Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren këtë javë mirëpret shfaqjen mysafire “Të bardhët”, të autorit Steven Leigh Morris dhe në regji të Besim Ugzmajlit.
Ky produksion i Qendrës Multimedia shfaqet me datën 26 shkurt 2025 prej orës 20:00, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren.
Sipas njoftimit të Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në këtë shfaqje luajnë aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha dhe Bujar Ahmeti.
Ndërkaq në përshkrimin e shkurtër të shfaqjes thuhet se kjo vepër shtron pyetje sfiduese mbi racizmin.
“Një satirë sociale që trajton çështje racore dhe gjinore përmes një produksioni teatror në Oklahoma. Regjisori i bardhë, Luis, përballet me dilemat e përfaqësimit dhe të trashëgimisë së tij artistike, ndërkohë që përballet me vdekjen e tij të pashmangshme. Një shfaqje që ngre pyetje sfiduese mbi racizmin, përfaqësimin dhe traditat teatrale, duke reflektuar edhe në realitetin tonë shoqëror”, thuhet në njoftim.