Në qytetin e Korçës u organizua një mbrëmje me rastin e përvjetorit jubile të lindjes së ikonës së atletikës shqiptare, zonjës Pavlina Evro.
Prefekti i qarkut të Korçës z.Nertil Jole i dorëzoi asaj Çertifikatën e Mirënjohjes nga institucioni i Prefektit të Qarkut për kontributin e çmuar në zhvillimin e sportit në qytetin e Korçës dhe rezultatet elitare në përfaqësim kombëtar, si dhe për figurën e saj të profilit të lartë sportiv e qytetar.
“Sportistja rekordmene Pavlina Evro ka fituar respektin dhe mirënjohjen e bashkëqytetarëve të Korçës dhe bashkëkombësve të saj për gjithçka ka bërë për emancipimin e mëtejshëm të sportit e shoqërisë dhe emocionet që ka falur në qytetin tonë, por jo vetëm. Vlerësim gjithashtu për përfaqësimin dinjitoz si diplomate dhe shërbimin e pakursyer ndaj bashkatdhetarëve tanë në Greqi, gjatë kohës kur ka mbajtur detyrën e Konsulles së Përgjithshme në Selanik”, shkruan Jole në Facebook.
Ai gjithashtu shpreh respektin e tij për gjithë vetaranët e sportit korçar që ishin të pranishëm në gëzimin e ish-atletes së njohur Pavlina Evro.
Atletja korçare Pavlina Evro është historia e atletikës shqiptare dhe europiane. Me emrin e saj janë të lidhura garat e shumta të atletikës në disiplinat e vrapimeve të mesme e të gjata ashtu siç janë të lidhura me Evron tituj të shumtë e medalje si të asnjë atleteje tjetër.
Në Nice e Oslo, Evro në garën e 1500 metrave vendosi kohën 4 minuta 0.6 sekonda e 87 të qindtat, kohë e cila për shumë vite ka ngelur në 10 kohët më të mira të botës në këtë disiplinë.