Në 80-vjetorin e ditëlindjes të gazetës “Rilindja”

Kultura

Në 80-vjetorin e ditëlindjes të gazetës “Rilindja”

Nga: Gani Bajrami Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 11:22
Foto ilustrim

 

"Rilindja" as si gazetë e as si kolektiv nuk iu nënshtrua për asnjë çast regjimit barbarë të okupatorit serb, të udhëhequr në vitet 90 të shekullit të kaluar nga kryekasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviqi, por u mposht dhe u shkatërrua pas luftës nga politiko-mafia e profiterëve të luftës, të cilët e kapën pushtetin cep me cep dhe për interesa personale të tyre në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar e mbyllën edhe “Rilindjen”.

Siç dihet regjimi gjenocidial i hegjemonisë nacional-shoviniste serbe, në krye me Millosheviqin, gazetën “Rilindja” me dekret e pat mbyllur më 5 korrik 1990, atëherë kur e suprimoi Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha organet e pushtetit që kishte Kosova, mirëpo gazetarët e saj, me rezistencën titanike, duke rrezikuar jo vetëm burgimin, por edhe jetën, lexuesit ia ofruan gazetën deri më 8 gusht 1990. Atë ditë mëngjesi gdhiu pa gazetë, pasi forca të mëdha policore serbe, e bllokuan shtypshkronjën e “Rilindjes” dhe nuk lejuan shtypjen e gazetës. Gazetarët e “Rilindjes” nuk u ndalën. Për t’ia afruar lexuesit informatat më të domosdoshme shfrytëzuan revistat e “Rilindjes”: ”Fjala”, “Shkëndija”, “Zëri”, “Kosovarja” dhe “Bujku”, të cilat shtypeshin çdo ditë, sipas radhës dhe në faqet e tyre kishin edhe gazetën “Rilindja”. Për të mos rrezikuar të gjitha revistat, “Bujku” filloi të dalë çdo të tretën ditë, derisa u shndërrua në gazetë ditore, që zëvendësonte “Rilindjen” e ndaluar dhe me të drejtë u konsiderua edhe si gazetë e rezistencës.

Mirëpo, çka ndodhi pas luftës, atëherë kur gazeta “Rilindja”, si abetare e Kosovës dhe popullit të saj, do të duhej të lulëzonte, politiko-mafia e profiterëve të luftës rezistencën titanike të punëtorëve të “Rilindjes”, sidomos gjatë dekadës së paraluftës e hodhi në aut, duke e mbyllur gazetën "Rilindja". Paravan për këtë veprimtari destruktiv e patën UNMIK-un, por në vijë të parë, siç u pa më vonë, ishin shqiptarët kmishazi që synim e kishin plaçkitjen, harraqin, korrupsionin dhe pasurimin pa punë. Ata iu frikësuan "Rilindjes", të bindur se me atë forcë gazetarësh që kishte ajo, nuk do të mund t'i bënin gjithë këto mynxyra.

Pas mbylljes së “Rilindjes”, politiko-mafia e profiterëve të luftës, nxori në skenë mediat e veta dezinformative, të cilat bënë rrëmujë jetën shoqërore dhe degraduan çdo gjë që me mund ishte ndërtuar nga populli i Kosovës që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore! Ky veprim destruktiv u bë duke e parë se rezistenca intelektuale e shqiptarëve të Kosovës kundër injorancës ishte shumë e dobët, ndryshe nuk do të ndodhte që punëtorët e “Rilindjes” në ngritjen e zërit të arsyeshëm, edhe me shumë numra të jashtëzakonshëm të gazetës, të lihen të vetmuar. Rasti i gazetës “Rilindja” tregon çfarë pushteti pati Kosova gjatë dy dekadave të pasluftës.

Gazeta “Rilindja”, e cila eci atë rrugë që kaloi edhe Kosova e populli i saj, sot do të duhej ta shënonte 80-vjetorin, por ajo numëron 23 vjet të mbylljes së dhunshme nga autoriteti ndërkombëtar UNMIK, i ndihmuar, mbase edhe i prirë, nga autoriteti vendor i dominuar nga politiko-mafia e profiterëve të luftës. Mbyllja e gazetës “Rilindja” dhe uzurpimi i gjithë pasurisë së saj, është rasti më brutal i shkeljes së lirisë të medias në botën e lirë dhe demokratike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat