Prezantimi i librit “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833”

Kultura

Prezantimi i librit “Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833”

Nga: Faik Miftari Më: 19 janar 2025 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Këto ditë doli nga botimi libri me titull: ”Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833”, të bashkautorëve Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi, botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Autorët e librit, Dr. Hatixhe Ahmedi, është punonjëse shkencore në Arkivin e Kosovës në Prishtinë, ndërsa Dr. Sadik Mehmeti, është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

Në këtë prezantim të librit ”Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas defterëve të vitit 1833” do të veçoja përveç tjerash rëndësinë e madhe të këtij libri për opinionin publik në përgjithësi e me theks të posaçëm për qytetarët e qytetit dhe fshatrave të Prizrenit si dhe qytetarëve të komunës së Suharekës, Rahovecit dhe Malishevës, pasi që mund të gjejnë trungun e tyre familjar gjer në vitin 1833, që do të thotë një periudhë gati para dyqind vjeçare.

Perandoria Osmane për dallim nga shekujt XV dhe XVI-të gjatë së cilës kryheshin regjistrimet e popullsisë kryesisht për nevojat e regjistrave të kontrollit tatimor gjatë së cilës regjistroheshin vetëm kryefamiljarët, në shekullin XIX-të janë kryer regjistrimet kryesisht me qëllim të evidentimit të popullsisë myslimane për nevojat e rekrutimit ushtarak, por edhe regjistrimin e banorëve tjerë që nuk shërbenin dhe nuk rekrutoheshin në ushtri.

Në këtë prezantim të librit, autorët na sjellin në shqyrtim tre defterë të regjistrave osmane të popullsisë së Kazasë së Prizrenit me Suharekën sipas regjistrimit të kryer në vitin 1833:

1.Defteri i popullsisë myslimane të Kazasë së Prizrenit me Suharekën i vitit 1833,

2.Defeteri i popullsisë krishtere të Kazasë së Prizrenit me Suharekën i vitit 1833,

3.Defteri i popullsisë rome të Kazasë së Prizrenit me Suharekën i vitit 1833.

Defteri(regjistri) i popullsisë myslimane të Kazasë (rajonit) të Prizrenit me Suharekën i vitit 1248(1833) ruhet në Arkivin e Stambollit me numër regjistrimi 5734, ka gjithsejtë 207 faqe me dimensione 28x77cm, është i ruajtur mjaft mirë dhe është i padëmtuar. Nga ky defter do të veçoja se:”Regjistrimi i banorëve fillon me kryefamiljarin, ndërsa pasohet nga pasardhësit e tij, të dhëna këto të cilët mund të ndihmojnë në njohjen/nxjerrjen e numrit të bashkësive familjare, përkatësisht të numrit të shtëpive të mëhallëve të qytetit të Prizrenit dhe të fshatrave në fjalë. Krahas të dhënave tjera, janë shënuar edhe zejet që i ushtronin banorët mysliman të qytetit të Prizrenit. Meqë bëhet fjalë për popullsinë myslimane të kësaj kazaje, emrat që na dalin këtu, është e natyrshme dhe e kuptueshme që janë të përkatësisë orientale-islame, që tradicionalisht janë përdorur e përdoren akoma në këtë trevë, si: Adem, Sylejman, Mehmet, Ahmet, Tahir, Beqir, Ymer, Osman, Ali, Hasan, Hysen, etj”.

Defteri i popullsisë raja-krishtere(ortodokse dhe katolike) të Kazasë së Prizrenit me Suharekën i vitit 1833, i ka gjithsejtë 67 faqe të madhësisë së regjistrit 29x77cm. Popullsia ortodokse është e regjistruar prej faqes1-65, ndërsa popullsia katolike në faqen 66-67. Poashtu edhe ky defter është i plotë dhe i ruajtur mirë. Defteri i popullsisë kipte(rome) i Kazasë së Prizrenit me Suharekën i vitit 1833 ka gjithsejtë 11 faqe të madhësisë së regjistrit 29x77 cm, është i plotë dhe i ruajtur mirë.

Dua të theksojë se në kohën e Perandorisë Osmane regjistrimet e popullsisë nuk bëheshin në bazë të përkatësisë kombëtare, por kryheshin në bazë të përkatësisë fetare, ashtu që sado të sakta të ishin, nuk mund të shërbejnë për të nxjerrë numrin e popullatës sipas përbërjes kombëtare, pasi që të gjithë banorët e Perandorisë Osmane trajtoheshin shtetas osman me përkatësi të ndryshme fetare.

Duke marrë parasysh se sipas të dhënave të Defterit të popullsisë myslimane të Kazasë së Prizrenit me Suharekën të vitit 1833, del numri prej 9488 banorë mysliman meshkuj, sipas parimit të regjistrimit të popullsisë, sa kanë qenë banor të regjistruar meshkuj, kanë qenë po aq edhe banorë femra, atëherë popullsia e Kazasë së Prizrenit me Suharekën e vitit 1833 në total përbënte përafërsishtë 18.976 banor mysliman.

Sa i përket numrit të popullsisë ortodokse sipas Defterit të vitit 1833 ishin të regjistruar 2832 meshkuj, kësaj i shtojmë po aq edhe femra, ashtu që në total dalin përafërsisht 5664 banor ortodoks. Sipas këtij defteri popullsia e regjistruar katolike përbënte vetëm 35 meshkuj, kësaj i shtojmë edhe po aq femra, numri total del se ishin vetëm 70 banor katolik. Ky numër i qytetarëve katolik është shumë i vogël, por se nuk janë të përshkruar rrethanat apo arsyet pse ka qenë numri aq i vogël i banorëve katolik të regjistruar.

Sa i përket numrit të popullsisë rome, sipas defterit të vitit 1833 janë regjistruar 366 banor meshkuj rom, këtij numri i shtojmë po aq edhe femra, rome nga e cila përafërsisht del numri i banorëve rom 732 qytetar.

Popullsia e gjithmbarshme sipas të tri Defterëve të regjistrimit të vitit 1833 të Kazasë së Prizrenit me Suharekën, ishte gjithsejtë 12.721 banorë meshkuj, këtij numri i shtojmë po aq edhe femra, numri total del përafërsisht ishin të regjistruar 25.422 banor rezidentë, nga të cilët 80% ishin të përkatësisë fetare myslimane, dhe 20% të përkatësisë fetare krishtere(ortodokse dhe katolike), me çka edhe mund të nënkuptohet se shumica e banorëve mysliman ishin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër, turk, boshnjak, rom, ndërsa shumica e banorëve të përkatësisë ortodokse ishin serbët, ndërsa një pjesë me pakicë vllehët(cincarët) dhe romët, ndërsa banorët të përkatësisë katolike kryesisht kanë qenë shqiptar.

Sa i përket strukturës demografike të popullsisë së vet qytetit të Prizrenit, sipas regjistrimit të vitit 1833 kanë qenë të regjistruar 3.176 banor meshkuj mysliman, 622 banor meshkuj ortodoks dhe 217 banor meshkuj rom.

Në Defterin e regjistrimit të popullsisë së vitit 1833 të Kazasë së Prizrenit me Suharekën janë përfshirë qyteti i Prizrenit me gjithsejtë 21 mahallat(lagjet) e tij, si dhe 149 fshatra, 31 fshatra që i përkasin komunës së Prizrenit, 34 fshatra komunës së Suharekës, 30 fshatra të komunës së Rahovecit, 2 fshatra të komunës së Drenasit dhe 2 fshatra të komunës së Shtërpcës.

Në përfundim të këtij prezantimi mund të konkludojë se: ”rëndësia e Defterit të popullsisë së Kazasë së Prizrenit me Suharekën e vitit 1833 është e shumanshme, se me burimet të shkruara historike bëhet ndriçimi i kaluarës sonë. Me këtë defter bëhet njohja dhe hartimi i gjenealogjive të ndryshme familjare, njohja e gjenealogjive të personaliteteve, të cilët në një periudhë të caktuar do të kenë lënë gjurmët e tyre, si dhe për njohjen e së kaluarës së vendbanimeve. Meqenëse këto burime osmane janë të dorës së parë dhe ruajnë të dhëna me shumë rëndësi mbi ekonominë, demografinë, toponiminë, ndarjen administrative dhe elemente tjera që janë me interes për studimin e të kaluarës sonë, botimi i tyre bëhet më se i domosdoshëm”.

Krejt në fund do të shtoja, se unë, në saje të këtij libri që e bëra prezantimin, e gjeta gjenealogjinë(trungun) e familjes sime gjer në vitin 1833, poashtu edhe bashkëshortja ime e gjeti gjenealogjinë(trungun) e familjes së saj gjer në vitin 1833, ashtu që çdo njeri që ka dëshirë të gjejë gjenealogjinë(trungun) e familjes së tij, do t’i preferoja që ta kenë këtë libër në duart e tyre , e sidomos në veçanti banorët e qytetit dhe fshatrave të Prizrenit, të komunës së Suharekës, Rahovecit dhe Malishevës.

19.01.2025 Av. Faik MIFTARI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat