Vjen fushata, nis maskarada,
Lufta për pushtet, gjuha si lopata.
Vrap në tubime, si shigjeta n’erë,
Me retorikë, e premtime pa vlerë.
Njëri ofron punë, me rrogë të lartë,
Tjetri qeverisja, nuk bëhet pa gratë.
Një tjetër thotë: - Bursa për studentë,
Edhe pensionistët, mos të kenë dert!
Vazhdon fushata me fjalime t’zjarrta,
Herët fillon dita, e vonë mbaron nata.
Nëpër trotuare, rrugë, shesh dhe qytet,
Shpalosen reklamat, lufta në internet!
Kur premtimet ngecin, nis manipulimi,
Te blerja e votës, mbështet shpëtimi…
Një paketë ndihma – një votë në kuti,
Punësimet me lidhje, nuk njohin kufi!
E kush s’bindet, ka punë me militantë,
Veç kërcënimit edhe nga një shamatë.
Sepse fushatat, nuk bëhen pa skandale,
Pa shantazhe, shpifje e sharje banale!
Pastaj, zgjedhjet mbarojnë, si më parë,
Populli shpreson, duke qeshur dhe qarë.
Në çdo katër vjet, mandate e zhgënjime,
Të njëjtat fytyra, me të njëjtat premtime!