Vetëkuptohet se kapitali ta mundëson shundin. Por, për një media profesionale, duhet edhe plotësim i standardeve profesionale, të jetë i balancuar, të parandalohen ndikimet e menaxhmentit, ose të investuesve ekonomik mbi përmbajtjet kulturore e gazetareske dhe gazetarët, të cilat kohët e fundit janë bërë problematike.
Censurimi i opinioneve në media, siç është vërtetuar në hulumtime shkencore, në shtete të ndryshme, vije kryesisht nga grupe interesi dhe natyrisht edhe nga ata që investojnë kapitalin në media, por nuk do të duhej të ishte kështu.
Dhe, TV-Klankosova ashtu si TOP CHANNEL duke e patur kapitalin, kanë guxuar, ta themi, të ofrojnë formate „problematike“, shikuar nga mentaliteti ynë shoqëror dhe tradita shqiptare, veçmas në Kosovë. E kam fjalën për televizionet tjera si, RTK, RTV21, KTV, të cilat nuk i kanë pranuar këto formate, si „Big Brother“ e lloje të shouve të natës si " Robi Plaket Kur Don Vet" i projektuar dhe i udhëhequr nga Robert Berisha.
Shou të tilla, si ky i fundit nuk e di se emitohen në Shqipëri. Gjithsesi mendoj se ato do jenë natyrisht problematike edhe për televizionet gjermane private, për gjuhën e përdorur seksiste, erotike madje edhe pornografike, e përcjellë me tekste gjatë tregimeve të barsoletave. Në faqen e këtij emisioni thuhet për përmbajtjen se ky shou përmban; komedi, intervista, muzikë?!
Tashmë të gjithë po e dinë se në Kosovë TV-Klankosova është një televizion që i provokon, i then tabutë, nuk e ka problem edhe nëse e prekë, e gërvishtë traditën shqiptare, si në shou-në "Robi Plaket Kur Don Vet", e, ta themi se kjo shihet edhe me emetimin e Reality Show "Big Brother". Tani shikuesit e vlerësojnë se a dëshirohet një thyerje e tabuve të tilla apo jo?
Pra, përmes "ROBIT...", "Big Brother", etj, TV-Klankosova, në Kosovë dhe TOP CHANNEL në Shqipëri në sferën kulturore, i shpallën luftë secilit kundër secilit. Dhe dihet, lufta e konsumit i shkon përshtati shitjes- fitimit. Konsumerizëm do të thotë kur je në gjendje të shesish çdo gjë; privatësinë, individualitetin, vyrtytin.. etj).
Kjo pra është ideologjia e re kulturore e artefakteve të prodhuara, të cilën mund ta vlerësojmë si përpjekje për t´i robëruar mendimet dhe alternativat e reja, kultin e individit dhe njeriun e ´lumtur´ i cili ndërtohet sipas trekëndëshit: Mirëqenie, demokraci dhe treg të lirë, mall me bollëk- konsum deri në dehje...Madje shpesh këtu ka një kontradiktë. Jo të gjithë paguhen mirë, sidomos “analistët” nuk paguhen fare e në krahasim me Gjermaninë, ata janë më të paguarit se gazetarët e mediumit dhe kjo tregon se “analistët” shfrytëzohen për konsum të brendshëm.
Kjo do të thotë se ata nuk thonë asgjë të vlefshme, më shumë thonë thashetheme se gjëra të vyera, sepse nuk vlerësohen as nga televizioni. Natyrisht për mallin e mirë do paguhej. Dikur gazetarët në TOP CHANNEL paguheshin mirë, tani në debate ke vetëm konspirativist. Athua edhe Albin Kurti po i urren "banalistët"!
Do të thotë, analizat, programi i mirë, kur ka vlerë duhet të paguhen nëse përmbajnë informacione të vlefshme dhe jo propagandë dhe thashetheme, shpifje etj. A do thotë se menaxhmenti nuk i di rregullat e tregut të lirë, të Drejtat e Autorit? A mund të ndikojë këtu Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës - AGK Komisioni i Pavarur i Mediave - KPM Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës - Press Council of Kosovo.
Kjo do të thotë se individi duhet t´i nënshtrohet tregut, mediumit. E Drejta e Autorit vlen vetëm për Disa. Në rastin e spektakleve mediatike, si kjo e Big Brother- akterët e saj duhet t´i nënshtrohen dikatatit të menaxhmentit dhe natyrisht kjo vlenë edhe për të intervistuarit në intervista. Asnjëherë nuk llogaritet honorari. Kjo sjellje është tipike ballkanase pse jo edhe serbe. Ata (serbët) edhe në pikat kufitare në Serbi, pra, është fjala për doganierët në kufi, të kërkojnë lëmosh, nëse duash ta kalosh kufirin për të hyrë në Serbi- si rrugë tranziti drejtë Kosovës, Shqipërisë apo Maqedonisë etj.
Kështu pra, e thënë shkurt; kjo kulturë e keqe duhet të marrë fund. Mbase kultura po shitet, duhet secili të marrë pjesën e tij. Punëtori i shkretë (gazetari, gazetarja) e shtet trupin dhe shpirtin, e shet dinjitetin, virtytin më të lartë njerëzor, i cili mbrohet me të gjitha kushtetutat.
Me këtë rast individi e mohon vetveten- e luan lojën e imponuar sipas konceptit të resiliencës- ne jemi gjithmonë të gatshëm brenda këtyre suazave, t´i bëjmë ballë shtresit, cenzurës, shtypjes, nënshtrimit dhe rrethanave tjera që na imponohen si individ (kujto fenomenin e Odiseut).
I njëjti nënshtrim aplikohet në Big Brother e që na kujton veprën „Dialektika e iluminizmit“ të Adorno dhe Horkheimer.
Me programet e tilla ´Reality Show´, po shprehet një pesimizëm i thellë kulturor që duhet parë në sfondin e historisë bashkëkohore – shkatërrimin e tradicionales dhe ngritjen e individualizmit në fron, një lloj kaotizmi i cili sikur synon të çliron botën tonë të përditshme për një jetë më të mirë dhe më glamuroze e të na çlirojë nga magjia e bestytnive dhe mitologjisë post moderne. Rezultati, megjithatë, është se vetë individualizmi në këtë kohë të pakohë është kthyer në mitologji.
Athua mos vallë me këtë synohet një plan zhvillimi progresiv i racionalitetit, krijimin e një njeriu – i një shqiptari tjetër të tjetërsua nga natyra: për njeriun? Intervenimi autoritar tashmë është vetëm një objekt dominimi dhe manipulimi. Apo ndoshta projektuesit e kanë menduar, përmes këtyre artefakteve kulturore ta çojnë individin drejt lirisë, të krijimit profesionist, ose me këtë po krijohen forma të reja’ dhe një botë plotësisht të administruar (të kontrolluar, në interes të konsumerizmit).
Blu Box sikur po na dikton se si duhet të jetë morali ynë shoqëror i postmodernes – i shfrenimit, propagandimit të nënshtrimit nga kapitali i, nuk e di i kujt, e i cili ka zënë vendin e kulturës shqiptare, por nuk mund t'u japë njerëzve asnjë siguri shoqërore, orientim koherent dhe stabilizues e moralist. Kultura masive e këtij produktiviteti është produkt i prodhimit sfilitës dhe shërben si instrument i kontrollit shoqëror, për ta tjetërsuar shqiptarin e ditëve tona.
Fenomenet e tilla negative në shoqëri janë një karakteristikë thelbësore e barbarizmit modern’, në të cilin shqiptari i ditëve tona po fundoset pavarësisht – ose ndoshta pikërisht për shkak të – këtij llumi kulturor mediatik.
Dialektika e këtij masturbimi me vlerat tona kulturore është një fenomen negativ që po na mbush ditët tona me turpësi, e pa ofruar zgjidhje apo rrugëdalje nga mjerimi i kohës. Po bëhet shumë zhurmë dhe paturpësi.
Me këtë po prodhohet kulturë pashije, e lidhur ngushtë me zhvillimin e stereotipeve, mes tyre po kufizohet shprehja dhe krijimtaria kritike. E kështu arti dhe kultura po bëhen mjete për gjithnjë e më shumë mallra që duhen prodhuar dhe konsumuar si prodhim industrial, i cili mënjanon kritikën nga audienca. Arti po prodhohet për të përmbushur nevojat e tregut- për masat, pa dhembje dhe pardon, po bëhet fitim dhe hahet bukë me turp.
Big Brother (Vëllai i Madh) po na vë në gjumë- për t´ na tërhequr vëmendjen nga probleme tjera shoqërore. E kjo i bie se kur jemi të varfër duke kënduar e duke u nemitur me melodinë dhe me këngën e mjerimit, na shkon për shtati stripterizmi dhe ekzorcizmi mediatik, për të mos e parë më veten në pasqyrë.
Nga ky konkludim po themi pa mëdyshje se televizionet me prirje tablloide, kudo në shtetet e BE-së, zakonisht, nuk anojnë në aspektin politik, për luftuar njërin grup interesi e për ta mbështetur tjetrin, duke e luftuar me diskurs, shpifje dhe thashetheme në mënyrë permanente "kundërshtarin" politik, qeverinë.
Përfund duhet rekomanduar: Media nuk duhet të bëjë ndarjen e publikut as të biznesit, por ta ndaj reklamën prej redaksisë gazetareske, ta ndajë menaxhmentin nga krijuesit, të kihet kujdes mos të preket virtyti i njeriut e as i shqiptarit, e kjo nuk duhet të bëhet as në kampanja politike por as në përditshmërinë tonë politik, të mos marrë anë. Kjo është edhe moto e tregut të lirë që vlen edhe për sektorin e medieve dhe do të duhej të vlente edhe për kutinë (Blue).