Në botën e letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci (1899–1987) mbetet një nga poetët më të mëdhenj të poezisë moderne shqipe, që me të drejtë e kanë radhitur në hapësirën e rrafsheve të poetëve të poezisë evropiane. Në koloninë shqiptare, ai ishte në krah me Asdrenin dhe Mitrush Kuteli, që në këtë kohë ishte më i riu.
Me përkrahjen e Nolit, poeti mori bursën për të studiuar në Fakultetin e Filologjisë në degën Romano-Gjermane dhe në vitin 1934 Lasgush Poradeci mori gradën shkencore të kohës: Doktor-Profesor. Në të gjitha studimet lidhur me jetën dhe krijimtarinë e poetit, është vënë në spikamë emri dhe mbiemri i tij i sajuar nga emri i vërtetë (Lazër Satir Gusho): La+S+Gush = Lasgush dhe si mbiemër e vuri emrin e vendlindjes së tij (Poradeci).
I dhuroi letërsisë shqipe dhe Shqipërisë "Vallen e Yjeve" dhe "Yllin e Zemrës", ndërsa në kohën e regjimit komunist ishte përkthyes me normë, që, siç thuhet në kronikat e kohës, e lanë të vdiste i denigruar dhe i poshtëruar nga mendjemadhësia e burokracisë së bulevardit të shtetit.
Poeti Lasgush Poradeci, që nga hapat e rinisë, kërkonte të kalonte në shkollën shqipe, që asokohe ishte hapur në Pogradec.
Me të dëgjuar për dashurinë e zjarrtë për gjuhën dhe shkollën shqipe, dhaskali i veshur në të zeza dhe me kryqin në gjoks e pati detyruar Lasgushin të ulej në gjunjë, përdhe, dhe i ra disa herë me thupër në kokë. Me këtë veprim, dhaskali kishte për qëllim t’i frikësonte fëmijët shqiptarë në Pogradec që të heqin dorë nga shkolla në gjuhën e bukur e të lashtë të shqipes.
Poeti Lasgush Poradeci ishte i brymosur me kulturën dhe gjuhën gjermane, që përmes dijes së tij bëri të flasin shqip poetët e letërsisë evropiane-botërore, si: Hajne, Majakovski, Gëte, Lajtnat, Brehti, Hygoi, Myse, Bajroni, Shell, Bernsi, Eminesku.
Në botën e krijimtarisë letrare, të dijes shkencore dhe të mjeshtrit të rrallë të përkthyesit, Lasgush Poradeci, shteti i kohës e pati lutur që për nevojat e shkollës dhe të universitetit të përkthejë nga gjuha gjermane librin e gjeometrisë. Për këtë nismë të shtetit, poeti, me buzë në gaz, iu drejtua, ashtu siç u ka hije poetëve, pushtetit me fjalët: "Po, unë nuk e di as tabelën e shumëzimit, e unë të përkthej librin e gjeometrisë, si është e mundur?!". Poetët dhe fusha e dijes si studiues, përkthejnë letërsi dhe fshehtësitë e gjuhës, është thënë më të drejtë në kritikën e përbotshme letrare.
Po kështu, i pati ndodhur shkrimtarit për fëmijë e të rinj Ymer Elshani (1948–1999) në Drenicë. Në vitin 1981, masat represive antishqiptare dhe për shembjen e arsimit shqip në të gjitha rrafshet deri në tempullin e universitetit në Prishtinë, masat e diferencimit politik serbo-jugosllav, e patën lënë pa punë disa vjet dhe anatemimi i tij në fushën e letërsisë për fëmijë u bë shkak i periudhës së vështirë.
Në përkrahje të udhëheqjes së Ndërmarrjes Teknologjike Feronikeli në Gllogofc, shkrimtarin Ymer Elshani e punësojnë si përkthyes në këtë gjigant të teknologjisë e të përpunimit të nikelit, i pari i këtij lloji në Kosovë dhe në Ballkan. Ndonëse fusha e botës profesionale për shkrimtarin ishte letërsia dhe studimet për këtë krah të letërsisë shqipe, ai pati probleme rreth përkthimeve në rrafshin e teknologjive të Lindjes dhe të Perëndimit që ishin vënë në përdorim në shkritorën e Feronikelit në Gllogofc.
Në drejtorinë e Feronikelit, shkrimtari Ymer Elshani, në ngjashmëri me përkthyesin me normë të Lasgush Poradecit në Tiranë, u tha shkurt e zëshëm: "Unë po kam problem me përkthimet nga fusha e teknologjisë në Feronikel." Kjo punë, sipas tij, ishte larg fushës së letërsisë që shkrimtari e kishte në dijen dhe opusin e tij si shkrimtar dhe studiues i letërsisë për fëmijë e të rinj në Kosovë. Ky është fati i shkrimtarëve në regjimet totalitare të kohës, ndonëse ata më së miri u bënin opozitarët dhe ligjvënësit për pushtetet, thoshte poeti Shell në shkrimet e tij.