Autori i më shumë se 40 veprave letrare publicistike, Sejdi Berisha, është njëri ndër krijuesit më produktiv të krijimtarisë letrare e sidomos në lëmin e gazetarisë. Kështu është shprehur prof Shyqri Galica gjatë aktivitetit letrar të organizuar nga Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës në Pejë.
“Prirja e tij në fushën e gazetarisë ishte e një dimensioni vërtet të veçantë, sepse, ai në paraqitjet e tij publike si kronistë i një kohe të rëndë sintetizoi botën e tij kërkuese për të ndriçuar anët nga më të ndryshmet të jetës, për të paraqitur situata e dukuri që ishin me shumë rëndësi për kombin e shoqërinë. Ato elemente të jetës në valët e Radio Prishtinës e Radio Pejës që ishte themelues i saj, e bënë emër që po ndriçonte jetën e vështirë nën thundër të armikut dhe përpjekjet popullore celulat e të cilit pothuajse në vazhdimësi po krijoheshin e po vepronin deri në luftën e UÇK-së”, tha Galica,.
Kurse dr. Adem Zejnullahu, tha se në krijimtarinë e Berishës frymëzimi i dashurisë zë një vend të veçantë si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga realizimi artistik dhe estetik.
“Poezia e tij ngërthen në vete veçanti në aspektin e procedimit krijues ashtu edhe të sendërtimit artistik dhe stilistik që e dallon nga të tjerët”, tha ai.
Ndërsa poeti Xheladin Mjeku, tha se “ndjeshmëria e ngjarjeve dhe elementet biografike të autorit na mbajnë peng deri në fjalën e fundit në reportazhin “Buka e furrës” , “Dervish Shaqa” dhe “Takimi me shkencëtarin”, shkrim sa provokues po aq interesant ku brenda narracionit të ngjarjes takojmë vet autorin me peripecitë e jetës, vuajtjet e deri në shpresat që nuk do t’i shuhen kurrë”.
Sejdi Berisha është njëri ndër poetët dhe shkrimtarët dhe dramaturgët që i takon brezit të tretë të krijuesve të pasluftës së dytë botërore, u tha ndër të tjera në këtë aktivitet kulturor kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij letrare.