Aksidenti

Kultura

Aksidenti

Nga: Mujë S. Berisha Më: 6 shkurt 2025 Në ora: 00:24

Ah, këto zgjedhjet e kohëve të sotme! Çdo dy vjet zgjedhje: qendrore – lokale; lokale - qendrore; të parakohshme - të jashtëzakonshme… Të gjitha politike me moton patriotike: “Partia jam vetë, dua të bëhem mbret; deti u bëftë kos, unë nis e sos...”!  Megjithatë, zgjedhje demokratike ishin këto në Kosovën e lirë dhe duhej hedhur votën, si detyrim qytetarie, për të zgjedhur më të mirët,  megjithëse premtimet në fushatat zgjedhore qenë bërë bajat. Ishin këto, më tepër, çirje zërash të dala nga gurmazi pa asnjë ngjyrë modestie. Ose thënë më qartë: ishin premtime boshe dhe jo reale në përmbajtjen e vet: do ta bëjmë këtë, do ta realizojmë atë; pagat do t’i rrisim; pensionet dhe ndihmat sociale do të jenë të denja për moshat e treta; do të ndërtojmë çerdhe fëmijësh; do të ndërtojmë shkolla; do të ndërtojmë azile për pleqtë, të sëmurë e të lënë pa përkujdesje nga fëmijët, që po marrin botën në sy; do të ndërtojmë parqe gjithandej, nëpër qytete e fshatra; Kosova do të bëhet si një kopsht me lule; madje do t’ia kalojë edhe Zvicrës; do të nxjerrim ligjet më të drejta; liri, drejtësi e demokraci sa të dojë zemra; etj. etj.

Zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje... dëgjonte Balushi të flitej në mediet audio-vizuale, në portalet e internetit, në shtypin ditor; zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje... shihte në reklamat e ngjitura nëpër ndërtesat, lart e më lart, ku binin në sy fotografitë dhe emrat e kandidatëve; edhe të partive politike; shumica prej tyre kishin shtypur kartëvizita (nuk dihej me çfarë prejardhje parash, por jo të vetat), të cilat shpërndaheshin nëpër dyert e qytetarëve votues. Edhe telefonat nuk gjenin qetësi, natë e mesnatë, kohë e pakohë... Edhe Balushit disa herë i kishte kërcitur telefoni... “Alo, shoku Balush, jam filani. E dua një votë nga ti. Jo një votë, po më shumë vota. Më dëgjon! Po u zgjodha deputet do të përfitosh  edhe ti. Mendohu mirë Balush shoqi”! etj.etj... Mirëpo, Balushi çele gur gojën. Thirrjet e tilla i përjetonte keq. Edhe shqetësohej, Në ato thirrje nuk i përgjigjej askujt. Le që nuk fliste, por nganjëherë donte ta përplaste aparatin për ta bërë copë e grimë. Dhe do ta bënte këtë “aksident”, por ec e blejë më me atë pensionin e mjerueshëm.

Me gjithë ato premtimet e kandidatëve për deputet, Balushi mëdyshej nëse ato mund të ishin reale për t’u realizuar. Megjithatë, ai e ndiente si detyrim, jo vetëm qytetar, por edhe si një akt atdhedashurie ta hidhte votën, siç u thoshte shokëve dhe miqve, “për kandidatin më të mirë”. E kur e pyetshin për më të mirin, ai vetëm i rrudhte krahët. Mirëpo, ditën e zgjedhjeve të fundit po e priste me padurim, duke menduar se vota e tij me atë të zonjës - Nerminit do të peshonin andej nga e mira, më e leverdishmja për pleqërinë e tyre.

Dhe erdhi ajo ditë e shumë pritur, kur Balushi duhej kryer atë detyrë qytetare. Gjithçka ishte e përgatitur si është më së miri. Listat e votuesve, vend votimet, fletët e votimit, udhëzime për mënyrën e votimit, shtabet votuese... Të gjitha këto përplotësonin mozaikun e asaj dite të shënuar si solemne, e denjë për t’u mbajtur zgjedhje të lira e demokratike. Por ec e vendos se kujt t’ia japësh votën në ato listat me shumë kandidatë!? Jo, jo, Balushi për këtë nuk hamendej fare. E kishte piketuar esëll partinë dhe kandidatët, ku do të vendoste atë shenjën magjike në katrorin përkatës të fletës së votimit. 

***

Ishte një e diel shtatori, ditë me plot diell, por me një temperaturë joshëse. Balushi ishte zgjuar në agsholin e ditës, sepse kështu e kishte akorduar orën. Këtë e kishte bërë me qëllim që të përgatitej si është më së miri: të lahej e të pastrohej; të rruhej e t’i drejtonte mustakët; t’i veshte rrobat më të mira, ato të  cilat i kishte për qejfi; të veshte atë këmishën me mansheta bizhuterie të arosura; t’i mbathte ato këpucët brilantine italiane, të cilat ia kishte sjellë e bija; të vendoste në atë qafën e dhjamosur kravatën kuqezi, të blerë në Tiranë, simbol i flamurit kombëtar, për të cilën mendonte se u ka hije vetëm atdhetarëve të flakët. Kështu edhe veproi pa e trazuar të shoqen Nerminin, me të cilën e ndante shtratin dhe për të cilën do ta lente edhe shpirtin. Andaj, nuk ia prishi ritmin e gjumit, atë të orës shtatë (7), sepse i dhimbsej; sepse thoshte që jeta pa grua nuk ka kurrfarë kuptimi.  

Vendi i votimit për familjen e Balushit gjendej në lagjen “Dardania”. Nuk e kishte larg banesës dhe do të shkonin në këmbë, për të thithur, sadopak, atë ajrin e pastër të mëngjesit, se më vonë Prishtina ngufatej nga gazrat e automjeteve. Edhe për t’i shpirë gjymtyrët. Nermini kur u zgjua, ndjeu një aromë parfumi, prej atyre të më të mirëve të Turqisë, i cili ia gudulisi hundët.

– Balusho, - i foli, ku je ore burrë!? Përse u zgjove aq herët? Mos ke ndonjë problem shëndetësor.

-      Jo, moj engjëllushja ime. Jam i shëndosh si molla (Balushit ia kishte ëndja të hane mollat, si frute të shëndetshme). U zgjova herët për t’u përgatitur për këtë festën e madhe të kombit.

-    Çfarë feste, o burrë!? Mos ke parë ndonjë ëndërr dhe po flet si në jermi.

-    Ai, moj, Nerminja ime!  Çfarë ëndrre! Po nuk ke faj që fol me të ja qëlluar. E di se politika ty nuk të intereson shumë. Ti nuk e çan kokën për demokracinë, këtë vlerë njerëzore. Mendon se mund të marrësh frymë lirisht, duke i përcjellë vetëm ato telenovelat turke. Nuk i gjykon mirë raportet e qytetarit me demokracinë. Por s’ka dert. “I din Meta punët e veta”, thotë një fjalë popullore.    

-    Kam punët e mia Balo! Nuk është lehtë të mbash një shtëpi në këtë moshën time. Vërtetë dy veta jemi, se tanët kanë marrë botën në sy, ama punët më duhet t’i bëjë varg e vi; fshijë me fshesë e pastro me lecka; bën dreka e darka; prit mysafirë: miq e mikesha. Shërbe me kafe dhe çaja rusi... Të lutem mos më ngarko edhe me politikë, se ka kush kujdeset për ato partitë, të cilat kanë mbirë sikur kërpudhat.

-    Po, moj, po! Ashtu është siç po thua! Mirëpo pa demokraci nuk ka jetë të lirë. Madje edhe fryma të ndalon. Pastaj, po nuk e kultivuam demokracinë, nuk mund t’i afrohemi Evropës as te këmbët, le më të jesh i barabartë.

-    Të lutem Balush t’i lësh këto dalldisjet politike, por ec ta kryejmë atë votimin. Vetëm të ta kallëzoj të drejtën nuk di se kë duhet votuar. Na e kemi pasur atë Presidentin e Parë dhe jemi mësuar t’ia japim votën vetëm atij. Por ç’ të bëjmë kur ai na e la lamtumirën. 

-    Edhe unë jam në dilema, por të nisemi për t’ia larë një borxh Kosovës tonë.  

Balushi i veshur shik me ato rrobat e reja dhe Nermini me një fustan me ngjyra të vjeshtës (Balushit iu duk sikur po rrezatonte), morën rrugën andej nga vendvotimi në lagjen “Dardania”. Në atë ecjen e tyre, burrë e grua i stoliste, përveç veshjes, edhe ajo krenaria e Balushit, përzier me një ngazëllim të papërmbajtur, i vetëdijshëm se po e përmbushte një detyrim qytetar. Madje, ky heroi i këtij rrëfimi po ecte aq shkujdesëm dhe me kokën ngritur përpjetë sa që njëherë zuri në thua dhe për pak sa nuk u rrëzua. Edhe do të rrëzohej po mos ta mbante shtylla e tij - zonja Nermine. Megjithatë, ky “aksident” qe një hiç gjë, kur, pas pak, në ecje e sipër, i ndodhi ai tjetri: Balushi, pa pritur e kujtuar, shkeli me një bagël (pëgërë) të një qeni endacak dhe, nga rrëshqitja, nuk mundi t’i ndihmonte as zonja Nermine. U rrëzua gjerë e gjatë në asfaltin e trotuarit. Disa fëmijë që u gjendën andejpari, kur e panë ashtu të shtrirë, ia nisën të qeshnin me loçkën e zemrës: hi, hi, hi e ha, ha ha.

Balushi i gjendur në një situatë të tillë, të palakmueshme, ashtu siç ishte shtrirë, njëherë e shikoi veten se, mos, ndoshta, do të ishte lënduar, pastaj i tha Nerminit t’ia kapte dorën për t’u çuar, ndërsa fëmijët i qortoi pse po qeshnin. U tha: - Turp të keni. Ju mungon edukata! Kur u ngrit në këmbë sapo deshi t’i shkundte pantallonat nga prapa, duke menduar se iu kishin pluhurosur, kur ajo pëgëra iu kishte ngjitur përdore.

      -   Ai bre, çka më gjeti! Bërtiti me të madhe, sikur ta kishte kafshuar gjarpri. Jo, sot nuk ka votime për ne, - i tha vetit dhe bashkë me Nerminin u kthye në banesë, i dëshpëruar sa s’ka qysh bëhet. Nga ajo ditë, Balushi për një kohë nuk u mor më me zgjedhjet. Thoshte vijnë ditë më të mira. Por çka i kishte mbetur tjetër, pos ta kritikonte kryetarin e kommunes, ashtu si ndër veti, që nuk po ua bënte qarën qenve endacakë. Edhe Nermini, kjo grua e kujdesshme, asnjëherë nuk ia përmendi atë “aksidentin” në ditën e zgjedhjeve. “E kaluar, e harruar”, i tha vetes.      

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat