I shkëputur nga vendlindja për më shumë se 45 vjet, duke jetuar në mërgim, fillova një ditë të bëja një bilanc të jetës sime. Hoqa 5 vitet e fëmijërisë dhe pashë se pas formimit të identitetit tim, 17 vite i kisha kaluar në vendlindje, ndërsa 45 në mërgim.
Po bëja monolog me veten: “O zot, kaq vite jetoj në Zvicër dhe akoma asnjë ëndërr nuk kam parë për këtë vend? Një absurd dhe një paradoks i çuditshëm.
Ishte fundi i marsit 1980. Te i ashtuqujturi Sokaku i Gjinëve, familja kishte dalë për të më përcjellë. Gjyshi, bashkë me vëllain e tij, më përcollën deri në fund të katundit. Në momentin e ndarjes, gjyshi fshiu lotët, nxori unazën nga gishti dhe ma dha:
"Merre këtë unazë me vete, por gjallë a vdekur, duhet ta kthesh në vendlindje!"
Unazën e kishte nga babai i tij. Babai i gjyshit ishte vrarë nga forcatë ushtarake serbe në Luftërat Ballkanike në Kumanovë. Unazën ia kishte sjell një kushëriri tij.
Unazën e gjyshit që mbaja, ishte një peshë e papërshkruar për mua, Kjo unazë rëndonte mbi shpatulla dhe supe peshën e vendëlindjes dhe atdheut.
Rilindasit shqiptarë, të larguar nga atdheu dhe vendlindja, kishin bartë me vete atdheun. Ata edhe pse jetoni në mërgim shkruanin për atdheun, sikur të mos ishin ndarë kurrë prej tij.
Në qytetin ku banoja, në një hotel tek sheshi, sipas fjalëve të mërgimtarëve, në po këtë hotel kishte bujtur Çajupi së bashku me Evgjeninë.
Shpesh bëja monolog me veten: “Pse vallë ne shqiptarët jemi të lidhur shpirtërisht me vendlidjen dhe trojet shqiptare ?“
Për dekada kisha shkruar qindra artikuj, kolumna dhe zhanre të ndryshme, si dhe tri vepra, të gjitha të lidhura për vendlindje dhe trojet shqiptare!
dy vitesh, pas daljes në pension kisha shkruar një artikull: " Zvicra, atdheu im i dytë”. Disa miq zviceranë dhe pronari firmës më pyetën nëse kam shkruar tema në gjuhën gjermane, tema për shtetin ku jetojë. I skuqur në fytyrë dhe me shumë siklet, miqëve zviceranë u thashë se shumë pak kam shkruar. Ndihem i penduar, i frusturuar dhe borxhli që nuk kam shkruar për shtetin e begatë dhe popullin human, altruist dhe me tradita demokratike.
Ëndrra nostaligjike
Duke lexuar, fillova të kotem, ndërkohë që më kishte marrë gjumi.
Dhe në ëndërr pashë gjyshin, të sapokthyer nga mulliri, me një strajcë me misër mbi shpinë. I zymtë, më qortoi me një zë të rëndë: “Shkele nderin, shkele besën dhe kanunin. Unazën ta sjellësh, gjallë ose vdekur”. Unë, duke i rrëfyer se nuk kam pasardhës nga familja, për një moment më doli gjumi. Kulloja në djersë. Nuk më zinte më dot gjumi!
Brezi im që erdhën gjatë viteve të 70-ta e 80-ta të shekullit të kaluar në shtetet perëndimore, shumica kanë vdekur. Pjesa tjetër, miq, shokë dhe të afërm, janë duke i përcjellë me arkivole, pa pasardhësit, pa fëmijët, pa nipa e mbesa. Një pjesë e bashkëatdhetarëve, miq dhe shokë, të sëmurë, të frustruar janë duke pitur në heshtje vdekjen.
Dy javët e fundit, ikën nga këjo botë, dy miq dhe shokë e gjeneratës sime. Si gjithë mërgimtarët e brezit tim, kthehen me arkivole, i kthehen tokës që i lindi, që të prehen në varret e gjyshërve dhe prindërve të tyre.
Pas ritualit mortor të një mikut tim, në xhaminë e komunitetit shqiptar, më kaploi ankthi dhe pezmi. Nuk i frikohesha vdekjes, por më mundonte ëndrra që kisha parë. Unazën e Gjyshit që e kisha mbajtur 45 vjet në fund duhet ta kthej. Është unaza e fisit tim, Ukaj.
Po në vendlindje nuk kisha pasardhës. Fëmijët, nipat, mbesat, e gjithë fisi i Ukajve, ishin shpërndar në shtetet perëndimore dhe përtej oqeanit, në Amerikë e Australi.
I ulur në tryezë, duke shkruar këtë artikull, në moment u çlirova nga makthi dhe melankonia. O Zot, thashë, unazën e gjyshit që kisha bartë ishte unazë e vendlindjes .”Nuk do ta heq deri në vdekje. Do ta bartë me vete deri në varr. Le të tretet së bashku me eshtrat e mia. Në fund e gjithë fisi, stërgjyshi, gjyshi, prindërit dhe unë së bashku do të tretemi në këto varre, kurse fisi i Ukajve do të fshihet nga faqa e dheut përgjithmonë”, belbëzova me vete.
Pasardhësit e Ukajve të shpërndar nëpër kontinete, do të mbijnë si farë e re, me rrënjë në pemën familjare. Pasardhësit do të ndryshojnë ADN-në, do të asimilohen, në raca dhe kombe të ndryshme!