Papa Kristo Negovani, frymëzuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Kultura

Papa Kristo Negovani, frymëzuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Më: 12 shkurt 2025 Në ora: 18:07
Papa Kristo Negovani

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta, figurën e shquar patriotike Papa Kristo Negovani.

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan të Kolonjës (në anën lindore të Gramozit, sot Greqi). Arsimin fillor e mori në vendlindje dhe shkollën e mesme e vazhdoi në Athinë

Më 1897 iu kushtua tërësisht lëvrimit të gjuhës shqipe, lirisë e pavarësisë së vendit. Me librat shqip, të sjellë në Negovan, hapi fshehtas shkollën e parë shqipe për bashkëfshatarët e tij dhe me interesimin e tij u dërguan vajzat e para nga Negovani në shkollën shqipe të vashave në Korçë.

Papa Kristo Negovani, më 10 shkurt 1905, organizoi një shërbesë kishtare në gjuhën shqipe. Dy ditë më vonë, më 12 shkurt 1905, Papa Kristo Negovani së bashku me të vëllain e tij, Papa Theodhosin, dhe tre bashkëfshatarë të tjerë u masakruan nga andartët grekë.

Ai qe një ndër frymëzuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin. Ndër veprat letrare të Papa Kristo Negovanit vlen të përmenden: “Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”, në Sofje më 1903 etj, si dhe shkroi e përktheu në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat