Në ambientin e ngrohtë të sallës së Kishës Katolike "Lartësimi i Kryqit të Shenjtë" në Gllaviçicë, u mbajt promovimi i librit "Don Marjan Ukë Uka – misionar i denjë i fesë dhe i kombit," një vepër monografike e bashkautorëve don Jeton Thaqi dhe Mikel Gojani.
Ky botim monografik i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së dom Marjan Ukë Ukës, një figurë të shquar të Kishës Katolike, i cili për më shumë se pesë dekada ka qenë burim frymëzimi shpirtëror dhe kombëtar për grigjën e tij dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Ngjarja kulturore mblodhi një audiencë të gjerë, përfshirë imzot Dodë Gjergjin, ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, klerikë, intelektualë, studiues, miq dhe besimtarë nga SHBA, Tirana, Lezha, Shkodra, Gjakova, Rahoveci, Klina e Lugut të Drinit, Lugu i Baranit, Lugu i Leshanit dhe Peja, të cilët erdhën për të shprehur mirënjohjen dhe respektin e tyre për jetën dhe veprën e dom Marjanit.
Prania e kësaj audience të larmishme dëshmoi ndikimin e thellë të dom Marjanit në jetën fetare, kulturore dhe kombëtare të komunitetit në Dioqezën e Kosovës.
Promovimi u hap me një fjalë përshëndetëse nga organizatorët, të kryesuar në mënyrë ekselente nga prof. Mëhill Velaj, i cili me elokuencë falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe interesimin e treguar për këtë vepër me vlera të jashtëzakonshme historike dhe fetare. Ai veç tjerash theksoi se libri përfaqëson një dëshmi të pasur të jetës dhe misionit të dom Marjanit, duke u shndërruar në një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm.
Pas fjalës hyrëse nga imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës dhe don Jeton Thaqi (në cilësinë e bashkëautorit e nikoqirit don Ambroz Demaj, famullitar i Gllaviçicës); aktiviteti vijoi me prezantimin e kumtesave nga referues të shquar, të cilët ofruan analiza të thelluara mbi jetën dhe veprimtarinë e dom Marjan Ukë Uka.
Referuesit dhe opinionistët ndriçuan aspekte të shumta të përkushtimit të tij ndaj fesë, edukimit dhe identitetit kombëtar, duke vënë në pah rolin e tij në rritjen shpirtërore dhe kombëtare të komunitetit katolik.
Në mesin e referuesve të spikatur që trajtuan figurën e dom Marjanit, u veçuan:
• Prof. Prend Buzhala, i cili analizoi aspektin letrar dhe analitik të librit: "Don Marjan Ukë Uka – Misionar i Denjë i Fesë dhe i Kombit".
• Prof. Pal Canaj, i cili ndriçoi ndikimin e don Marjanit në aspektin shpirtëror, dhe kulturor dhe ruajtjen e identitetit kombëtar,
• Publicisti Lekë Mrijaj, i cili vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e dom Marjanit në komunitet.
• Në emër të p. Ndue Kajtazit kumtesën dedikuar don Marjanit e lexoi prof. Mëhill Velaj. Me një kumtesë tematike para të pranishmëve u prezantua publicisti i shquar prof. Gjokë Sokoli etj.
Fjalimet e referuesve hodhën dritë mbi përkushtimin e palëkundur të dom Marjanit ndaj besimit, sfidat e tij dhe përpjekjet për të ruajtur grigjën e Krishtit në kohë të vështira.
Në vazhdim, bashkëautori tjetër i librit, Mikel Gojani, shprehu mirënjohjen për bashkëpunëtorët dhe studiuesit që kontribuuan në realizimin e kësaj vepre, duke e cilësuar atë si një testament të vlerave fetare dhe atdhetare të dom Marjanit.
Ndërkohë, protagonisti i librit, dom Marjan Uka-Sheqeri, në fjalën e tij emocionuese, falënderoi autorët për këtë vepër, që pasqyron jetën dhe përkushtimin e tij në shërbim të besimit dhe kombit. Ai kujtoi momente kyçe të shërbesës së tij dhe falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin e tij shpirtëror dhe kombëtar. Pak para fundit të promovimit me fjalë përgëzimi u paraqitën: don Fran Sopi, don Nikê Ukgjini , prof. Bekim Kelmendi, prof. Ndue Shabanaj, mr.sci. Vilson Culaj etj.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për organizatorët dhe referuesit, duke e vlerësuar këtë promovim si një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së dom Marjanit.
Promovimi u përmbyll me shpërndarjen e librave për të pranishmit, të cilët e mirëpritën këtë botim me entuziazëm, duke e konsideruar atë si një pasuri të çmuar shpirtërore dhe dokumentare. Atmosfera u karakterizua nga diskutime të frytshme dhe reflektime të thella mbi mesazhin që përçon kjo vepër, duke krijuar një moment të veçantë bashkimi dhe frymëzimi për të gjithë të pranishmit.
Ky promovim shënoi një moment të rëndësishëm në nderimin e një personaliteti të shquar, i cili i ka dhënë shumë komunitetit katolik dhe trashëgimisë sonë kombëtare.