Pasi vëzhgon dhe studion veprën e piktorit Haki Xhakli, ndihesh i mbërthyer nga një ndjesi emocionesh dhe përjetimesh të pazakonta, që të ndjekin si hije dhe të fusin në një botë simbolikash mjeshtërisht të realizuara. Në rastin e këtij autori, simbolikat janë universale dhe jo domosdoshmërisht të kapshme për çdo vëzhgues të veprës së tij artistike. Ai arrin t’i ndërthurë ato mjeshtërisht me thellësinë e ndjenjës shpirtërore, duke pasqyruar një gjendje emocionale që duket sikur ecën mbi një fije delikate, por që nuk këputet kurrë.
Kjo simbolikë realizohet herë nëpërmjet kokës së kalit, herë nëpërmjet murit apo gurit, të cilët sjellin ftohtësinë e jashtme, por edhe ngrohtësinë e brendshme që muret dhe kullat afrojnë për mikun. Shpesh, këto elemente simbolizojnë syrin vigjilues, aq të domosdoshëm për këtë vend dhe për këtë popull, përballë armiqve të shumtë dhe të pabesë. Autori, me mjeshtëri, arrin të zbusë dhe të balancojë tensionin midis ndjesisë dhe aftësisë shprehëse, duke na paraqitur të gjithë botën shpirtërore të njeriut – herë madhështore dhe të paepur, herë të mbushur me ankth, shqetësime dhe fenomene të tjera negative të jetës. Ai i gërsheton këto ndjesi nëpërmjet simbolikave të fuqishme, duke e ngritur pikturën e tij në nivelin më të lartë të komunikimit universal dhe të papërsëritshëm me publikun.
Vetë ai mban një qëndrim të qartë ndaj fenomeneve që trajton dhe mjeshtërisht arrin t’i transmetojë këto qëndrime nëpërmjet pikturës së tij. Në të nuk mungojnë dilemat njerëzore dhe përballja individuale me të vërtetën. Mjegulla e lehtë që e kaplon vëzhguesin e veprës së tij, në fillim mund të duket si një ikje nga përgjegjësia apo veprimi, por kur futesh thellë dhe analizon simbolikën, kupton që tonalitetet e errëta nuk janë vetëm një detaj estetik, por pjesë e një ideje më të madhe. Piktori nuk e lë vëzhguesin të humbasë në errësirë; përkundrazi, ai ofron momente drite, duke krijuar një ekuilibër mes kontrasteve. Në disa vepra, drita dhe errësira ndërthuren në një mënyrë të tillë që tregojnë vëmendjen e tij të hollësishme ndaj jetës dhe natyrës.
Saktësia e pikturimit dhe spikatja e tipareve tregojnë një mjeshtëri të lartë artistike, ndaj pikturat e tij janë plot jetë dhe natyrshmëri të prekshme, duke të tërhequr në një atmosferë intime dhe emocionale. Gjithnjë me ndjesi të forta, ai arrin të realizojë vepra ku harmonizon emocionet e një shpirti të ndjeshëm me një mesazh të qartë dhe të fuqishëm.
Haki Xhakli ka meritën e madhe se për të realizuar pikturën e tij nuk është nisur nga asnjë parim ideologjik i dukshëm. Ai ka zgjedhur një stil të veçantë, që vjen si një rrugëtim mes reales dhe imagjinares, duke krijuar një atmosferë ku dallohet qartë mjedisi shqiptar – figurat, qëndrimi, psikologjia, kostumet dhe orenditë, të cilat pasqyrojnë veçoritë kombëtare. Piktori ndonjëherë ndalet deri në detajet më të imta, duke i dhënë peshë çdo peneli të hedhur. Kjo saktësi krijon idenë e një dore të sigurt, që arrin të japë vepra me vlerë të madhe artistike.
Peneli i tij është i lirë dhe i sigurt, edhe pse në disa raste vihen re lëvizje misterioze, derisa arrin të transmetojë mesazhin e tij. Ai e përdor mjeshtërisht penelin gjatë përpunimit dhe realizimit të veprës, duke harmonizuar ndjesitë njerëzore me elementet materiale. Në disa piktura, shkrirja e këtyre elementeve krijon një ndjesi drithëruese, që të ngulitet thellë në shpirt.
Natyrisht, në artin e tij reflektohet edhe njohuria, përvoja, edukimi dhe kultura e gjerë që ka fituar në vite, e cila pasqyrohet në thellësinë e mendimit dhe gjykimit të tij. Megjithatë, në krijimtarinë e tij ndihet edhe brenga e kohës në të cilën jeton dhe krijon.
Haki Xhakli di t’i japë veprës së tij një origjinalitet të veçantë. Ai ka evoluar ndjeshëm në stilin e tij, duke përdorur tone të forta dhe dritëhije me nuanca të caktuara, që përshtaten në mënyrë të përkryer me mënyrën e tij shprehëse. Mjeshtërisht, ai arrin të shpërndajë forcën shprehëse në gjithë pikturën, ku identiteti i tij artistik, imagjinata dhe kuptimi shkrihen në strukturën e veprës, duke shpalosur perspektiva të fuqishme të idesë dhe ndjenjës njëherësh.
Teksa vështron pikturat e tij, vë re se ai ka përfshirë të gjitha gjinitë e pikturës, duke sjellë vepra me vlera të jashtëzakonshme, ku shkrihen bashkë përvoja, urtësia e të shprehurit artistik, dija dhe shpirti i ndjeshëm njerëzor.
Haki Xhakli është këmbëngulës në shmangien e shablloneve dhe përsëritjes së figurave. Ai mjeshtërisht gjen mënyrën për të futur elementin artistik dhe për të dhënë një simbolikë të re me një frymëmarrje të hollë dhe një ndjesi të lartë shpirtërore nga piktura në pikturë. Në disa prej veprave të tij shohim edhe iluzionin e përtej vdekjes që ndjek jetën tonë; për ta kuptuar këtë mjafton të vështrojmë pikturën e Ago Imerit apo atë kushtuar Rambujes, ku fletët e letrave krijojnë rrëmujën e papërcaktueshmërisë.
Haki Xhakli di të ekuilibrojë motivet e tij dhe të na ftojë në një reflektim të thellë mbi realitetin historik dhe shoqëror. Ai e ka përjetuar fort përkushtimin e popullit tonë ndaj botës dhe peshën e goditjeve të rënda të historisë, përfshirë grushtin mizor të diktaturës. Kur i kushton një pikturë Rambujes, aty ndihet pesha e papërsëritshme e përvojës dhe eksperiencës, ndërsa pasionet e tij të mëdha dhe përkushtimi ndaj realitetit bëhen një me artin e tij.
Në shumë prej pikturave të tij vihet re një ndjenjë dashurie gati perfekte. Ai e kupton mirë se në art, mesazhet dhe emocionet nuk mund të jenë të njëjta në çdo vepër. Ai e do jetën dhe dashurinë, por ka një vështrim të veçantë mbi botën, një vështrim që ndryshon nga piktura në pikturë. Pa bërtitur apo klithur për veten, por me qartësi dhe ndjeshmëri të brendshme, ai sjell piktura si dëshmi të fateve njerëzore. Personazhet e tij, edhe pse ngjizur në kohën që jetojmë, marrin vlera të reja me kalimin e kohës, falë përpunimit mjeshtëror që ai u bën përmes penelit të tij.
Pikturat e tij shpesh drejtohen drejt një magjie enigmatike, por nuk kanë për qëllim të jenë thjesht të tilla. Ai nuk ndjek një model të caktuar, por krijon një stil krejtësisht të vetin, të thellë, jetëgjatë dhe domethënës. Në veprën e tij ndeshim stile të ndryshme, nga realizmi magjik deri te simbolizmi i thellë, duke vënë re raportin e tij të veçantë me kohën, hapësirën, identitetin dhe lirinë.
Me mjeshtëri artistike dhe realizim të përsosur, ai vendos ura komunikimi mes veprës dhe vëzhguesit. Në pikturën e Haki Xhaklit bie në sy interesi i tij për natyrën dhe bukuritë e saj mahnitëse. Loja e tij e dritëhijeve dhe dashuria për natyrën ndikojnë që penelatat e tij të jenë të sigurta dhe të ndjeshme në përjetim. Vështrimi i parë mbi veprat e tij të transmeton qetësi shpirtërore, emocione të forta dhe një komunikim të veçantë artistik.
Në veprën e Haki Xhaklit ka një liri të madhe shprehëse, dhe kjo vjen nga aftësia e tij e veçantë për të trajtuar çdo element. Në të shumtën e rasteve, është ruajtur shenjtëria e vlerës individuale të tij, duke zgjeruar natyrshëm dhe përfshirë tërësinë e njeriut që ai vlerëson dhe zhvillon në çdo element të pikturës së tij, e që në fakt i jep shpirt çdo detaji.
Ai gjithnjë zgjedh temën dhe gjithmonë këto tema mbartin një rëndësi filozofike dhe shoqërore, por pa ngecur asnjëherë në teorizma sterile. Pothuajse në çdo pikturë, lëviz në një autonomi mendimi që nga njëra anë të magjeps dhe nga ana tjetër të bën të ndihesh brenda dhe jashtë saj njëkohësisht. Pikërisht sepse ka një botë të pasur shpirtërore, ai rrezaton një botë të mahnitshme, duke krijuar një ndikim të menjëhershëm në mendimin e vëzhguesit.
Kur vështron pikturën e tij, të duket sikur je përballë vizioneve dhe udhëtimeve të brendshme që ka grumbulluar, eksperiencave të jashtëzakonshme, duke shkelur në pakufijtë e ëndrrës, të cilat kthehen e marrin jetë duke gjetur impulsin e duhur në dritëhijet, kombinimin e ngjyrave dhe në peshën e çdo peneli. Ai ka aftësinë për t’u thelluar në gjeografinë njerëzore të hedhur në pikturë, ku mprehtësia dhe ndërlikimi i mesazhit përcillen me një lirshmëri të veçantë. Nëpërmjet artit të tij, ai tregon gjendjen e tij shpirtërore si pjesë e tërësisë kulturore.
Piktura e Haki Xhaklit ka të mishëruar shpirtin njerëzor, por edhe krenarinë dhe dinjitetin dardan. Kjo pikturë, edhe pse ka individualitetin e vet krijues, nuk vjen e shkëputur dhe e ndarë nga krijimtaria tradicionale, por ruan kodet e veta të komunikimit me trashëgiminë e pasur kulturore të tërësisë. Ka piktura ku shfaqet edhe një ndjenjë e hollë trishtimi për kohën e ikur, e kjo vjen jo dukshëm, por si një ëndërr në mënyrë meditative.
Haki Xhakli nuk qëndron vetëm brenda kufijve tanë kombëtarë; ai ekspozon edhe në disa vende të tjera, duke dashur t’i japë zë jo vetëm pikturës së tij individuale apo emrit të tij, por mbi të gjitha, pikturës sonë kombëtare si vend dhe si komb në kontakt me publikun botëror. Pikërisht piktura dhe arti mbeten si një urë lidhjeje dhe komunikimi mes artit tonë dhe atij të metropoleve të mëdha. Piktura e tij nuk mbetet individuale apo si pronë personale, por gjendet edhe në shumë galeri apo koleksione të njerëzve të artit dhe dashamirësve të saj.
Vëzhgimi i pikturës së Haki Xhaklit të jep mundësinë e eksplorimit të spektrit të ideve dhe dritë-hijeve që ai realizon. Ai sjell një cikël pikturash që i përkasin dashurisë dhe lumturisë apo edhe iluzioneve të humbura brenda ndjesisë njerëzore. Kështu, vepra e tij artistike nuk mbetet vetëm brenda kornizave kufizuese të pikturës, por del jashtë saj nëpërmjet idesë dhe mesazhit, ndjesisë dhe vizionit individual, duke iu përcjellë vëzhguesit një përjetim të thellë. Pikturat e tij vijojnë si një polifoni, si një ligjërim apo si një përcjellje elegante dhe e ndjeshme, ndonjëherë duke krijuar një gjendje turbullie, një amulli që mbetet thellë në kujtesën e gjatë.
Simbolika në veprat e artit të Haki Xhaklit e karakterizon atë si artist me një gjuhë të veçantë shprehëse. Duket se ka kodet e veta të komunikimit dhe në veprën e tij arti shfaqet si një terapi psikoanalitike, duke e çuar pikturën në nivele të tilla ku nuk është e lehtë të pikasen ndjesitë mistike e të mjegullta. Kjo e bën pikturën e tij më magjike. Gjuha simbolike që ai përdor depërton thellë te vëzhguesi, duke i dhënë peshë realizimeve të tij, të cilat karakterizohen nga aftësia mjeshtërore e përdorimit të penelit. Ai e njeh mirë dhe vlerëson dritën, duke luajtur me kontrastet mes saj dhe hijeve, për të realizuar finesa të rralla artistike. Ai trajton dhe përdor kontrastet tonale, gërshetimin e ngjyrave për të dhënë dritë herë personazhit dhe herë natyrës. Kështu, kur ndodhesh përballë pikturave të tij, koha e kundrimit të tyre dhe vëmendja zgjaten natyrshëm. Kjo ndodh sepse ai mjeshtërisht shmang shabllonet dhe sjell vazhdimisht motive e ide të reja, duke na ofruar një reflektim meditativ të veçantë. Pikturat e tij lexohen këndshëm, duke na ftuar të kuptojmë jo vetëm pamjen që ato ofrojnë, por edhe mesazhin që mbartin në një udhëtim artistik përmes përditshmërisë sonë harrestare.
Autori shkëput fragmente të spikatura dhe gjen mundësinë për t’i shtjelluar shpesh në mënyrë simbolike, me një gjuhë të fuqishme shprehëse, duke sjellë botën e tij të brendshme në një formë të tejdukshme. Ai arrin të bartë peshën e simbolikës dhe momentin meditativ në artin e tij. Në pikturat e tij ndihet pulsi i një ndjeshmërie të veçantë ndaj dukurive të jetës, të ndërtuara dhe të konsoliduara në marrëdhëniet me mjediset shoqërore, me ngarkesat psikologjike, me të djeshmen dhe të sotmen, pa e mjegulluar forcën transmetuese të mesazhit apo gjallërinë e shprehjes artistike. Ai ka aftësinë e depërtimit në thellësi dhe përshfaqjes intime të personazhit anonim apo të momentit artistik. Tek personazhet femërore, shfaqet thellësia e tundimit ndjesor.
Haki Xhakli kthehet në një piktor të admirueshëm për qartësinë artistike dhe paraqitjen e tij publike, sidomos për simbolikën e tij të papërsëritshme. Kjo simbolikë, falë përvojës së tij vetjake dhe njohurive në fushën e pikturës, si dhe përdorimit të motiveve unike, e bën atë një artist të rëndësishëm dhe të admiruar.