Kantautori Mark Gjoka “mjeshtȅr i madh”, njȅ nga bardȅt mȅ tȅ spikatur tȅ folklorit shqiptarȅ

Kultura

Kantautori Mark Gjoka “mjeshtȅr i madh”, njȅ nga bardȅt mȅ tȅ spikatur tȅ folklorit shqiptarȅ

Nga: Prof. Vlash Prendi Më: 18 janar 2025 Në ora: 07:22
Prof. Vlash Prendi

Ȅshtë folur shumë për folklorin tonë, i cili ka qënë një nga elementët më të rendësishëm historik që ka ndihmuar shpesh herë edhe në ndriçimin e momenteve kryesore historike të kombit tonë, sidomos nëpërmjet kengëve historike dhe patriotike, të cilat korifejtë e folkloristikës sonë Frang Bardhi, Thimi Motko, Spiro Dine, atë Donat Kurti, atë Bernardin Palaj etj, i mblodhën nga goja e popullit dhe na i lanë si trashëgim ndër breza. Duke qenë se fjala folklor e ka origjinën nga anglishtja dhe në kontekstin kuptimorë mund të përkthehet Urtësi popullore, kjo disipline e korpusit tonë letrar, ka lindur tek populli dhe i përket vetëm atij. Kan qenë të shumtë përsonalitetet e kulturës dhe folkloristët që u morën me mbledhjen dhe sistemimin e vlerave folklorike dhe shpirtërore të kombit tonë, kanë qënë të shumta edhe botimet me përmbledhje folklorike që patën dalë në dritë në të kaluarën, megjithse në kushte të vështira, dhe që përbenin kryeveprat e folkloristikës shqiptare, nisur nga “Bleta Shqiptare” e Mitkos, “Valët e detit”, të Dinos, “Kangë Popullore Gegnishte”, e Prenushit, 15 vëllimet e “Visaret e kombit” e deri tek De Rada me “Rapsodi e një poemi arbëresh”, botuar në vitin e largët 1899, duke ndërtuar kështu një korpus me shumë vlera, për një popull me një histori të lavdishme siç është kombi ynë.

Por pas viteve nëntëdhjetë, pak u punua për mbledhjen, përhapjen e vlerave dhe dokumentimin dhe sistemimin e trashegimisë sonë folklorike. Pati përpjekje individuale të fragmentizuara për disiplinimin e krijimtarisë së disa krijuesëve, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Puna plot përkushtim e disa mbledhësve dhe krijuesëve të pasionuar si Gjokë Beci, Lefter Çipa, Esat Ruka, Fejzulla Gjabri, Haziz Ndreu, Frrok Haxhia, Viktor Gjikolaj, Bardhok Sulejmani, e ndonjë tjetër, krijoi mundësinë që kjo disiplinë e kulturës sonë folklorike të mos mbetej krejtësisht në harresë. Mendoj se në këtë kuadër, është momenti të flasim për punën tepër profesionale dhe plot përkushtim edhe të një rapsodi, mjeshtri dhe krijuesi të njohur mirditorë, i cili po çon përpara traditën e mrekullueshme të mjeshtrave të njohur të kengës dhe krijimtarisë folklorike të Mirditës, kengëtarit, kantautorit dhe krijuesit të mirënjohur mirditor Mark Gjoka.

Mirdita është trevë e njohur në trojet shqiptare e dalluar për patriotizëm, kulturë, heroizëm, burrëri, besë, mikpritje etj, të cilat pasqyrohen gjallërisht edhe në këngën patriotike të kësaj treve, megjithëse dokumentet historike dhe krijimtaria gojore pak gjendet e dokumentuar. Sidoqoftë ajo ka mbetur e pashlyer në kujtesën e bardëve të saj, një prej të cilëve është edhe kantautori i njohur Mark Gjoka “Mjeshtër i Madh”, njohës i thellë i kengës dhe folkloristikës shqiptare, të cilin e kam njohur vite të shkuara, kur e dëgjoja të interpretonte mjeshtërisht kengët folklorike të trevës së tij. Vite më pare patën krijuar së bashku me Dodë Prendin dhe Anton Gjokën treshen e famshme të kengëtarëve të njohur të Rubikut në bashkëpunim me mjeshtrin e vargut Gjokë Becin, aso kohe drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Rubik, duke sjellë në folklorin kombëtarë një risi, në krijimin artistik të teksteve dhe sidomos në interpretim. Me Markun na ka njohur arsimimi, sepse kemi kryer së bashku Universitetin e Shkodrës në vitet ’80. I lindur në fshatin e thellë malor Kullagji të Blinishtit në rrethin e Mirditës në një familje të njohur si artdashëse, që i vogël Marku u rrit me dashurinë e pakufishme për instrumentët muzikore, sidomos çiftelinë dhe për këngën e bukur mirditore, sepse edhe i jati ishte mjeshtër i instrumenteve muzikore , sidomos në lahutë dhe çifteli, ndërsa nëna e tij, ishte interpretuese e njohur e kengëve lirike të dasmave. Pas përfundimit të arsimit 8 - vjeçarë në fshatin e lindjes, duke parë aftësitë dhe talentin e tij në fushën e artit muzikorë, konkuron për të vazhduar studimet në Shkollën e Kulturës në Tiranë, dega Dirigjim. Rruga e re që nisi, i hapi perspektivë të shkëlqyer për të treguar veten jo vetëm si kengëtar i spikatur i muzikës popullore dhe folklorike, por edhe si kompozitor dhe autor tekstesh. Më pas, kantautori i njohur vijon studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Shkodrës, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, duke u diplomuar në profesionin e mësuesit,

Ishin të shumta rastet kur rrinim, bisedonim, diskutonim dhe studionim me Markun. Shpesh takoheshim në bibliotekë, ku diskutonim për lendët që do të jepnim provim. Me neve ishte gjithnjë edhe Tonja, bashkëshortja e Markut, kengëtarja e njohur e Ansamblit Mirëdita “Mjeshtër i Madh”, që aso kohe ndiqtë vitin e fundit të Shkollës Pedagogjike në Tiranë. Ishin një çift mjaft unik dhe me vizion për të ardhmen. Kengëtari dhe kompozitori i ardhshëm krijonte, kërkonte motive, diskutonte për çdo projekt që kishte në plan të përfundonte. Ai nuk rrinte i qetë, vetëm krijonte, krijonte në bibliotekë, në lokal kur pinim kafe, në hotel, në tren, ai nuk pushonte asnjë cast. Unë e adhuroja shkathtësinë, guximin dhe energjinë e tij për të gjetur motive kengësh dhe për t’i kompozuar ato. Ndoshta pikërisht në ato momente kur ne diskutonim bashkë, ai kishte projektuar në pentagramin e mendjes, melodi të kengëve të bukura, që sot janë bërë hit në muzikën tonë folklorike. Dhe nuk do të vononin kengët e bukura të kompozuara nga dora e artë e mjeshtrit Mark Gjoka dhe kenduar me zërin e tij si bilbil i bjeshkëve të Munellës. Ato vërshuan në ato vite si uji i kristaltë i Fanit dhe hynë me dinjitet në arkivën e pasur diskografike të Radio - Tiranës dhe TV shqiptarë. Këngët “Xhamadani i trimërisë”, “Pa flamurë n’Mirditë s’ka dasëm”, “Dasma e Kamber Loshit”, “Guri i randë në trojet veta”, disa prej të cilave i ka kënduar grupi i burrave të Mirditës, por edhe solistët e mirënjohur të këtij Ansambli të njohur si: Kolë Zefi, Fran Preçi, Mrike Trumshi, Ndue Përkola, Luljeta Përbasha, Prena Beci etj.

dëshmi artistike mjaft të rendësishme, jo vetëm për Mirditën, por edhe për mbarë kombin tonë, kantautori dhe artisti Mark Gjoka mendoi t’i dokumentojë dhe t’ua lerë brezave të ardhshëm të pasqyruara në faqet e një libri që e ka titulluar “100 zambakë Mirdite”. Libri ka kohë që ka rënë në dorën e lexuesit dhe është pritur dhe vlerësuar nga kritika si një nga modelet më të bukura të transmetimit të traditave tona muzikore dhe folklorike nga njëri brez në tjetrin. Në të treqind faqet që përfshin kjo vepër, janë dhënë 100 kengë të kompozuara nga mjeshtri Mark Gjoka, me tekste nga të mirënjohurit Gjokë Beci, Viktor Gjikolaj, Dodë Pjetraj, Dritero Agolli, Ndue Dedaj, Gjovalin Dushaj, Gjon Marku, Gjergj Shyti, Fran Laska, Kolë Zefi, Kolë Biba dhe nga vetë mjeshtri Mark Gjoka, i cili shpesh ka marrë inisiativën të dale para spektatorit edhe si autor tekstesh. Libri është një manual artistik i veçantë në llojin e vet, sepse veç teksteve, në të pasqyrohet edhe muzika e kengës, autorët e teksteve, madje edhe disa recensa të shkruara me shumë kujdes nga dirigjenti i mirënjohur Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh”, shkrimtari Ndue Dedaj, poeti Gjergj Shyti, kantautori Esat Ruka, Gjon Dedaj dhe një përshkrim sqarues nga vetë autori. Vend të vaçantë në libër zënë kengët patriotike, pasuritë tona gojore ruajtur si një thesar i çmuar nga populli ynë brez pas brezi.

Mirditorët janë shquar gjatë gjithë periudhave të historisë për rezistencë të pashoqë kundër pushtuesit, duke krijuar kështu një traditë të pasur patriotike dhe shpirtërore, të pasqyruar më së miri në kujtesën historike të popullit tonë që nga thellësitë e shekujve. Ata janë dalluar kurdoherë për kulturën e tyre shpirtërore dhe folklorike, gërshetuar dhe me aftësinë që kanë zotëruar për t’a rrëfyer e interpretuar atë me përkushtim dhe mjeshtëri të veçantë. Dëshmi dokumentare dhe gojore e kësaj aftësie është gjurmimi i krijimtarisë gojore folklorike dhe asaj letrar të kësaj treve, gjithmonë e begatë për këto pasuri të pavdekshme që ruhen në kujtesën popullore, po në veçanti jane ruajtur këngët me tematikë epiko - historike. Prandaj në këtë libër me shumë vlera bien në sy këngë të tilla si: “Xhamadani i trimërisë”, “Dasma e Kamber Loshit”, “”Mori Lezha e Kastriotit”, “Pa flamurë n’Mirditë s’ka dasëm”, ”Rron Gjergj Fishta n’kangë arbnore”, “Pushkë e mbushun për Kosovë” etj, të cilat mund të quhen perla të folklorit tonë. Kështu, epika historike, si lloji kryesorë i krijimeve poetike gojore, tek këto kengë është e ndërtuar mbi bazën e trajtimit të realitetit historik, duke përshkruar një sintezë ngjarjesh, ku sundojnë ndjenjat e popullit dhe lufta kundër pushtuesve të vendit. Kjo epikë sintetizon ngjarje të rëndësishme historike, nëpër të cilat ka kaluar formimi i kombit shqiptarë, siç mund të themi për kengën “ Për liri s’të fal shqiptari”, “Mblidhet kombi rreth flamurit, “Tremijë vjet jam oroshjanë”, apo “T’qofsha falë moj gjuhë amtare“. Epika jonë historike ka qënë gjithmonë pasqyruese e problemeve më të mprehta të kombit tonë, prandaj edhe tematikat e pasqyruara tek kjo vepër, ne i shohim tek jehona artistike që u bëjnë kengët luftrave shekullore të popullit tonë, betejave, kryengritjeve dhe qëndresave kundër pushtuesve të ndryshëm që kanë shkelur trojet tona, që nga lëvizjet e shumta me karakter krahinor, e deri tek ato me përmasa kombëtare.

Krijime të tilla gojore me karakter historik, pasqyrojnë artistikisht nëpërmjet vargjeve rapsodike, zgjimin e ndërgjegjes së masave popullore dhe individëve të betuar për çështjen e atdheut, në periudha të ndryshme të historisë, prandaj ato kanë një vlerë të vaçantë artistike dhe njohëse për të kaluarën e kombit tonë. Bardë dhe krijues të ndryshëm të këngëve epiko - historike të frymëzuar nga realiteti historik kombëtarë, arritën që me anë të komunikimit artistik, si këngët dhe baladat popullore, bënë të mundur që krijime të kësaj natyre të bëhen dëshmi historike dhe artistike për ngjarjet e shumta të ndodhura në trojet tona dhe përsonat konkretë që patën marrë mbi supe fatet e kombit, siç mund të përmendim Kamber Loshin, Mic Sokolin, Bajram Curri, Ibrahim Rugova etj, të cilët i gjejmë të përjetësuar në këto kengë.

Një disiplinë tjetër folklorike që zë vend të rendësishëm në veprën e mjeshtrit Mark Gjoka është edhe lirika. Janë të shumta kengët lirike të mbledhura në atë trevë të begatë dhe të krijuara me mjaft mjeshtri nga poetët e mirënjohur mirditorë. Mirdita ka qenë dhe është një “fabrikë” që ka prodhuar kurdoherë krijues, artistë, kengëtarë, kompozitorë, mjeshtra të interpretimit dhe përhapjes së vlerave të kengëve folklorike. Prandaj në këngë të tilla si: “I thashë zogut bjeshkës”, “Nëpër degë të mollës”, “Mollë e vogël kuq si gjak”, “Syri yt më ka trazu”, “Brigjeve t’Urakës” etj, derdhen ndjenjat dhe shpirti i mirditorit për ndjenjën sublime të dashurisë njerëzore. Ja disa vargje lirike të poetit legjendarë Gjokë Beci kushtuar temës së dashurisë: “Mollë e vogël kuq si gjak, / Lene degën, eja pak, / Lene degën, eja pak, / Se me ty kam zan’ marak. Ref. Nuk jam mollë , nuk jam zanë, / Por jam vajz’ me babë e nanë, / Por jam vajz’ me babë e nanë, / Askuj besën s’ja kam dhanë /…Molla piqet e pikon, / Buza jote veç lulëzon, / Buza jote veç lulëzon, / Hesht kur vjen, e flet kur shkon...”. Siç shihet përmes këtyre vargjeve, nëpërmjet kengëve të dashurisë, poeti zbulon konceptet, përfytyrimet dhe shijet popullore për të bukurën, për të madhërishmen në folklorin tonë. Këtu shihet qartë se nëpërmjet kengëve lirike të këtij libri, poetët e lidhin ngushtë bukurinë fizike të vajzës mirditore me fisnikërinë dhe bukurinë e saj morale. Për këto arsye, kantautori Mark Gjoka “Mjeshtër i Madh” ka qënë disa herë udhëheqës artistik i Ansamblit “Mirdita” në qindra koncerte të dhena brenda dhe jashtë vendit, si dhe i Grupit Artistik të qarkut të Lezhës, pjesmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, duke sjellë një frymë të re organizimi dhe interpretimi të kengës folklorike.

Këto “100 zambakë Mirdite”, që vijnë në arkivin e pasur folklorik kombëtar nga mjeshtri Mark Gjoka, janë interpretuar nga mjeshtrat më në zë të kengës mirditore, pjesë e Ansamblit “Mirdita” dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”. Është një plejadë kengëtarësh dhe instrumentistësh që kanë hedhur themelet e Ansamblit nëpërmjet kengës dhe valles së bukur mirditore si: Fran Vorfi, Ndue Përkola, Gjyste Ceka, Fran Preçi, Prena Beci, Kolë Zefi, Llesh Lleshaj, Luljeta Përbasha, Nikollë Deda, Briland Kadeli, Gjela Duka, Anton Gjoka, Mrike Trumshi, Mark Deda, Prena Beleshi etj, për të vijuar edhe me vazhduesit e denjë të këtij Ansambli Vasilika Kaçorri, Angjelina Nikolli, Ronaldo Mesuli, Mirdita Dedgjoni, e deri tek më i riu, talenti në rritje Resido Dedaj. Ȅshtë e njohur tashmë studio muzikore “Gjoka“ në qytetin e Lezhës, e cila numron me qindra klientë, kengëtarë dhe krijues, sepse Marku dhe Tonia kengëtarë, kanë rritur edhe djemtë e tyre artiste, duke krijuar një familje krijuesish në fusha të ndryshme të artit dhe muzikës.

Libri i kantautorit të njohur Mark Gjoka “Mjeshtër i Madh”, ka vlera të veçanta në fushën e folkloristikës shqiptare, ai do të mbetet si monument i rrallë kulturorë dhe muzikorë për brezat e ardhëshm, por jo më me “100 zambakë Mirdite”, por numri i tyre mund dhe duhet të jetë i pafund.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat