Kufomat Pa Adresë

Kultura

Kufomat Pa Adresë

Nga: Asllan Dibrani Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 00:03
Asllan Dibrani

Të tretur në varret kolektive të pa gjurmë,
Nën asfaltet dhe germadhat e Serbisë,
Kufomat e fshehura, pas hijeve, janë të thella,
Si shpirtra të humbur, nën dheun e ftohtë,
Diku, nën shkëmbinj, nën gurë, ato rrinë të ngrira.

Çdo kalim që bëj, shoh fytyra të shndërruara,
Të maskuara në dhimbje, trupat e ndarë,
Të groposura në dhe, në perrojtë e harresës,
Atje ku njeriu nuk e mbërrin, imagjinata s’frymon.

Atje janë eshtrat e tyre, të grumbulluara me dhimbje,
Gjymtyrë të shkatërruara, shpërndarë mes dhunës,
Pa emër, pa varr, pa një gjurmë kujtese,
Në çdo hap, sfidoj të kaluarën dhe të tashmen e trishtë.

Nënat, me sytë e ngujuar nga plaga e humbjes,
Kërkojnë fëmijët e tyre, të zhdukur nën gurë dhe dhe,
Aty, në ato germadha, që janë varrezë dhe kujtim,
Ku pa adresa, shuhen zemra dhe fryma e një kombi.

Nuk ka fjalë, as dritë, as shpresa që lind,
Vetëm dhimbje e thellë që shtrihet në çdo hap,
Për të kujtuar ata që s’kanë më emra,
Për të kujtuar, se nën tokën e Serbisë, është e gjithë vuajtja e harruar.

Aty janë, dhe do të jenë, gjithmonë,
Dhe ndoshta një ditë, ato shpirtra do të flasin,
Për ata që e shkruan këtë histori të errët,
Për ata që s’kanë varr, por që do të jetojnë gjithmonë në kujtesë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat