Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë

Kultura

Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 5 shkurt 2025 Në ora: 12:12
Dr. Shefkije Hasani

Katër vjet pas ndarjes së saj nga jeta, kujtimi për Dr. Shefkije Hasanin, mbetet i pashuar në zemrat e atyre, që e njohën dhe patën fatin të trajtoheshin nga dora e saj e artë. E njohur me dashuri nga populli si Doktor Shefka, ajo ishte një oftalmologe e shquar dhe një veprimtare e palodhur, e cila ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve dhe kombit.

Lindur dhe rritur në Tërnoc të Bujanocit, Dr. Shefkije Hasani, ka qenë një nga profesionistet më të respektuara të fushës së oftalmologjisë. Për vite me radhë ajo punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, ku trajtoi me përkushtim pacientët, duke i ndihmuar me profesionalizmin dhe humanizmin e saj të pakrahasueshëm. Ishte e njohur për butësinë dhe përkushtimin ndaj pacientëve të saj, duke i trajtuar me ngrohtësi dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Ajo e kishte bërë të vetin betimin e Hipokratit, duke e zbatuar në praktikë me dashuri e përkushtim.

Gjatë konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës, Dr. Shefka u angazhua me vetëmohim në ambulancën e fshatit Tërnoc, ku trajtonte jo vetëm civilët e përfshirë nga lufta, por edhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Zonat e fshatrave përreth, si Lluçani, Turia, Konçuli dhe Dobrosini, gjetën tek ajo një dorë shëruese dhe një shpirt sakrifice, që nuk njohu lodhje apo frikë, përderisa nën plumbat e luftës shpëtonte jetë.

Trashëgimia e saj nuk kufizohet vetëm në profesionin e mjekësisë. Dr. Shefka vinte nga familja Hasani, një familje e njohur për humanizmin dhe atdhedashurinë e saj. Vëllai i saj, Adem Hasani së bashku me bashkëshorten e tij zonjën Feime Kuçi, pronar i Kompanisë "Dreni Pharm", vijoi rrugën e bamirësisë dhe shërbimit ndaj komunitetit, duke ndihmuar mijëra persona në nevojë, sidomos gjatë pandemisë së fundit, kur ofroi ilaçe për të prekurit nga virusi vdekjeprurës. Familja Hasani ka nxjerrë brez pas brezi profesionistë të mjekësisë, si Doni(Donati) farmacisti dhe mjeku Dren Hasani, i cili ka ndjekur rrugën e doktor Shefkës në shërbimin ndaj shëndetit të popullit.

Pacientët e kujtojnë Dr. Shefkën si një mjeke popullore, e cila nuk e shihte profesionin si një detyrë, por si një mision shenjtëruar për të ndihmuar njerëzit. Për të, çdo pacient ishte një njeri në nevojë, jo vetëm një rast klinik. Edukata dhe sjellja e saj model e bënë të dashur për të gjithë, duke i dhënë mjekësisë një dimension të vërtetë humanizmi dhe shërbimi të palodhur. Ky shembull frymëzues po ndiqet edhe nga nipat e saj, Dreni dhe Doni, të cilët me përkushtim po e vazhdojnë rrugën e saj, duke dëshmuar se profesioni i mjekut është mbi të gjitha një thirrje për të shërbyer me përulësi e dashuri.

Sot, katër vjet pas ndarjes së saj nga kjo botë, Dr. Shefkije Hasani mbetet një emër i paharruar, një simbol i humanizmit dhe profesionalizmit, një grua që jetoi për të tjerët dhe që trashëgoi një vepër që nuk do të shuhet kurrë.

I qoftë i lehtë dheu i vendit, që aq shumë e deshi!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat