“Çdo dritë sado e vogël që të jetë e largon terrin. Sigurisht që një hyll në mos pastë aq dritë sa me ndriçue ku të vemë këmbën, së paku na shërben se ku ta drejtojmë hapin”, [1]
Shpirti hyjnor i femrës shqiptare
Në fushën e letrave shqipe janë të pakta autoret femra, edhe më të pakta autoret që shkruajnë për Femrën, për rëniet e ngritjet e saj!
Fati i femrës dhe roli i saj në shoqëri vazhdojnë të jenë sfiduese. Ajo vazhdon të mos jetë e vlerësuar, e injoruar dhe pa vendin meritor që i takon!.
Megjithatë, FEMRA SHQIPTARE vazhdon të jetë e suksesshme, duke i treguar aftësitë dhe zotësitë e saj, por edhe të ngrehë zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin e i bëhen!
Është dr. Shukrije Rama, studiuese e letërsisë e autore tani më e dëshmuar, që në librin e saj të fundit, “Mos paç fatin tim” rrëfime të njëmendta, shpalos rrëfime që kanë personazhe reale femrat, të cilat janë të profesioneve e moshave të ndryshme. Rrëfimet e tyre ngjallin emocione të forta për autoren, e mbajnë të lidhur fort lexuesin me tekstin, me tablotë sa rrëqethëse po aq motivuese, për forcën dhe shpirtin hyjnor që kanë Femrat, Motrat e Nënat Shqiptare!
Janë tetëmbëdhjetë rrëfime, secili më prekës se tjetri, dhe tetëmbëdhjetë heroina të cilat kanë sfiduar kohën e vështirësitë në rrugëtimin e tyre jetësor!
Pena e Shukrije Ramës është ‘ngjyer’ me lot, dhimbje, ofshama e qëndresë të personazheve të saj, të cilat në faqet e këtij libri u ngjajnë rrathëve të kujtesës dhe janë një jehonë e fuqishme e ndërgjegjes sonë kombëtare, me ooooheeeet dhe ofshamat e tyre, si dhe për vendosmërinë për të jetuar e për t’i mundur të gjitha pengesat!
ATO kanë guximin të ecin vertikalisht edhe kur paragjykohen, janë të forta edhe kur lëndohen për fëmijët, e duan jetën dhe nuk i dorëzohen sëmundjes, i duan fëmijët e tyre edhe kur bëhen nëna të reja e janë të braktisura!!!, sepse “Guximi është vyrtyti madhor për cilindo që kërkon të njohë Gjuhën e Botës”[2]
Histori dhimbjesh
Historitë e rrëfyera të personazheve të librit “Mos paç fatin tim” të autores Shukrije Rama, janë histori dhimbjesh të cilat të drithërojnë deri në palcë.
Historia e Hamide Ramës, është një histori që të tronditë, por edhe të sfidon me forcën e një nëne, e një gruaje shqiptare të cilën e goditi rëndë fati jetësor.
Ajo rrëfen se si i përcolli pesë fëmijët e saj nën mëshirën e ZOTIT. E ku ka dhimbje më të madhe për një nënë, e cila ishte vet burrë e vet grua, (pasi burri i vdiq e la me fëmijë jetim), të përjetojë vdekjen e një pas njëshme të fëmijëve të saj, të qëndrojë e fortë. Njeriu është më i fortë se guri, është një thënie e vjetër, e Hamidja, personazhi real i Shukrije Rames, vërtet ishte më e fortë se guri.
Një histori mjaft domethënëse është edhe historia e Miradije Ibrahimit, vajzës së veprimtarit Vehbi Ibrahimi i varë në Belgjikë, vrasje të cilën e kujton me shumë nostalgji Miradija, që ishte vetëm 12 vjet kur babai iu vra para syve të saj. Vrasje e cila e përcjell çdo ditë.
Autorja e jep me shumë origjinalitet një pjesë të rrëfimit të Miradijes me rastin e vrasjes së babait të saj dhe ardhjes së policisë belge në vendin e ngjarjes. Njëri nga policët shkel në gjakun e babait të vrarë të Miradijes, dhe reagimit Miradijes së vogël, atëherë 12 vjeçare ishte si i një të rriture: “Mos shkelni në gjakun e babait tim se nuk është ujë” [3]
Rrëfimi i Elhame Muçollit, e mbijetuara e Masakrës së Poklekut ku humbën jetën 53 shqiptarë, në kohën kur ndodhi maskara kishte vetëm 14 vjet, është rrëfim tronditës. Rrëfim i njëmendët i cili dokumenton një ndër masakrat më mizore të luftës në Kosovë, që dëshmon se në çdo masakër e tragjedi të madhe shpëton dikush për të dëshmuar të vërtetën.
Se forcat gjakatare serbe, nuk zgjidhin mjete për të shfarosur çdo gjë shqiptare që u dilte përpara e dëshmon rrëfimi i Bajramshahe Jetullahut nga Komuniteti i Grave të Verbra të Kosovës, e cila edhe atë pak shikim që e kishte e humbi në luftë, ndërkaq sfidat të cilat i përjetoj në luftë janë të trishtueshme, aq më tepër frika dhe tmerri i fëmijëve të saj dhe serbi Qeda dhe grupi i tij kriminal që cilët kishin planifikuar masakrimin e familjes së Bajramshahes, duke planifikuar një kokë shqiptari në tavolinë që ta hante si meze!. Mirëpo, falë ndihmës se një fqinje Bajramshahja kishte arritur të ikte e t’i shpëtonte masakrës.
Rrëfim mjaft emocionues është edhe rrëfimi i Elida Shasivarit, aktores gjakovare, burri i së cilës është viktima e parë civile në Gjakovë.
Kumrie Berisha, gruaja e dëshmorit Arif Ramë Berisha, dhe rrëfimi i saj, është vetëm njëra nga ato shumë gra që iu vranë burrat në luftë, për të vazhduar jetën me shumë peripeci në rritjen e fëmijëve jetim.
Femrat të zonjat në luftë e të zonjat në paqe
Hyrije Hana, shembulli i sakrificës e qëndresës përballë forcave gjakatare të UDB-së, e cila për autoren e librit rrëfen se jeta e saj më shumë ishte teatër burg- burg – teatër. “Veprat e zonjës Hyrije mbeten të pasura me të gjitha: me sofrën plot, me këngë dhe valle, me punë, me mësim, me sakrifica. Me zjarr në vatër. Këto punime zonja Hana nuk i realizoi për një periudhë të shkurtër, brenda një kohe të caktuar, por punoi gjatë tërë jetës së saj- sa ishte gjallë”[4]
“E veshur me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, marshonte e para nëpër rrugët e kryeqytetit. Të nesërmën i skadonte afati i militarzimit. Me një buzëqeshje tejet spontane thoshte: “Ne mbaruam misionin tonë. Me gjithë sakrificat dhe mundin tonë, zhdukëm mykun e gënjeshtrave sllave. Është koha e heshtjes së armëve. Më nuk kemi me kë të luftojmë”[5]- është ky vetëm një fragment i rrëfimit të ushtares së UÇK-së, Melihate Hoxha, ushtare në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është njëra nga Ato që dëshmojnë se ferma shqiptare në çdo rrethanë kohore e historike e tregoj vetën!
Ndërkaq, rrëfimi i Tahire Haxhollit, polices së parë pas lufte në Policinë e Kosovës, dëshmon se nuk ka qenë e lehtë të jetë në profesionin e polices.
Rrëfimet e të mbijetuarave nga sëmundja e kancerit, janë rrëfime që tregojnë forcën e madhe të gruas dhe luftën e saj për jetën.
Albana Beqiri rrëfen përvojën e saj me kancerin dhe vendosmërinë që të luftonte dhe ta mundëtte sëmundjen. Rrëfimi i saj është prekës, sidomos momenti kur mori vesh që është e sëmurë me kancer. Iu shfaq fytyra e dashur e babait dhe fytyra e dashur e shoqes se saj Aides e cila vdiq nga kjo sëmundje e mallkuar! Mbase, rrëfimi i Albanës sikur korrespondon me një thënie të librit “Alkimisti” të Paulo Coelho-s se ““ Vetëm ai që gjen rrugën drejt jetës, mund të zbulojë thesare”, e Albana e vendosur e mundi sëmundjen dhe e deshi jetën, ‘zbuloi’ thesarin se jetën duhet dashur dhe duhet luftuar për të, edhe kur ajo të rëndon!
[6]Sëmundja e rëndë e kancerit kishte goditur edhe Habibe Hoxhën, e cila mbijetoi dy herë kancerin.
Adelina Mamaqi, shkrimtarja e parë për fëmijë, është ndër rrëfimtaret më simpatike të autores, e cila botimet e para me pseudonim Burri.
Rrëfimet e njëmendta të personazheve të librit “Mos paç fatin tim” të Shukrije Ramës, janë rrëfime që skalisin fatin, forcën hyjnore e durimin e madh të Gruas shqiptare.
“Me të vërtetë ka një ngjasi në mes të rrjedhës së krojit të jetës së kombeve… Në jetën e popujve rolin e kroit e luan femra. Ajo është burimi i të gjitha përtëritjeve, lindjeve e krijesave. Nëna, gruaja, mëmëdheu!...Në këtë çast nuk po flasim vetëm për një grua, për një femër; po bisedojmë për qindra, mijëra, miliona nëna. Kjo masë formon burimin më madhështor, më energjik të gjallërisë e të qenies së kombit. Fuqija femërore është themeli ndërtonjës i shoqërisë”[7]
Shtyllë e shtëpisë, e kombit dhe shoqërisë
Rrëfimet e njëmendta të personazheve të këtij libri, të dhëna në formën artistike nga autorja Shukrije Rama, pasqyrojnë figurën e Gruas në të gjitha dimensionet jetësore: nënë, motër, intelektuale e atdhetare, ashtu siç do ta vlerësonte Vasafi Samimi: “ “Gruaja është themeli i shoqërisë. Kur duam të ndryshojmë shoqërinë, në radhën e parë detyrohemi të lartësojmë mëmën”. [8]
Ky libër, është vetëm një dritë e vogël, i cili synon të ndriçojë rrugën sfiduese të të gjitha atyre nënave, motrave e vajzave të cilat u sfiduan në forma të ndryshme, por ia dolën.
[1] “Ut heri dicebamus…(Siç thonin dje…) Zef Pllumi, Botime françeskane, Shkodër, 2017, fq. 28
[2]Paolo Coelho, “Alkimisti” fq. 120
[3] Shukrije Rama, “Mos paç fatim tim” Botoi “OM” Prishtinë 2023, fq.6
[4] Shukrije Rama “Mos paç fatin tim”Rrëfime të njëmendta, botoi “OM”2023, fq.75.
[5] PO aty, fq. 65
[6] Po aty, f. 127
[7] Vasfi Samimi “ Nëna Kosovë”, Tiranë, 1995, fq.71
[8] Vasfi Samimi “ Nëna Kosovë”, Tiranë, 1995, fq.82