Dom Ndoc Nikaj - Prifti atdhetar që luftoi me pushkë e penë për idealet…

Kultura

Dom Ndoc Nikaj - Prifti atdhetar që luftoi me pushkë e penë për idealet…

Nga: Gjon Kolë Gjokaj Më: 30 janar 2025 Në ora: 07:09
Dom Ndoc Nikaj

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij, nderojmë jetën e Dom Ndoc Nikajt, romancierit të parë shqiptar.

Dom Ndoci u lind në Shkodër me 15.6.1865. Ai ishte femija i tretë i tetë fëmijëve të Gjokës së Shtjefën Jak Nikajt dhe Ages së Gjon Gulit. Mësimet fillore i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Seminarin Papnor, nën udhëheqjen e etërve jezuitë. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888.

Dom Ndoc Nikaj ishte prelat i fesë dhe kombit, romancieri i parë shqiptar dhe historian që nuk e ngatërroi folklorin me patriotizmin. Prift katolik dioqezan, historian, veprimtar atdhetar, por edhe autori i romanit të parë, të shkruar në gjuhën shqipe me titull “Marcia”(Marcia e krishtenimit në fillesat e veta). Dom Ndoc Nikaj, pra, një prift dhe rilindës shqiptar që i bashkohet plot priftërinjve dhe shkrimtarëve që veprimtarinë dhe shkrimin priftëror e kuptonin si mision në shërbim të Zotit dhe të popullit shqiptar, në mbështetje të idesë kombëtare.

Dom Ndoc Nikaj qe shkrimtar dhe punëtor i palodhur, një dijetar i zellshëm i cili për mëse 50 vite me radhë punoi duke mos lëshuar pendën prej dorës për të lëvruar gjuhën shqipe dhe ringjallë tek populli idenë kombëtare duke përforcuar identitetin etnik e shpirtëror. Si i tillë, dha kontribut me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kulturën shqiptare, edhe sa i përket krijimtarisë së tij të madhe e poliedrike, e sidomos duke pasur parasysh kohën kur dom Ndoc Nikaj punoi, periudhë kjo kur gjuha shqipe ishte rreptësisht e ndaluar nga ana e qeverisë turke.

Veprimtarinë letrare e filloi kur ishte ende student në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku përgatitej për meshtarinë. Librin e parë e botoi në vitin 1888 me titull “Festimet e kishës”, vepër e cila u botua nga shtypshkronja Propaganda Fide në Romë. Dom Ndoc Nikaj kishte dy synime fisnike në këtë vepër: të kuptonte më mirë historinë e kishës dhe t'i mundësonte popullit të ketë njohuri për kishën dhe krishterimin dhe së dyti të nxiste dhe të ringjallte tek populli shqiptar dëshirën dhe shijen për të lexuar në gjuhën shqipe. Një vit më vonë (1889) boton romanin "Marcia", titulli origjinal i veprës është: 

"Marcia e krishtenimit në fillesat e veta", e cila u përhap shpejt pothuajse kudo. Abati i Mirditës, Imzot Prenkë Doçi, shkoi një ditë i shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë në Shkrel, ku ishte famullitar Dom Ndoci. Së bashku me Dom Ndocin, ata vendosën të formojnë një shoqëri, qëllimi i së cilës do të ishte përhapja e idesë kombëtare dhe çlirimi i trojeve shqiptare nga sundimi osman. Kjo shoqëri u quajt "Lidhja e Msheftë". Lidhja u përhap kryesisht falë punës së palodhshme të Dom Ndoc Nikajt dhe më vonë përgatiti kryengritjen kundër sundimit osman. Dom Ndoci u transferua nga Shkreli në Dajç në bregdetin e Bunës. Ideja e një kryengritjeje kundër qeverisë turke vinte gjithnjë duke u pjekur, kur pas përgatitjeve të duhura, shpërtheu më 25 mars 1910 dhe zgjati deri në vitin 1912, me arritjen e pavarësisë. Prifti shqiptar Dom Ndoc Nikaj ishte ai që e ndihmoi dhe mundësoi kryengritjen në çdo mënyrë, madje ai vetë ishte frymëzuesi i saj. Kur Imzot Prenkë Doçi zhvilloi programin e trajnimit të shoqërisë letrare “Bashkimi” (1899), Dom Ndoci ishte punëtori më i zellshëm dhe puna e veprimtaria e madhe e këtij krijuesi e lejoi shoqërinë të përhapet dhe të marrë një rëndësi të madhe. Më 1909 krijoi një shtypshkronjë në Shkodër, ku u botuan fletore dhe libra në gjuhën shqipe. Kështu, në vitin 1910 ai botoi një nga broshurat e para politike në Shqipëri. Kjo fletore u botua me emra të ndryshëm: numri i parë quhej “Koha”. Ky titull tërhoqi vëmendjen e qeverisë osmane, e cila e detyroi Dom Ndocin të ndërronte emrin që fillimisht ishte “Bashkimi”, më pas “Besa Shqyptare” e “Zani i Shkodrës”, sipas kushteve të brendshme politike që ekzistonin. Kjo fletore u botua në vitin 1921. Ajo përmbante artikuj plot guxim e frymë kombëtare, për të cilat edhe Dom Ndoci u dënua me burg, rrahje të dhunshme, kërcënime, etj. Në vitin 1897 Faik Konica nxori botimin e përkohshëm “Albania”. Dom Ndoc Nikaj merr pjesë thuajse rregullisht në këtë revistë me artikuj të përmbajtjes politike, shoqërore e patriotike. Këtu ai kishte pseudonimin “Nakdomonici” ku At Gjergj Fishta në poezinë satirike “Nakdomonicipedija” “tallte” apo vinte në lojë përpjekjet fisnike dhe atdhetare të këtij prfti të madh shqiptar. Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më shumë se 30 vepra me përmbajtje të larmishme. Elementi kryesor i pothuajse të gjitha veprave është marrë nga jeta shqiptare: përshkruhen zakone të lashta dhe fisnike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, pra bëhet fjalë për tematika nga jeta e popullit tonë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqipërisë” (vepra numër 414, botuar në Bruksel më 1902. “Përshkrimet e betejave të shqiptarëve kundër turqve nën udhëheqjen e të madhit Skënderbe, deri në rënien e Shkodrës më 1478, përbëjnë dëshmi të gjallë dhe të shkruar me entuziazëm kombëtar, prej nga vihet re zemra e përvëluar e shkrimtarit për kombin e vet.

Në bashkëpunim me Dom Kolecin, autorin kryesor të fjalorit të famshëm "Bashkimi" (1908), Dom Ndoc Nikaj punoi edhe për përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famulli kishtare ku veproi si meshtar.

Disa nga veprat e shumta të botuara nga autori në fjalë janë: “Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), Revista “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 -1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), ”Histori e Shcypniis”, “Përmbledhje e historisë së Shqypnis për shkolla” (pjesa e parë, botuar në Bruksel me 1902, “Përmbledhje e historisë së Shqypnis për shkolla” (pjesa e dytë, botuar në Shkodër, më 1917, "Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), "Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj. Shumë nga dorëshkrimet e tij mbeten të pabotuar, duke përfshirë shtatë romane: katër romane historike dhe tre në përkthim të lirë. Ato janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”. Dom Ndoc Nikaj qe vërtet një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i papërkulshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar.

Puna madhështore e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e fali për botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, Dom Ndoc Nikaj qe pjesë e presidiumit të mbledhjes që themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve. Pas një viti u arrestua nga autoritetet e regjimit komunist më 9 shtator, në moshën 82 vjeçare dhe vdiq në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, me 15 janar 1951.

Dom Ndoc Nikaj, një zemër që rrahu fort për popullin dhe atdheun e tij, nuk u lodh kurrë në përpjekjet e tij të parreshtura për të mbrojtur dhe përhapur gjuhën dhe kulturën shqiptare. Edhe pse jetonte në një kohë kur gjuha shqipe ishte e ndaluar, ai jo vetëm që ruajti dhe transmetoi kaq besnikërisht shpirtin kombëtar përmes veprave të tij, por edhe sfidoi me guxim çdo pengesë që i doli përpara. Tërë jeta e tij ishte një mision i shenjtë, një luftë e pandalshme për të çuar përpara dritën e dijes dhe të vërtetës nëpër shekuj.

Le të marrim frymëzim nga jeta dhe vepra e Dom Ndoc Nikajt, e cila na kujton se përkushtimi ndaj idealeve të lirisë dhe atdhetarisë triumfon mbi çdo pengesë dhe harresë. Ndërsa kremtojmë trashëgiminë e pashoqe të këtij titani të teologjisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare, le ta mbajmë gjallë kujtimin e tij, duke mbjellë farën e dashurisë për atdheun në zemrat e brezave të ardhshëm. Në fund, e vërteta dhe ndjekja e lirisë dhe idealeve patriotike do ta gjejnë gjithmonë rrugën e tyre drejt dritës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat