Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga UNESCO në vitin 1999 dhe festohet globalisht që nga viti 2000. Sipas UNESCO-s nga rreth 6 mijë gjuhë që fliten në botë, rreth 2 mijë e 500 rrezikojnë të zhduken.
Qytetarët me rastin e kësaj dite flasin se sa po ruhet dhe kultivohet në ditët e sotme gjuha shqipe.
Sejdi Halimi thotë se gjuha shqipe po huazon shumë fjalë të huaja sidomos nga gjuha angleze, dhe se nuk është e nevojshme pasi ajo përmban një thesar të pasur. Ai thotë se duhet të kontribuojmë në ruajtjen e gjuhës shqipe, e jo të huazohen fjalë të huaja.
Halimi: Po huazohen shumë fjalë të huaja në gjuhën shqipe
“Po huazohen shumë fjalë të huaja, sidomos të gjuhës angleze përdoren shumë. Gjuha shqipe është mjaft e pasur, ka shumë pasuri. Ne gjithmonë kem nevojë për këshilla, nuk kemi nevojë pasi ne kemi më shumë shkronja (të alfabetit) se të tjerët. Thesari ynë është shumë i pasur, ne kemi nevojë ta pasurojmë gjuhën tonë sa më shumë dhe të mos huazojmë fjalë që nuk i kupton populli. Më mirë është të flitet në gjuhën tonë dhe ajo të pasurohet”, tha ai.
Fehmi Sogojeva thotë se gjuha shqipe po rrezikohet pasi po përdoren shumë fjalë nga gjuhët e tjera. Sipas Sogojevës kjo nuk është e nevojshme kur i kemi fjalët tona, dhe duhet të pasur kujdes që të mos dëmtohet gjuha shqipe.
Sogojeva: Duhet pasur kujdes që të mos e dëmtojmë gjuhën shqipe
“Gjuha shqipe është duke u rrezikuar, sepse po hyjnë fjalë të reja nga gjuhë të huaja edhe pse kemi fjalët tona të mira dhe të kuptueshme. Duhet pasur kujdes që të mos bastardohet gjuha. Gjuha shqipe duhet të flitet sa më pastër, pasi kemi fjalor të pasur. Nuk ka nevojë të përdoren fjalë të huaja. Ashtu vetëm mund të ruajmë gjuhën. Kur dëgjoj rinia se çfarë shprehje po bëjnë, është katastrofë”, tha Sogojeva.
Dem Ibërdemaj thotë se globalizmi po ndikon në të gjithë botën, në të gjitha fushat, por përdorimi i shumtë i fjalëve të huaja është i panevojshëm, ai thotë se është e kuptueshme kur përdorën fjalët që kanë të bëjnë me shpikje të ndryshme teknologjike, ato mund të tolerohen.
Ibërdemaj: Globalizmi ndikon në krejt botën
“Ne kemi kaluar një periudhë të vështirë, sidomos në Kosovë, por nuk janë më mirë as në Shqipëri ose shqiptarët në përgjithësi. Kemi pasur një fatkeqësi që gjuha shqipe nuk kemi mbrojtur gjuhën, globalizmi ndikon në krejt botën në të gjithë lëmenjtë. Ne si popull i shpërndan, historia dihet si jemi shpërndarë, ndikimet e ndryshme sllave dhe greke, po flas komplet për gjuhë për shqiptarët, edhe italiane. Tash sigurisht edhe gjuha angleze, që dominon në krejt botën. Përdorimi i fjalëve të huaja është shumë i panevojshëm, unë i kuptoj fjalët që kanë të bëjnë me shpikje të ndryshme teknike teknologjike, ato mund të tolerohen është normale,” tha ai.
Gani Musliu thotë se gjuha shqipe po rrezikohet dhe se ka nevojë të pasurohet, por jo të vendosen fjalë pa vend.
Musliu: Gjuha shqipe po rrezikohet
“Sigurisht që rrezikohet, mirë është të pasurohet gjuha, gjuha duhet pasuruar me parimin kombëtar, jo të merren fjalët e gjuhëve tjera. Ne kemi fjalë të mjaftueshëm që përdoren në televizor, kemi fjalë shqipe, s’ka nevojë të përdoren fjalë në gjuhë të huaja, për është mirë të mësohen gjuhët e huaja, përfshirë gjuhën angleze, por të mos ngatërrohet gjuha shqipe me fjalë të huaja. Unë nuk jam gjuhëtar, por duhet dashur gjuhën”, tha Musliu.
Një ndër sfidat më të mëdha me të cila përballen gjuhët në botën moderne është globalizmi, pasi që rrezikon grupet e gjuhëve më të vogla. Në 90 vjetët e fundit janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz.