Në fermën e vogël, diku në Luginë,
Një kali i mjerë i shtrirë në lëndinë.
S’mund të ngrihej ish lodhur shumë,
Fermeri e pa, që nuk është për punë.
Dha urdhër me buzë e me dhëmbë,
Nëse tri ditë nuk e shoh në këmbë:
- Kalin e groposni atje larg te ferma,
Mori vesh dashi sa s’e lëshoi zemra.
Shkon te kali vrik, i thotë me të mirë:
- Ngrihu o mik, mos rri ashtu shtrirë!
Por, kali psherëtiu, sytë mbushur lot,
Ishte lodhur shumë, nuk ngrihej dot.
Në ditën e dytë, përsëri dashi te kali,
- Çohu shpejt!- i tha, se për ty vajhalli!
Por, kali heshte nuk mundej ashiqare,
Rënduar nga dhimbjet, s’lëvizte fare.
Erdhi dita e tretë, dashi shkon fluturim,
- Ngrihu, ndryshe të vrasin, o miku im!
Kali u ngrit, e mblodhi trupin përpjetë,
Me mund të madh, këmbët i bënë drejt.
Kur e pa fermeri, shpërthen si vullkan,
- Ta therim dashin, do ta bëjmë kurban!
Kështu shpëtimtari, me zemrën e artë,
U bë flijim i festës, në sofrën e begatë.
Në botën e ashpër, shpesh ndodh ironia,
Nganjëherë pas ndihmës, vjen tragjedia!