Ekranet më kaplojnë me krahët tinëzare
drejt thellësive të horizontit të trazuar
në rrugëtimin tim në kopshtet holograme
në grabitje dhe kafshim
të frutës së ndaluar
Nën joshjen e lojërave shkëlqyese të LED-it
në hartën e dëshirave, në thesaret e magjepsura
lëkurat shkëlqejnë, sytë e mi përndjekin
rrengjet e ekstazës
buzët e fshehura
Ah, imazhi i saj, ujëvarë freskie e hatashme
rrëshqet kodrës sime të thepisur, vullkanike
përcjellë me ato klithma të pashmangshme
të epsheve të pangopura
të spërkatjeve magmatike
Flas me pëshpëritje në ëndërr, në deliri
mbi jastëkun e akullt të moralit, zakonit
rrokjet derdhen porsi mjaltë erë-bliri
nga emri i saj
odë e poezive të Erosit
Mbetur mes yjeve, si kometë që sillet vërdallë
me bisht të çmendur, zhveshur dhe eksituar
tundoj mbi planetin e kuq, në vorbullën e përdalë
në dashurinë hileqare
në aktin e korruptuar
Por si mund ta grabit një poet yllin?
me fjalë, me ndjenja, me mençuri të egër?
apo të betohet me Dionisin dhe djallin
të kapërcej qiellin
të thyej ekranin