Imzot Nikë Prela, ish ipeshkëv Shkup-Prizren përkujtohet në librin me titull "Miqtë e mi në amshim" të dr. don Lush Gjergjit

Kultura

Imzot Nikë Prela, ish ipeshkëv Shkup-Prizren përkujtohet në librin me titull "Miqtë e mi në amshim" të dr. don Lush Gjergjit

Nga: Lekë Mrijaj Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 21:23
Libri "Miqtë e mi në amshim"

Libri "Miqtë e mi në amshim" është një vepër monografike e autorit dr. don Lush Gjergji, e botuar në vitin 2015 nga shtëpia prestigjioze botuese "Drita" në Prishtinë. Ky libër monografik përfaqëson një nga veprat më të veçanta të autorit, ku ai veq tjerash përshkruan me ndjenjë të thellë shpirtërore dhe reflektime të pasura marrëdhëniet dhe përvojat e tij me figura të shquara kombëtare dhe kishtare. Këta korifej të kishës e kombit shqiptarë ai i konsideron jo vetëm si udhërrëfyes të jetës së tij, por edhe si miq të tij të dashur që tashmë ndodhen në amshim.

Përmes këtij libri, dr. don Lush Gjergji nuk ndalet thjesht në një rrëfim biografik, por i sjell këto figura në një dimension shpirtëror dhe filozofik, duke treguar se lidhja me ta nuk është ndërprerë me kalimin në amshim, por vazhdon përmes kujtesës, lutjes dhe reflektimit të përhershëm.

Një nga figurat madhore që autori përmend është Shenjtorja Nënë Tereza, të cilën ai e ka njohur nga afër dhe ka shkruar shumë vepra për jetën dhe misionin e saj. Për don Lushin, Nënë Tereza mbetet një shembull i përjetshëm i dashurisë hyjnore dhe përkushtimit ndaj të varfërve dhe të braktisurve nē botë.

Një tjetër figurë e shquar me të cilën autori ndan një lidhje të veçantë shpirtërore është Imzot Nikë Prela. Përmes reflektimeve të tij në librin Miqtë e mi në amshim, dr. don Lush Gjergji vazhdon të "komunikojë" me Imzot Nikë Prelën në një mënyrë të pandashme, duke sjellë në vëmendje mësimet, këshillat dhe trashëgiminë që ai la pas.

Në këtë libër monografik, nga faqja 83 deri në faqen 94, Imzot Nikë Prela trajtohet në këtë kapitull me titullin: "Për Zotin, për Kishën, për popullin tim shqiptar" Në këtë pjesë, autori sjell një pasqyrë të jetës dhe veprimtarisë së këtij ipeshkvi të përkushtuar, duke u ndalur në sfidat dhe sakrificat që ai përjetoi gjatë shërbimit të tij.

Jeta dhe veprimtaria kolosale e Ipeshkvit të Kosovës, imzot Nikë Prelës: Imzot Nikë Prela lindi në Kotor më 3 qershor 1918, nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra. Që në rininë e tij, u përball me përndjekje dhe vështirësi, për shkak të dy "fajëve" të mëdha që i atribuoheshin: ai ishte shqiptar dhe meshtar. Për këtë arsye, kryqi i Jezu Krishtit, vuajtja, pësimi, burgimi dhe sëmundja e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij. Me ironi dhe dhimbje ai shprehej: "Kam lindur në një kohë mjaft të keqe, kur u shkatërruan dy perandori dhe u krijua një Jugosllavi... Refreni që e kam dëgjuar qysh në fëmijëri ishte ky: 'Arbanas, arbanas, jao ti sjutra i danas' – që do të thotë: Shqiptar, shqiptar, i mjeri ti dje dhe sot."

Ai kreu shkollën fillore dhe të mesme në Kotor, ndërsa studimet filozofiko-teologjike i vijoi në Split dhe për një kohë edhe në Strasburg. Edhe atje, për shkak të dokumentacionit, ai përjetoi vështirësi, duke paguar tatime si një i huaj, ndonëse ishte i lindur në Kotor. Motoja e tij meshtarake ishte: "I dëbuar në shtëpinë e Atit", një parafrazim i vuajtjeve të Krishtit, por edhe një reflektim i përvojës së tij personale dhe kombëtare.

U shugurua meshtar më 13 qershor 1941, në mes të bombardimeve dhe rreziqeve të shumta të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht, shërbeu si famullitar në Sutomore (1941-1954) dhe më pas në Muo (1955-1969), deri kur u emërua ipeshkëv i Kosovës më 2 tetor 1969. Në këtë detyrë të re, ai përballej me një periudhë të vështirë historike, sidomos pas demonstratave të viteve 1968-1970, në një kontekst politik të paqartë dhe të rrezikshëm.

Duke kujtuar atë kohë, ai veq tjerash rrëfente:
"Vetëm një gjë e dija, si Shën Pali: se vuajtja nuk do të ndahet kurrë prej meje... Në popullin tim e gjeta vetveten plotësisht, sepse për së afërmi i ndamë të gjitha. Zotit, Kishës, popullit tim, jo një herë, por edhe njëqind herë do t’ia dhuroja jetën time."

Edhe në Kosovë, si ipeshkëv, ai u përball me mungesën e klerit shqiptar, varfërinë, mungesën e lirisë dhe të infrastrukturës kishtare, si dhe me rrethanat e ndërlikuara shoqërore dhe politike. Ai shpeshherë thoshte: "Po zihet moti si para shiut apo breshërit të rrezikshëm, do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme. Zoti na ndihmoftë e na ruajt nga e keqja!"

Një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij ishte audienca private me Papën Gjon Palin II më 21 janar 1981, pak para shpërthimit të demonstratave në Kosovë. Atëherë, Imzot Nikë Prela i tha Papës:
"Shenjtëri, gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar dhe s’di kur dhe si do të shpërthejë... Bëni diçka për popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë martire."

Papa e përkrahu dhe e inkurajoi, duke i thënë:
"Komunizmi dhe ateizmi shtetëror po përfundon, fitorja është e Drejtësisë dhe e Dashurisë... Duhet të qëndrojmë deri në fund."

Dy çështje jetësore ishin shtylla kryesore e jetës dhe veprimtarisë së Imzot Nikë Prelës: vuajtja e popullit dhe Kishës shqiptare, si dhe përkujdesja për të varfërit dhe të përbuzurit. Ai shpesh thoshte:
"Nuk e di pse duhet të vuajmë kaq shumë dhe kaq gjatë, por e di se Zoti na do nëpërmjet kryqit. Për popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë, nuk di çka nuk do të bëja!"

Andaj krejt në fund të këtij reflektimi e them se librin "Miqtë e mi në amshim" nuk mund ta shohim vetëm si një kujtim për të ndjerët e amshuar, përfshirë edhe Imzot Nikë Prelën, por edhe si një dëshmi e fortë e lidhjes së përjetshme shpirtërore me ta. Përmes gjuhës së tij të pasur shpirtërore dhe emocionale, dr. don Lush Gjergji na jep një deshmi monumentale të ndikimit për figura secilen figurë njëkohësisht edhe për figurën e Imzot Nikë Prelës i cili e ka pasur në jetën e tij dhe në historinë e kombit shqiptar, duke dëshmuar se vlerat dhe veprat e mëdha nuk vdesin kurrë, por vazhdojnë të frymëzojnë brezat që vijnë. Lavdi veprës së ipeshkvit msgr. Nikë Prela dhe mirënjohje për reflektimin dhe vlerat e dr. Don Lush Gjergji.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat