Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes

Kultura

Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes

Nga: Sevdail Hyseni Më: 24 shkurt 2025 Në ora: 11:15
Drejtoresha e shkollës, znj. Leonora Mehmeti dhe profesor Naser Zairi

Pensionimi i profesor Naser Zairit nga Shkolla Fillore "Muharrem Kadriu" në Tërnovc, Komuna e Bujanocit, nuk është thjesht përfundimi i një cikli profesional, por një moment reflektimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin shqip në Luginën e Preshevës. Me një përvojë rreth tri dekadat në mësimdhënie, profesor Naseri ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek nxënësit, kolegët dhe e gjithë shoqëria që e rrethon.

Në një koktej rasti të organizuar për të shënuar pensionimin e tij, drejtoresha e shkollës, znj. Leonora Mehmeti, e falënderoi profesorin për përkushtimin dhe angazhimin e tij të pashoq. Për dekada, ai ka edukuar breza të tërë nxënësish, duke i frymëzuar me dashurinë për dijen dhe kulturën kombëtare.

Aktivizmi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në klasë; ai ishte nismëtar i garave të recitimeve, anëtar jurie në konkurse profesionale dhe pjesë e komisioneve të rëndësishme arsimore, si ai i Këshillit Kombëtar Shqiptar për hartimin e testeve pranuese për shkollat e mesme.

Image
Një koktej rasti i kolektivit të shkollës dhe nxënësve me profesor Naserin, një nga momentet më të emocionuara dhe më të bukura të krenarisë së tij.

Kontributi i tij ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në jetën profesionale të shumë kolegëve të tij, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi. Para disa vitesh, si drejtor i një prej shkollave më të mëdha në Luginën e Preshevës, profesori Naseri më dha mundësinë të ushtroj profesionin e mësimdhënies në gjuhë shqipe, një aspiratë që për vite me radhë ishte bllokuar për shkak të "përshtatshmërisë moralo-politike", një formulë famëkeqe komuniste, që preku shumë arsimtarë shqiptarë. Për këtë mirësi, i jam përjetësisht mirënjohës.

Shumë nga ish-nxënësit e tij sot janë vetë arsimtarë, duke u kthyer si kolegë të tij, dhe ky është ndoshta vlerësimi më i madh që një mësimdhënës mund të marrë. Në momentet e tij të fundit si pjesë e kolektivit arsimor, i rrembyer nga emocionet, profesor Naser Zairi falënderoi kolegët dhe nxënësit, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe momentet e bukura të kaluara së bashku.

Si simbol i dashurisë për dijen dhe kulturën, ai dhuroi disa libra nga biblioteka e tij personale për bibliotekën e shkollës, duke lënë pas një trashëgimi që do të vazhdojë të ndriçojë mendjet e brezave të rinj.

Pensionimi i tij nuk do të thotë largim nga misioni i tij fisnik, pasi ndihmesa dhe dija e tij do të mbeten pjesë e pandashme e komunitetit arsimor dhe shoqëror. Profesor Naser Zairi, një veteran dhe emblemë e arsimimit në Luginën e Preshevës, largohet nga detyra me nder dhe respekt, por jo nga zemrat e atyre që i edukoi dhe i frymëzoi për tre dekada me radhë./Sevdail Hyseni

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat