Të lutem, lexo me kujdes këtë letër. Pas pesë vitesh akuza dhe thashetheme, po të shkruaj për të sqaruar disa gjëra, që nuk mund të shpjegohen me mesazhe.
Që nga martesa ime me djalin tënd – dashuri që ti e kundërshtove që në fillim – e kam kuptuar se sa shumë të mungon. E kuptoj plotësisht. Ti e do, unë e dua dhe e dashuroj. Më kupto. Na kupto neve. Ti më kishe akuzuar se ta kam „rrëmbyer“ djalin - thua se është i pafuqishëm- dhe se ai më është përkushtuar mua e jo ty. Më vjen keq që e përkthen dashurinë tonë në atë mënyrë.
Shpresoj që një ditë të mund ta kuptosh ndjenjën e vërtetë që na lidh dhe të pajtohesh me familjen tonë të re. Me lumturinë tonë. Më mirë për ty. Më mirë për neve.
Djali yt të do dhe gjithmonë të ka dashur, por dashnia ndaj nënës është tjetër, dashuria ndaj meje është diçka tjetër. Ti e do, unë e dëshiroj, e dashuroj dhe e dua. Pas martesës, dashuria në familje duhet të shtohet, jo të zvogëlohet. Ti pate thënë se do të më helmoje me kafe për ta "shpëtuar" djalin tënd nga kthetrat e "sehirbaskës".
Një vit më vonë, më pate kërkuar ndjesë dhe unë të pata falur gabimin. Megjithatë, sa herë ke ardhur te ne, ti flisje vetëm me djalin tënd, ndërsa mua më shpërfillje. Edhe kur bëhej fjalë për familjen time, pyetjet ishin gjithmonë formale, dhe nuk ke dëshiruar të zhvillosh asnjë bisedë më të thellë. Isha shumë e dëshpëruar kur prindërit e mi u larguan nga jeta dhe brenda tre muajve të dy, ti nuk erdhe fare. Vetëm më dërgove një mesazh me fjalën "Ngushëllime" dhe një emoji me fytyrë të mërzitur. Kaq.
Përveç kësaj, më kishe akuzuar se nuk gatuaj si ti dhe ashtu siç i pëlqen djalit tënd. Se ai paska humbur peshë dhe po vdiste nga uria, se unë i paskam bërë magji dhe ia paskam marrë mendtë.
Madje, kishe thënë se unë blej rroba të shtrenjta, ndërsa ai vishet me rroba të përdorura. Ti e quan djalin tënd me përkëdheli "princ" dhe e ke përsëritur shumë herë se ai meritonte një princeshë, jo mua, por unë e paskam mashtruar me magji. Ke kritikuar edhe gjatësinë e fustaneve të mi – atij i pëlqejnë mbi gju, ndërsa ti thua se duhet të jenë dy pëllëmbë nën gju. Unë nuk vishem për ty, por për djalin tënd. Fustanet i blejmë së bashku dhe shpesh i zgjedhim sipas shijes së tij. Unë dua t’i pëlqejë atij. Jo ty! Si ka mundësi që nuk e kupton dot këtë?
Por ke harruar diçka të rëndësishme: ai tani ka krijuar familjen e tij me gruan që e ka zgjedhur vetë. Gjithashtu, më kritikon se nuk e pastroj shtëpinë siç duhet, se ke gjetur bërllok pas dere, pjata të palara dhe se djali yt del nga shtëpia i pahekurosur. Por më lejo të të kujtoj diçka: ai di të hekurosë vetë! Unë punoj më gjatë se ai dhe kujdesem për dy fëmijët tanë. Ai ka më shumë kohë se unë. Me mua, nuk mund të dalë jashtë i pahekurosur si Picimuli.
Më vjen keq që nuk e ke mësuar të gatuajë, por mos u shqetëso – po e mësoj unë! Ndoshta do të ndjekë edhe një kurs ose thjesht do të mësojë nga YouTube. E dua shumë dhe dua që ai të dijë të gatuajë për fëmijët tanë – nipërit e tu – dhe për mua kur unë nuk mundem. Ne jemi një familje e bazuar në dashuri dhe respekt të ndërsjellë. Pse qenka kaq e vështirë ta kuptosh këtë?
Herën e fundit, kur ishe te ne dhe unë isha në spital, ndërsa "princi" në punë, ju – ti dhe burri yt – i keni lejuar vetes të pastroni shtëpinë, t’i fusni duart nëpër dollapë e sirtarë dhe madje më kishe kritikuar edhe për të brendshmet, duke thënë se ishin shumë të vogla për një grua – por mos harro që ato m’i ka blerë djali yt. Si nuk arrin ta kuptosh këtë gjë kaq të qartë?
Përveç kësaj, keni hedhur tenxheret DE BUYER, dhuratë nga prindërit e mi. Nuk i përdorja shpesh, por i ruaja me dashuri si kujtim. I kishit hedhur me arsyetimin se ishin të ndryshkura – vlera e tyre ishte mbi 2000 euro.
Kur „princi" qe kthyer, kontejnerët tashmë ishin zbrazur. Për dhimbjen, zemërimin, keqardhjen dhe trishtimin që ndjeva, nuk dua të shkruaj tani. Shpresoj se e merr me mend!
Ti ke qenë arsimtare dhe sot je në pension, prandaj duhet ta dish mirë se unë çfarë janë dashuria dhe respekti. Ke pasur shumë kohë për t’i mësuar. Djalin tënd nuk ta ka marrë askush, ashtu siç më akuzon. Përkundrazi, ai më ka zgjedhur mua. Ai më ka propozuar, më ka dhuruar unazën e fejesës (princi në gjunjë), pastaj atë të martesës, më ka qëndruar pranë dhe më ka dashuruar – po aq sa unë atë.
Sa për magjinë, nëse beson tek ajo, ndoshta duhet të kërkosh një tjetër magjistare për ta rimarrë djalin. Por e vërteta është e thjeshtë: ne jemi bashkë sepse e duam njëri-tjetrin dhe fëmijët tanë. Pse nuk e pranon dot këtë realitet?
Ti duhet ta duash gjithmonë djalin tënd, ashtu siç i dua unë dy fëmijët e mi, por ai nuk është më një vogëlush që ka nevojë për mbikëqyrjen tënde në çdo aspekt të jetës, aq më pak në zgjedhjen e bashkëshortes. Ti je një grua e pjekur, ai është një burrë i rritur. E bukur nuk është ajo grua që të pëlqen ty, por ajo që i pëlqen atij.
Të lutem, nëse dëshiron që djali yt të jetë i lumtur, së pari duhet të më pranosh dhe respektosh mua, sepse unë jam gruaja që e bën princin të lumtur çdo ditë. Pse qenka kaq e vështirë të kuptohet kjo nga një ish-arsimtare?
Mos harro një gjë: nëse të mungojnë nipërit – sepse ishe ankuar që nuk i ke parë për gjashtë muaj dhe se po vuan – atëherë duhet të kuptosh se ata janë fëmijët e mi dhe nipërit e tu, por unë jam nëna e tyre, ashtu siç ti je nëna e djalit tënd. Pse qenka kaq e vështirë ta kuptosh këtë?
Sjelljet e tua na patën detyruar të kërkojmë një banesë tjetër, dhe tani, prej tre vitesh, ne jemi më të lumtur – por ti fare. Sa herë që ke ardhur, e ke përsëritur se ke ardhur në shtëpinë e djalit tënd.
E nderuar vjehërr, si një grua intelektuale që e quan veten, duhet ta dish se kjo shtëpi nuk është vetëm e djalit tënd, por edhe e imja. Ajo na përket të dyve. Dhe mos harro: unë kam një rrogë më të madhe se “princi” yt. Duhet të pranosh se djali yt ka krijuar familjen e tij, ka një bashkëshorte që e do dhe ka një nënë që i mungon, por që, për fat të keq, nuk e ka vizituar për shkak të kërcënimeve që i ke bërë nuses së tij dhe nënës së fëmijëve të tij.
Nëse dëshiron lumturinë e djalit tënd, atëherë, edhe nëse nuk më do mua, të paktën duhet të më respektosh. Sepse unë jam ajo që e bën të lumtur atë. Dhe për këtë arsye, meritoj të paktën mirësjelljen dhe mirëkuptimin tënd. Edhe mirënjohjen. Nëse vazhdon t’i kërkosh ndarjen prej meje, dije se ai mund të kthehet te nëna, por do të fitonte një, dhe do të humbte tre veta.
Por dua ta bëj të qartë një gjë: Unë nuk do të vazhdoj të jetoj me paragjykimet dhe ofendimet tua. Nuk do të pranoj më sjellje të padrejta, as fjalë që më poshtërojnë. Kjo është jeta ime dhe e djalit tënd, dhe ne kemi vendosur ta jetojmë ashtu siç duam ne, jo siç e ëndërron ti. Pse është kaq e vështirë të pranohet kjo?
Shpresoj se lexon këtë letër me vëmendje, që është shkruar me dëshirën e madhe për të mënjanuar keqkuptimet dhe për të vazhduar një jetë të mirë familjare, dhe se kupton se bota nuk bëhet gjithmonë ashtu siç e dëshiron ti. Duhet ta pranosh realitetin dhe të jetosh në paqe me veten dhe me ne, me nipërit, edhe pse nuk jemi si e pret ti.
Vjehërr, nëse nuk do të kishte dashuri mes nesh, ai do të ishte ndarë prej meje. Prandaj, nuk është e drejtë që ti të ndërhysh në jetën e tij, sepse ai nuk është më një çun i vogël, siç e imagjinon ti, por një burrë, siç e përjetoj unë. Pra, unë e dua djalin tënd, por nuk do të lejoj më askënd të më trajtojë pa respekti. Pse duket sikur s’mund ta kuptosh një gjë kaq të thjeshtë?
Dëshiroj që kjo letër të shërbejë si një mundësi për të rregulluar marrëdhënien tonë. Jam e gatshme të bëj çdo përpjekje për të ndihmuar që të ruajmë harmoninë dhe dashurinë në familje. Meqenëse kam disa vite më shumë shkollë se ti, po t’i shkruaj disa parime që vlejnë për familjen e kohës sonë, të cilët mund të largojnë keqkuptimet:
Ti mund t’i vizitosh nipërit e tu, fëmijët që unë kam sjellë në jetë me djalin tënd, kur të duash.
Mua duhet të më respektosh më shumë sesa „princin“, sepse unë jam gruaja e tij dhe nëna e nipërve të tu.
Mos fol keq për nusen e djalit tënd.
Mos ndërhyj në dashurinë e tij.
Mos dëmto familjen e tij.
Nuk të lejohet të pastrosh shtëpinë tonë.
Gëzoju dashurisë së djalit dhe familjes që ai ka krijuar me dashuri të madhe.
Ji e lumtur me lumturinë e tij.
Me respekt dhe dëshirën për paqe dhe harmoni.
Të përshëndes!
Flaka, Princesha e Princit
PS.
Nëse vendos t’ia tregosh këtë letër 'princit', është e mundur që ai të kthehet te ti, por kjo do të thotë që ai do të mbetet pa mua dhe pa fëmijët tanë. Ti do të mbetesh pa nipërit, dhe kjo nuk është ajo që unë dua. Vepro ashtu siç e konsideron më të drejtë, por duhet ta dish se jam lodhur dhe nuk mund të vazhdoj më kështu.