O ti, që lëviz si hije në errësirë,
Me veshë të gjatë e sy pa fytyrë.
Të duket vetja mikroskop me fat,
Por, je lakuriq, si krimbi i thatë!
Me laps e bllok, shkruan fjalëkalim,
E pret t’i çosh te "shefat" në shërbim.
Me këtë farë zanati e kalon limitin,
Ti mbush faqet, por bosh e ke shpirtin.
Krenohesh me zanatin tënd të varur,
Por, në publik të gjithë të kanë tallur:
-Ja ku është, ai, me veshët si antenë,
Një skandal i keq, që duket në skenë.
Me humor e ironi të zhbëjmë për farë,
Të mbijetosh si bufi në pyllin me acar.
E dëshmon veten se je agjent i fshehtë,
Por, në fakt je një karikaturë e vërtetë.
E ti, spiun i ndyrë, që zbulon sekrete?
As shiu s’ti lanë pisllëqet e kësaj jete.
Ashtu sikur gjethet kur bien nga degët,
N’botën marroqe s’të ngelin as brekët!
Se fundi i spiunëve, nuk është heroik,
As nuk shkruan historia me stilin epik.
Në gjyqin e ndërgjegjes, nuk ke avokat,
Veç turpit të rëndë, që të ndjek si mëkat!