Kompania ALB-Architect, është kompania e përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për projektin e ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovë. Përveç xhubletës, e cila e veçon dhe e bënë më të bukur këtë objekt, të veçantë po e bënë edhe arkitekti ndërkombëtar që e ka në dorë.
ALB-Architect, ka arritur të bashkëpunojë me arkitektin me famë botërore, Bjarke Ingels nga BIG, i cili po arrin të ndryshojë arkitekturën në botë.
CEO i ALB-Architect, Afrim Demiri, u shpreh për KosovaPress se kjo kompani ka pasur për qëllim të sjell një arkitekt që do të ndryshojë Kosovën në arkitekturë.
“Që nga shpallja e këtij konkursi, ALB Architect ka pasur për qëllim që të sjellë një arkitekt, i cili po ndryshon arkitekturën në botë dhe që do të sjellë këto ndryshime edhe në arkitekturën e Kosovës. Në muajin e parë, kemi qenë shumë të gëzuar që BIG ka pranuar të vij me ne në garë. Si ALB-Architect, ne i kemi motivuar me kulturën e Kosovës dhe këta kanë bërë përzgjedhjen e xhubletës. Për turistët, në të ardhmen ka me qenë një investim shumë i madh”, tha Demiri.
E si ka ardhur ideja për të zgjedhur formën e objektit në formë të xhubletës ka treguar Demiri.
Ai u shpreh se si kompani gjithmonë ka dashur që xhubleta të jetë në këtë histori.
“Ne i kemi furnizuar me material kulturor, sepse si pikë e parë në dokumentacion, ishte kërkesa që motivi i projektit të jetë kulturor. BIG, ka bërë pesë propozime, mes tyre kanë qenë edhe shumë elemente tjera si lule-kuqja apo shota. Në fund ata bënë këtë propozim kur e kanë kuptuar që edhe xhubleta është në UNESCO. Në fillim, e kemi pasur të vështirë t’ia shpjegojmë, që populli shqiptar është një i vetëm, bashkë me Shqipërinë. Atëherë, BIG nuk ka dashur të gabojë nga ana juridike lidhur me çështjen nëse xhubleta i përket vetëm Shqipërisë apo edhe Kosovës. Pasi mori aprovimin, thjesht e zgjodhi atë. Ne kemi qenë në përgjithësi, si komunitet, si shqiptarë, të gëzuar që xhubleta të jetë në këtë histori”, u shpreh ai.
Ky objekt do të ketë 300 deri në 1200 ulëse, salla ushtrimesh, park e shesh, lokacioni i së cilës është vendosur prapa Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Vlera e projektit për Teatrin e Operës dhe Baletit është 2 milionë e 450 mijë euro dhe do të përfundojë për 15 muaj, ndërsa zbatimi fillon në vitin 2026.