Arti Skenik, një udhërrëfyes për edukimin dhe kulturën e fëmijëve

Kultura

Arti Skenik, një udhërrëfyes për edukimin dhe kulturën e fëmijëve

Më: 28 janar 2025 Në ora: 20:29
Ilustrim

Shfaqjet për fëmijë janë gjithnjë e më të pranishme në repertorët teatrorë dhe po ndikojnë në edukimin kulturor dhe skenik të fëmijëve. Regjisorët dhe aktorët theksojnë se kjo qasje është një hap i rëndësishëm drejt përgatitjes së brezave të rinj për artin.

Vënia në skenë e shfaqjeve për fëmijë është shumë e rëndësishme, pasi fëmijët mësojnë ta njohin skenën dhe artin, gjë që ka zgjuar interes të madh, thonë njohësit e artit skenik.

"Jam shumë i lumtur që viteve të fundit po prodhohen shumë shfaqje për fëmijë, të cilat ndikojnë jashtëzakonisht në edukimin e tyre të hershëm, në njohjen me artin skenik dhe në pasurimin e kulturës së përgjithshme", tha Sabri Pajaziti, regjisor.

Përgjegjësit e teatrit në Ferizaj vlerësojnë se brenda ansamblit duhet të krijohet një sektor i veçantë për fëmijë dhe të rinj.

"Kishte me qenë mirë që çdo teatër ta ketë një sektor për të rinj dhe fëmijë, ku të shkruhen drama për problemet e tyre dhe që këto të shfaqen përmes artit", tha Fatmir Hyseni, drejtori i “Teatrit Adriana”.

Aktorët që performojnë për fëmijë shprehen se të luash para këtij publiku është një emocion i veçantë.

"Ka një dinamikë të jashtëzakonshme dhe bashkëveprim me fëmijët. Reagimet dhe ndërhyrjet e tyre gjithmonë krijojnë emocione unike për aktorin", tha Arben Marevci, aktor.

"Është një ndjenjë e veçantë, sepse fëmijët janë shumë të sinqertë dhe emocionet i shprehin në mënyrë të drejtpërdrejtë për atë që ndjejnë, mendojnë dhe shohin", tha Ali Krasniqi, aktor.

Aktualisht në repertorin e teatrit është shfaqja “Rojtari i vreshtave”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat