Për fjalën e dhënë ka mjaft tregime, proverba, balada e legjenda ku, ndër to, njëra është "Besa", në baladën e Rozafës për murimin, dhe tjetra me ringjalljen tek ”Besa e Kostandinit”, ku fjala është e para në bashkësinë e një kulture etnike shqiptare sa historike, aq edhe e shtrirë në kohë. Pra, e konsideruar si diçka e shenjtë, sepse fjala e dhënë duhet të mbahet e nuk mund të mendohet ndryshe, përveç si një testament moral i shqiptarëve që nga mitologia, si një nga perlat e folklorit tonë dhe si shprehje e gjenialitetit krijues. Jacob Grimm (1785-1863) ka shkruar për legjendën e Doruntinës: "Kjo është një nga këngët më tronditëse të popujve në të gjitha kohërat".
Por le të kthehemi tek titulli “Besa e dhënë dhe gjuha e mëmës“ për të mësuar më shumë se çfarë e shtyu regjisoren e vetme shqiptare në Itali zonja Valbona Xibri që në ditën ndërkombëtare të Gjuhës Mëmë, preferoi të paraqiste për publikun në Brescia, historinë e balladës “Kostandini e Doruntina”, besën që nuk e tret as dheu. Ashtu siç ka preferuar gjithnjë që në skenë të vendosë copëza të historisë së traditave, dokeve e zakoneve shqiptare. Të preferosh, është një fjalë goje, si kundër mund të jetë për shumë krijues një larje duarsh me të kaluarën, për shkak të mungesës së personalitetit për të krijuar e demostruar identitetin tënd pa rendur pas famës, gjë e cila të afron pak komoditet, por edhe të zvenit përballë bashkëkombësave të tu. Fakti që je shqiptar, do mbetesh i tillë, sa do gjuhë të huaja të dish e sa do diploma të kesh.
Për regjisoren Valbona Xibri, teatri është një mjet informues i gjallë dhe i lidhur me të tashmen si mjet i përpunimit historik dhe identitar që të angazhon në gjetjen e rrugëve dhe formave të ndryshme krijuese. Bashkëpunimi saj me artistë e aktorë të të gjitha ngjyrave e kombësive nuk e ka penguar atë të vërë në skenë artin bashkëkohor dhe atë tradicional, të huaj dhe vendas. Me shumë sukses edhe atë të origjinës .
Në Breshja, Romë ,Milano, Padova, USA ,Hollandë, Gjermani, Danimarkë, Poloni, Azerbaxhan, Mongoli, Spanjë, Shqipëri e Kosovë si pjesëmarrëse në shumë festivale dhe simpoziume për teatrin, individualiteti dhe personaliteti e saj si krijuese dhe si artiste në skenë ka pasur vetëm rritje .
Sigurisht që idetë fillojnë me nxjerrjen e dorëshkrimeve që të duhen për përshtatjen e asaj që ke në mendje, si duhet ta paraqesësh në skenë një gojëdhënë, elegji, balladë, roman, legjendë, tragjedi, koncert apo një poemë nga e kaluara. Çfarë ambienti të duhet të përgatitësh, që të përçosh dialogun me publikun nëpërmjet leximit, interpretimit dhe lëvizjeve të shoqëruara me muzikë si edhe efektet me ilustrime të tjera, për ta shikuar dhe tërhequr vemendjen e tij, janë baza e suksesit në tërësi.
Të gjithë përbërësit mbi ngjarjen iu ofruan publikut nga regjisorja Valbona Xibri ndërmjet motivimit të personazheve dhe personaliteteve të tyre me anë të një mikroskene rrotulluese tredimensionale, me figurina e dritë hije në lëvizje të shoqëruara me muzikë, si në një lojë magjike. Ndikimet e forta emocionale dhe habia tek të pranishmit për përcjelljen e kësaj historie të vjetër që flet për fjalën e dhënë, besën, si një betim solemn, lanë mbresa të forta teksa largoheshin nga salla të emocionuar për solemnitetin që e kishte pushtuar atë ambient.
Për historinë e Doruntinës kisha dëgjuar nga mëma ime kur isha fëmijë, sepse na e recitonte atë përmendësh falë kujtesës së saj brilante. Më vonë, kur u bëmë për shkollë, arritëm ta lexonim edhe në librin e historisë së letërsisë shqipe që fliste për legjendat dhe baladat. Shumë prej nesh kanë degjuar, ose më të vjetër në moshë e kanë përjetuar besën e dhënë edhe në momente të vështira, për ta shoqëruar mikun e shtëpisë tej kufijve të fshatit, në mënyrë që askush nuk mund ta prekte për shkak të besës së dhënë.
Kalimi i rrëfimit të historisë së Kostandinit dhe Doruntinës nga gjuha shqipe në italisht u realizua përmes së folurës të shoqëruara me gjeste e veprime hijesh, para së gjithash, për ata që nuk dinë se në zemrën dhe tokat shqiptare, kur fjala që jepet, mbahet deri duke sakrifikuar edhe jetën.
Pikërisht këto momente vlerash të trashëguara në besë e fjalë, lanë mbresa në publikun me fëmijë të shkollave, prindër dhe mjaft intelektualë e krijues të ndryshëm nga fusha e artit.
Pata fatin të isha dëshmitar i atij momenti, ku zemra e historisë sonë merrte jetë në skenë. Frazat e shkurtra në shqip, të përdorura me mjeshtri nga regjisorja, më arrinin si një jehonë pa fund. Në mes të një publiku, ndër drita dhe hije, ndieja një krenari të thellë ndërkohë që shfaqej një prej historive më të bukura të kujtesës sonë, fjala që duhet mbajtur.