​Hapet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”

Kultura

​Hapet ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”

Më: 3 mars 2025 Në ora: 14:04
Foto ilustrim

Është hapur ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, i organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik – Prishtinë.

Ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik, Naim Berisha, tha se hapja e kësaj ekspozite shënon një akt të rëndësishëm reflektimi mbi sakrificën e atyre që vendosën themelet e gjuhës shqipe, raporton KosovaPress.

“Ky moment shënon një akt të rëndësishëm reflektimi mbi sakrificën e atyre që vendosen themelet e gjuhës së shkruar shqipe. Përmes kësaj ekspozite ne sjellim në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë sonë. Një trashëgimi të çmuar që na kujton vlerat e lirisë dhe identitetit kombëtar. Historia e alfabetit shqip është e lidhur ngushtë me ruajtjen e identitetit kombëtar dhe zhvillimin e arsimit shqip. Hartuesit e tij përballë presionit dhe ndëshkimeve të rënda nuk u tërhoqën nga ideali i një kombi të arsimuar dhe të lirë”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Çelo Hoxha, tha se kjo është ekspozita e parë që ka synim të evidentojë goditjen e elitës shqiptare, politike dhe kulturore nga regjimi komunist.

“Ekspozita është një fragment i një cikli ekspozitash që kemi nisur. Është ekspozita e parë që ka synim të evidentojë goditjen e elitës shqiptare, politike dhe kulturore”, tha ai.

Pjesë e hapjes së kësaj ekspozite ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, i cili theksoi nevojën për krijimin e një kujtese kolektive për figura të spikatura të historisë kombëtare, të cilët nuk ishin të përshtatshëm për ish regjimin komunist.

“Është një thirrje ndaj kujtesës sonë kolektive për këto figura të spikatura të historisë sonë kombëtare dhe familjarëve të tyre. Atyre ju mohua atdhedashuria, kontributi intelektual, orientimi perëndimor dhe patriotizmi i pashembullt për të bashkuar shqiptarët në një alfabet të vetëm si pjesë të identitetit të tyre kombëtar, vetëm për faktin se politikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin komunist”, tha ai.

E, autorja e ekspozitës, Dorina Daiu, tha se e njëjta sjell kontributin e jashtëzakonshëm të burrave atdhetar të cilët kanë qenë të përndjekur nga regjimi komunist.

“Kjo ekspozitë na sjell në vëmendje jo vetëm kontributin e jashtëzakonshëm të atyre burrave shteti ndaj të cilëve sot ndihemi të obliguar të përulemi, për punën e palodhur dhe çmimin e madh që disa prej tyre do të paguanin me ardhjen e sistemit komunist në Shqipëri. Është detyra jonë si studiues zbardhja dhe studimi i së kaluarës”, theksoi ajo.

Krahas kësaj, Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë nënshkruan memorandum bashkëpunimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat