22 nëntor), “Ditë e Bogdanit” (5-6 dhjetor), që ishin në shenjë të 80 vjetorit të lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, të cilit ia kushtuam edhe një tryezë shkencore, me studiues pjesëmarrës nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi. Gjithashtu e veçanta e manifestimit të vjemë “Ditët e Alfabetit” ishte tema qendrore “Profili shumëdimensional i shkrimtarit Ismail Kadare”, që u trajtua edhe si lajtmotiv në tribunën shkencore me të njejtin emër, por edhe si ndërlidhje me historinë e lavdishme të abc-së shqipe.

Ndërkaq, si një kurorë e të gjitha këtyre manifestimeve ishte organizimi ceremonisë solemne me rastin e Festës së Krishtilindjes, që tash më tradicionalisht, për çdo 23 dhjetor, është pjesë e kalandarit të ngjarjeve tona kulturore-shkencore në Institutin tonë.

Pas këtij udhëtimi telegrafik nëpër ditët, javët dhe muajt e vitit të kaluar, ne me plot gojën mund të konstatojmë se puna e bërë nuk mjafton të na bëjë të ndihemi komod dhe të vetkënaqur, por përkundrazi kjo punë duhet të na shërbejë si rrugëtregues i mirë i një shtegëtimi të guximshëm që po e bëjmë, pa u lëkundur nga përcaktimi ynë që shkenca dhe kultura duhet të ngelin nivelet më supreme dhe më të pacënuara të vetëdijes së një shoqërie.

(Fjalë e mbajtur me rastine prezantimit të punës kërkimoro-shkencore dhe botuese të ITSHKSH-së gjatë vitit 2024)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat