Morfologjia shpirtërore në librin “Gjurmë në jetë” të shkrimtarit Neki Lulaj

Kultura

Morfologjia shpirtërore në librin “Gjurmë në jetë” të shkrimtarit Neki Lulaj

Nga: Tahir Bezhani Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 08:44
Tahir Bezhani

Thënie e autorit për nxënësit:” Nxënësit janë si anijet që ankorohen buzë limanit në oborrin e shkollës. Mua sot më rrinë në kornizën e shpirtit plot djersë. Pas vrapit dhe lojërave era ua thante djersën fytyrëndriturve të kombit”.

Neki Lulaj është emër i përveçëm, në gjithë hapësirën shqiptare, i cili me krijimtarinë e vet të begatshme letrare, ka zënë vend në mesin e krijuesve më afirmativ në poezinë, por edhe në prozën tonë.

Një numër solid i veprave të botuara me poezi, ku temat e trajtuar në aspektin universal, me stilin, formën dhe forcën e fjalës, bëjnë që poeti nga diaspora, Neki Lulaj, të jetë i kërkuar e i dashur për lexuesit e artit letrar në përgjithësi.

Krijimtarinë letrare z. Lulaj e kishte filluar që herët, nga bankat e shkollës fillore të vendlindjes së tij ,në Prapaqan të Deçanit, për ta vazhduar gjithë jetën me një pasion të zjarrtë deri më sot, kur frymëzimet e tij gjithnjë rrinë të ndezura, si një grykë krateri i hapur e që gjithnjë vjell zjarr...

Vjeshtën e viti të kaluar u takuam së bashku në Mitingun jubilar të poezisë në Gjakovë, i 60- ti me radhë, me ç ‘rast me dhuroi dy libra me autograf dedikues, duke e bërë më të pasur bibliotekën time, por, edhe duke e njohur më shumë në thellësi mikun tim, Neki Lulaj.

Njëri, libër me poezi, ”Sofra e fjalës” dhe tjetri në prozë, ”Gjurmë jete”,që të dy ishin një dhuratë që më bën të ndihem i gëzuar. Me të vazhduar me leximin e këtyre dy librave, u gjenda në horizonte jete të papritura, të cilat më bënë kureshtar deri në maksimum, për t’u zhytur në kalavaret e një jete të përvuajtshme, me sakrifica, por me plot krenari jete.

Nga këto libra mora përvojën se sa e rëndësishme është jeta kur luftohet gjithmonë për të mirën deri në fitore. Vetëm sakrificat njeriut ia shtojnë bukurinë, vlerën ditëve të jetuara me përkushtim.

Pas luftës së fundit në Kosovë, krijimtaria letrare, sikurse ka marrë atë kahen e “ndarjes”, si letërsi e diasporës, një letërsi e shkruar më veçantë nga krijuesit tanë atje. Duke qenë të ndjekur në mënyre barbare nga politika shoviniste serbe, me të madhe u shtua ikja e kosovarëve nga vendet e tyre, që nga vitet 90’ e më herët, e në mesin e tyre edhe shume krijues të zotë, të cilët mbi vete e brenda në zemrat e tyre, morën gjithë mallin, lotët, vuajtjen dhe zjarrin e vendlindjes, atdheut të tyre të dashur.

I tillë është edhe krijuesi, poeti Neki Lulaj, edukatori i brezave të ardhshëm, i cili me përkushtim e devotshmëri punoi si profesor në disa shkolla shqipe të Kosovës. Duke qenë i shtrënguar të iki nga vendlindja, si shumë të tjerë, mori rrugën e gyrbetit, u vendos në Speyer të Gjermanisë, ku gjendet edhe sot.Pikërisht, në këtë qytet të Gjermanisë vazhdoi aktivitetin e tij letrare, duke u bërë personalitet kyç në jetën kulturore e letrare të diasporës sonë, jo vetëm si krijues veprash, por edhe si aktivist i denjë në shumë shtett të Evropës ,me një prestigj të lakmueshëm.

Ndalem në veprën prozaike,” Gjurmë në jetë”, e cila nuk është e definuar në kuptimin e zhanreve, por mbetët vepër prozaike moderne e kohës.Kjo vepër, për kuptimin tim, është një manual enciklopedie përmes të cilës, lexuesi në vazhdimësi ndeshet me ato gjëra të paditura deri me tani e posaçërisht një ndihmesë e mirë për brezat e rinj.Shëtitjet e panumërta të autorit në gjitha trojet shqiptare, kanë rezultuar të jenë një pasqyrë e gjithë historisë, duke përfshi zona të ndryshme vendesh shqiptare ,emrat e personaliteteve historike, vendet historike të kulturës sonë me shekuj deri në ditët e sotme, si kisha e vende tjera të kultit e kulturës sonë në përgjithësi.

Shëtitjet e këtij krijuesi të mirënjohur dhe dokumentacioni që ka vjelur nga vendet e vizituara prezantojnë një punë mjaft kolosale e cila ka zgjatur, ndoshta me vite deri te të dhënat e tilla, të cilat sot na shërbejnë, jo vetëm për kënaqësinë tonë, por edhe pasurojnë dijen dhe ndërdijen kombëtare e njerëzore.

Për këto fakte, bazuar në librin “Gjurmë në jetë”, Neki Lulaj, krijues nga diaspora i ngjan një Evlija Çelebiu të kohës sonë, i cili padyshim, me punën e tij të palodhur, lexuesit tonë po ia lë një pasuri krijuese të pakontestueshme, një aset kulturor.

Neki Lulaj, duke qenë i një niveli me kulturë e arsim të lartë, nuk hezitoi kurrë që me punën e tij të skalitë në vepër edhe përvojën së bashku me dijen për të lënë gjurmë në jetë.Pas thithjes së nektarit historik në gjitha trojet shqiptare, duke bashkëdyzuar dhimbjen me krenarinë historike, z. Lulaj i drejtohet kontinentit të largët, Tokës së Premtuar, Amerikës, me qëllim që të zgjerojë horizontin e dijes dhe ato t’i reflektojë në artin e tij krijues.

Ne SHBA, viziton shumë vende ku kanë vepruar dhe kontribuar shumë koka të mençura të kombit tonë, si Noli, Konica e shumë e shumë të tjerë. Ai nxjerr shënime e fakte historike, ndoshta te paditura për një pjesë të lexuesve tanë. Me fakte sqaron për mërgatën tonë si burim patriotizmi, veprime të gjendura arkivave të ruajtura mirë, si psh. Vatra, Dielli ,ku veprimtarët e çështjes kombëtare, Noli, Konica etj. mbesin të pavdekshëm me kontributet e tyre për çështjen kombëtare.

Autori i librit “Gjurmë në jetë.” gjen e shënon të parin emigrant shqiptar, i quajtur Kolë Kristofori nga Korça në vitin 1884. Pasojnë emra e kohë të tjera në librin në fjalë që pasurojnë kontinuitetin histok të mërgatës sonë atje.Pas Amerikës, Neki Lulaj i qaset Evropës, atyre vendeve ku kanë lenë gjurmë kokat gjeniale të kombit tonë, rilindasit e paharruar.

Ndalesa më e zgjatur ishte në Bukuresht të Rumanisë, aty ku rilindasit bënë historinë. Gjurmon e shënon të gjithë emrat e tyre, punën dhe veprimtaritë e tyre, me konsideratë të lartë.

Libri “Gjurmë në jetë” me 240 faqe, padyshim se përmban një volum të madh ngjarjesh, veprash dhe gjetje të tjera interesante, por kam bindjen e thelle se lexuesi i mirëfilltë do interesohet për të lexuar (pasur) këtë libër me shumë interes për kulturën dhe historiografinë tonë.

Në kuptimin përmbajtësor të librit në fjalë, theksoj se autori e ka ndarë në katër shtylla: “Rrëfimi për rrëfimin”, “Në rrugën e miqve të mi artistë dhe heronj”,” Miqtë për Neki Lulaj” dhe “Tryeza poetike,” dhe aktivitete e tij në shoqatat letrare në diasporë. Si kompliment mirënjohje, padyshim me ëndje lexohet, reçenca e Sejdi Berishës për mikun e tij, z. Neki Lulaj.

Ndërsa, për librin voluminoz poetik, “ Sofra e fjalës”, shkarazi mund te them se është libër lirikash në të cilat rrëshqasin fjalët e zemrës së Neki Lulaj në teren imagjinate, të mbushur mall e dhimbje për vendlindjen, për popullin e tij, rrëfim për gjakderdhjen në luftën e fundit dhe heronjtë e skalitur në historinë më të re, të cilët, disa prej tyre, ishin miq e bashkëvendës të autori, si Sali Çeku etj.

Pastaj lexojmë poezi përkushtuese për familjarët, ku vend madhorë zënë prindërit, vendlindja dhe kullat si sinonim i qëndresës ,fjalës së urtë e të pathyeshme në kuptimin e qëndresës.

Ky libër, pra “Gjurmë në jetë” dhe ai me poezi “Sofra e fjalës”, do mbetën gjatë në kujtesën time, të cilët ua sugjeroj lexuesve të nderuar. Bilës këtë libër, (prozën), do e quaj si një atllas i gjeografisë shpirtërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat